Pas Kinës, Koreja e Veriut surprizon me gjeneratën e re të robotëve humanoid
Nga Eljanos Kasaj*
Pas prezantimit të robotëve modern humanoid kinez UnitreeG1 dhe H1″Fuxi” gjatë spektaklit televiziv të Festivalit Gala të Pranverës në CCTV, të zhvilluar në kuadër të celebrimeve të Vitit të Ri Kinez, më, duket se një tjetër shtet aziatik është duke hedhur hapa të guximshme në fushën e robotikës.
Më 17 mars, Gazeta “Choson Sinbo”, një organ i Shoqatës së Përgjithshme të Banorëve Koreanë në Perandorinë e Japonisë, prezantoi robotët edukativë “Docheon” dhe “Sujae” të zhvilluar nga Universiteti i Mësuesve të Phenianit, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë (RPDK ose Koreja e Veriut).
Krahas kësaj, u publikuan edhe foto të një roboti humanoid në formë femre të veshur me një jeogori të bardhë dhe një hanbok blu (veshje tradicionale femërore në Kore).
Ky robot duket se është ekspozuar së fundmi ndaj diplomatëve të huaj të stacionuar në RPDK.
Ambasada e Federatës Ruse në Phenien postoi në faqen e saj zyrtare në Telegram një foto në datën 15 mars, gjatë ditës së zgjedhjeve të Asamblesë Supreme Popullore, duke treguar robotin me të njëjtën formë që vepronte në një qendër votimi të Universitetit të Mësuesve të Phenianit, duke deklaruar: “Një robot që i ngjan një vajze me veshje tradicionale Chosun (Koreja e Veriut) mirëpriti votuesit”, duke shtuar gjithashtu se roboti udhëhoqi procesin e votimit.
Gazeta “Choson Sinbo” raportoi më tej se robotët e zhvilluar nga Universiteti i Mësuesve të Phenianit po përdoren në mënyrë aktive në mjediset arsimore. Sipas medias, roboti ‘Docheon’ “ndihmon mësuesit në aktivitetet e tyre mësimore për të ndihmuar në të nxënit e nxënësve” dhe është i pajisur me një funksion për të shpjeguar pyetjet e nxënësve bazuar në materialet mësimore. Një tjetër robot, ‘Sujae’, ndihmon në mësimin në shtëpi për fëmijët e moshës 1 deri në 10 vjeç dhe ofron përmbajtje edukative përmes një ekrani të madh në qendër të trupit të tij.
Përveç këtyre modelve, Gazeta prezantoj gjithashtu edhe “Robotin e Gjeometrisë”, i cili i ndihmon nxënësit të mësojnë parimet bazë të vizatimit gjeometrik, duke theksuar se “këta robotë janë shumë praktikë në rritjen e entuziazmit të të nxënit të nxënësve dhe nxitjen e kreativitetit” dhe se “ato po përgjithësohen gjerësisht në të gjithë vendin.”
Megjithatë, Gazeta nuk ka dhënë shumë detaje specifike rreth metodave ose funksioneve të këtyre robotëve, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi teknologjinë që është përdorur në ta. Por, pavarësisht kësaj, ky është parë si një hap i guximshëm, ndonëse ende modest, në zhvillimet në fushën e teknologjisë, robotikës dhe edukimit korenoverior.
*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni











