Pas nisjes dobët të vitit, turizmi po e merr veten. Rrezet e diellit të këtij fillim-prilli po joshin më shumë pushues të huaj të vizitojnë vendin. E njëjta ka ndodhur me këtë grup të rinjsh nga Republika Çeke.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe deri tani më pëlqen shumë. Moti është i këndshëm dhe njerëzit janë mikpritës. Po eksplorojmë disa qytete dhe gjithçka duket interesante”, thotë për A2 Alena, turiste nga Republika Çeke.
Problemet e vjetra të turizmit shqiptar ndërkohë po përsëriten edhe këtë vit. “Ka disa gjëra që mund të përmirësohen, sidomos infrastruktura dhe organizimi në disa zona turistike. Ndonjëherë është e vështirë të gjesh informacion të saktë. Transporti është jo i mirë”, thotë Bozena, gjithashtu turiste nga Republika Çeke.
Përherë e më tepër të huajt e joshur nga çmimet e ulëta gjatë kërkimeve në internet po përballen me një realitet zhgënjyes kur vijnë në Shqipëri. “Në internet dukej gjithçka shumë perfekte dhe shumë e lirë, por kur mbërritëm disa çmime ishin më të larta dhe shërbimi jo gjithmonë në nivelin që prisnim”, thotë Adin, turist nga Republika Çeke.
Turizmi pritet të jetë i mbarë veçanërisht me afrimin e sezonit veror. Shqipëria pritet të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të turistëve të cilët kanë anuluar pushimet në Lindjen e Mesme për shkak të tensioneve.
“Ka një interes të shtuar për Shqipërinë këtë vit, edhe si pasojë e zhvillimeve në rajone të tjera. Kjo po sjell një rritje të kërkesës, sidomos për sezonin veror”, shpjegon Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve.
Në disavantazh pritet të kthehet shtrenjtimi i karburantit që përdorin avionët. Kjo situatë pritet të shtrenjtojë shtrenjti të biletave të udhëtimit e rrjedhimisht më pak lëvizje. “Rritja e kostove të transportit ajror është një faktor që mund të ndikojë drejtpërdrejt tek turistët. Nëse biletat shtrenjtohen, një pjesë e tyre mund të rishikojnë planet e udhëtimit”, thotë Vathi.
Pritshmëritë për këtë vit janë që vendin ta vizitojmë rreth 14 milionë të huaj ndërsa të ardhurat të rriten në mbi 7 miliardë euro.











