Nga Ben Andoni
Prekariat është një term i njohur prej dekadash në sociologjinë politike, të cilit i referohet shpesh edhe më shpesh ekonomia për një shtresë të re shoqërore, që e kemi para syve dhe që i mbijeton kapitalizmit të pamëshirë, në rastin tonë atij shqiptar. E Majta jonë, e cila qëndron në pushtet prej nëntë vitesh, po na e sjell përballë këtë kategorizim të ri, ose më saktë për këtë fashë shoqërore, e cila mundohet për ta fituar ose gjetur në çdo moment punën; është shpesh në punë tranzitore; e pasigurt për të mbijetuar normalisht dhe gati me CV-në për ta paraqitur për punën e radhës. Me pak fjalë për ta bërë më të kuptueshëm si koncept: prekariati është një neologjizëm, referuar fjalorëve sociologjikë, që lidhet me një klasë sociale të cilën e lidh përbashkësisht një term i krijuar prej një kompozite: prekariat (e përbërë nga precarius-pasiguri dhe proletariat), të ekzistosh pa pasur mundësi të parashikosh jetën i qetë ose të kesh siguri. Kjo gjëndje ndikon realisht në mirëqenien materiale ose psikologjike. Termi, siç u tha, bashkon pasigurinë me proletariatin, shkruhet në literaturë dhe në Shqipëri kjo shtresë po i afrohet dhe Klasës së Mesme ndaj kjo sot është tejet shqetësuese. Por kongresi e paraqiti plot lule Shqipërinë, kurse zëri kritik i Manjës dhe Braçes u prit gati me sarkazëm, qoftë dhe nga kolegët e tyre më të afërt.
Në gjysmën e shekullit të shkuar për ta bërë të qartë sesi mund të kategorizoheshin nevojat njerëzore përdorej Hierarkia e Maslow, ku përmes pesë kategorive të nevojave njerëzore përcaktohej sjellja e një individi. Këto nevoja janë nevojat fiziologjike, nevojat e sigurisë, nevojat e dashurisë dhe përkatësisë, nevojat e vlerësimit dhe nevojat e vetëaktualizimit. Secili mund ta gjente veten në një nga shkallët e saj.
Po ku e gjejnë veten shqiptarët? Në shkallën e parë dhe të dytë janë më të shumët dhe kjo shpjegon pse termi prekariat tashmë është aq aktual për ta. Në fakt, ky term njihet që para 70-80 vitesh, por shekulli XXI po na e përball pamëshirë, si shtresë shoqërore që na kalon përpara syve. Ndryshe nga klasa e proletariatit industrial në shekullin e 20-të, e cila mbijetonte falë punës së rregullt, anëtarët e prekariatit janë të përfshirë vetëm pjesërisht në punë, ndërkohë që i kërcënojnë politikat kaotike (Të Majtët me premtimet e tyre dhe të Djathtët me ashpërsinë e dogmës së institucionit), shtuar edhe inteligjenca artificiale dhe paqartësia e kohës sonë me luftëra. Tek ne në Shqipëri, sot prekariati duhet të përfshijë shifra shqetësuese.
Ndaj, si në të gjithë botën, prekariotët shqiptarë u duhet të bëjnë punë të ndryshme, jo rrallë herë të papaguara, thjesht të kenë ndonjë qasje në punë për të mbijetuar, të hapin veshët se ku mund të afrohen atributet e tyre ose më thjesht akoma: u duhet të jenë gati për çfarëdo që del për të mbijetuar. Kjo është një nga arsyet që tregu është shumë kaotik por më shumë nga të gjitha ka humbur shpresën që mund t’i ngjallë shqiptarëve të zakonshëm. Rezultati: Po largohen me shifra marramendëse.
Le të ballafaqohemi me disa shifra, ku jo thjesht largimi po na përball me shumë problematika, por edhe rritja e kësaj klase krejt pa shpresë është kambanë e fortë: E para, popullsia jonë është në ulje drastike kurse popullsia në moshë pune gjithashtu po ndjek këtë trend. Nga viti 2017 në vitin 2021 treguesit zyrtare që referohen nga INSTAT-i raportojnë se grup mosha 15-64 vjeç ka shënuar rënie me gati 2.3 %. Po ashtu, një vit më parë, në të njëjtën kohë nga rreth 1,9 milionë persona në moshë pune, punonin vetëm mbi 1,1 milionë persona, një pjesë e madhe e të cilëve në punë të zezë. Referuar listë-pagesave të tatimeve në tremujorin e parë të vitit 2021 vetëm 60.8 për qind e personave paguanin sigurime. Më saktë, në 1.139.197 persona të punësuar vetë, 692.772 prej tyre arrinin të paguan kontribute. Por problemi më i madh mbetet informaliteti i lartë i tregut të punës, që referuar ILO-s, edhe pse politikat dhe programet mbi tregun e punës janë prezantuar vazhdimisht, vetëm një përqindje e kufizuar e të papunëve (rreth 5.5% ) arrin të ketë akses në to. Papunësia mbetet ende e konsiderueshme (11.9% në 2021) kurse tek të rinjtë arrin në plot 28%. Por, ILO, referon dhe statistika të tjera të hidhura, ku për shembull: shkalla e papunësisë së të rinjve është e lartë dhe shkalla e lartë e të rinjve jo në arsim, punësim apo trajnim (26%) mbetet një shqetësim tejet i madh për zhvillimet e së ardhmes.
Çdo të thotë kjo shtresë për Shqipërinë?! Ky grupim shoqëror po shtohet para politikave të pamjaftueshme të punësimit dhe e ardhmja është tejet e zymtë. Problemet e tyre nuk adresohen. Shenja dalluese e prekariatit tek ne, siç ndodh me shumë shqiptarë të rinj sot, por jo vetëm, është ndjenja e mungesës së vazhdueshme të sigurisë së punës dhe konfuzioni, që shmang njerëzit për t’u punësuar dhe të ndërtojnë jetën e tyre. Ndërkohë, flitet për të rinjtë, thirren në fushata politike, janë butafori statike mes politikanëve por kanë gjithnjë e më pak vend për punësim. Shfaqja e kësaj klase në botë i është atribuuar teorikisht rrënjosjes së kapitalizmit neoliberal, kurse tek ne kaotizmit të një sistemi pa ideologji, por kinse me mëtime neoliberale.
Ekonomisti britanik Guy Standing, një nga njohësit më të mirë të saj, e ka analizuar prekariatin si një klasë të re sociale në zhvillim. Po si mundet kjo fashë shoqërore t’i shpëtojë makthit të pasigurisë dhe mungesës së punës së vazhdueshme…? Në rastin tonë, kjo kërkon një shqyrtim specifik të rastit shqiptar të prekariatit dhe cilat elementë e furnizojnë atë? Gati 10 vjet më parë, rezultatet e dala nga një anketë e realizuar midis BBC-së dhe studiuesve nga disa universitete në Mbretërinë e Bashkuar, treguan se ekziston një model i ri i strukturës së klasës që sipas studimit përbëhej nga shtatë klasa: Nga Elita në krye e deri në Prekariat në fund. Klasa e ashtuquajtur Prekariat parashikohej si “klasa britanike më e privuar nga të gjitha për shkak se ka nivele të ulëta të kapitalit ekonomik, kulturor dhe social”. Studiuesit bashkohen në mendimin se: Njerëzit e klasës së re Prekariat i kanë energjitë dhe u pëlqen të angazhohen, por nuk mund të bëjnë asnjë prej tyre sepse janë pa para, jetë të pasigurta dhe zakonisht janë të bllokuar në pjesë të vjetra industriale të vendit, thuhej për rastin britanik. Aman rasti shqiptar ka një specifikë që kërkon hulumtim të thellë, qoftë sa i përket të dhënave që lidhen me këtë grupim social, ndikimin që mund të ketë në ritmet e zhvillimit të vendit dhe karakteristikat sesi shteti shqiptar mund t’i adoptojë në politikat e veta, duke i dhënë një horizont shprese.
Në kohët tona, E Majta, që është në fuqi në Shqipëri po i mbijeton me shumë vështirësi problematikave në vend, që në vitet e fundit kanë qenë madhore, por me politikat e saj ka qenë më e besueshme për gjysmën e popullsisë që voton. Falë edhe një opozite gati të paqenësishme dhe krejt të përçarë. Në fakt, e Majta ngado në Evropë ka pësuar rënie, kjo sepse nuk ka kapur si duhet ndryshimet e thella të shoqërisë por edhe ndryshimet teknologjike që ndikon koha dhe që në fakt, e mbajnë ende Evropën në stade tejet të zhvilluara. Megjithatë, në këtë proces, partitë tradicionale të krahut të Majtë e kanë humbur dhe u është zbehur narrativa e tyre kryesore politike, pasi për shkak të paqartësisë sot, e kanë humbur krejt elektoratin e tyre tradicional. Në fakt, studiuesit mendojnë se elektorati i varfër dhe njerëzit e thjeshtë nuk u ‘ndanë’ aq shumë nga e Majta, por janë zhdukur si kuptueshmëri.
Por Rama si lider i të Majtës shqiptare dhe një figurë që kërkon të bjerë në sy vazhdimisht, vazhdon t’i drejtohet ndryshimeve, duke qenë aktiv qoftë për politika gjinore dhe inkurajimin e rinisë, risitë teknologjike por edhe shtresave shoqërore, si edhe shumë fusha të tjera. A janë thjesht për dukje? Kjo do shihet në muajt në vijim. Zëri i pakët në kongresin e PS-së i Ulsi Manjës, ministrit të tij, që tregonte se në terren qasjet ishin të dobëta u pritën keq nga besnikët e Ramës, por ato e sollën një mesazh, jo të vogël…Ka një shtresë të papërfaqësuar dhe ato e kanë humbur krejt besimin qoftë edhe te planet plot lule të Ramës. Por, Manja e zbuti kur pas konstatimit, për t’i bërë qejfin Ramës shtoi se: Zgjedhjet i fiton vetëm ai.
Në fakt, shqetësimi më i madh është se këta njerëz kanë reduktuar ndjeshëm aftësinë për t’u organizuar, dhe kur e bëjnë nuk e bëjnë dot si duhet. Protestat tona e treguan hapur këtë dhe më shumë faktin sesi përdoret kjo pjesë thjesht si mbushëse e protestave. Anipse, kjo temë ndoshta meriton një hulumtim më të gjerë. Problem është sesi kjo shtresë do ketë një alternativë drejt një sigurie. Teksa në Evropë duket se e Majta tradicionale iu përgjigj më shumë alternativave të së Gjelbrës duke adoptuar profile më liberale mjedisore dhe shumë shoqërore, në fakt braktisi “prekariatin” e ri – klasat e reja punëtore të shërbimit dhe ata me punësim të varfër ose të parregullt, konstatohet në studime. E Majta tradicionale kudo ka hapur një boshllëk për shtresat që kërkojnë mbrojtje ekonomike. Dhe, ja ku jemi sot: prekariatin shqiptar e manipulojnë të gjithë dhe ka mbetur pa asnjë përfaqësim, sepse askush nuk i konsideron më ata. Përditmëria është perëndia e vërtetë e tyre. Kurse, Kongresi i Socialistëve edhe me të gjithë ato tema që paraqiti, nuk është se solli ndonjë ide se çdo të bëhet me këtë armatë…që marshon drejt askundit. Homo Albanicus