Para pak javësh, administrata e burgut në Shënkoll, liroi nga qelia në nëntor të vitit 2015 një të dënuar, me 20 vjet burg, për akuzën e vrasjes. Shuaip Zukaj, i njohur ndryshe edhe me emrin Shaban Zukaj, nga Deçani i Kosovës, është liruar nga burgu i Lezhës me të mbaruar dënimin e marrë në Shqipëri, për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.
Edhe pse ndaj tij kishte një vendim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata, që me përfundimin e dënimit duhej të ekstradohej në Kosovë, administrata e burgut e ka lënë atë të lirë.
Pas kësaj gafe, Ministria e Drejtësisë po ngre një aplikacion web-i për kartelat e të dënuarve. Fondi është 880 milionë lekë të vjetra, ndërsa tenderi është zhvilluar para pak ditësh, ku është shpallur edhe fituesi.
Sipas dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve disponon aktualisht programin PIP të kartelave. Problemi me këtë program, i cili është një “Desktop application” qëndron në faktin se prodhon një informacion i cili azhurnohet periodikisht dhe si rezultat ky informacion është i pasaktë në një moment të caktuar duke qenë se ka hyrje të reja dhe azhurnime të dhënash çdo ditë.
“Problem tjetër është dhe mënyra sesi është ideuar dhe ndërtuar ky aplikacion, i cili e bën mirëmbajtjen e tij shumë komplekse ku çdo institucion ka server lokal dhe si rrjedhim dhe bazë të dhënash lokale e cila replikohet manualisht me bazën e të dhënave qendrore 2 herë në muaj. Një aplikacion web do të bëjë të mundur eliminimin e këtyre problemeve meqenëse Institucionet e Varësisë do të punojnë me të dhënat për të dënuarit që kanë nën kontroll dhe ky informatizim do të kontrollohet dhe do të monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ndërkohë reale do të aksesojë të gjitha të dhënat” thuhet në këtë dokument.
Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është organ në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, që organizon, drejton dhe kontrollon ekzekutimin e vendimeve penale me burgim dhe masave të sigurimit me “arrest në burg” në të gjithë sistemin e burgjeve.
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë institucione në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kanë për detyrë pritjen, sistemimin, trajtimin dhe rehabilitimin social të të burgosurve.
Në çdo IEVP hapen dhe mbahen këto regjistra dhe dosje:
Regjistri themeltar i të dënuarve; Regjistri themeltar i të paraburgosurve; Dosja personale e të burgosurit; Dosja psiko-sociale; Dosja shëndetësore; Regjistri i kërkesë-ankesave; Regjistri i masave disiplinore; Regjistri i lirimeve para kohe me kushte; Regjistri i lejeve të të burgosurve; Regjistri i ngjarjeve të rënda; Regjistri i uljeve të dënimit; Regjistri i vizitave mjekësore; Regjistri i aktivitetit 24 orësh dhe Regjistri i punësimit.
Personeli i ngarkuar i institucionit bën regjistrimin e të burgosurve në regjistrin themeltar. Për çdo të burgosur hapet dosja personale, plotësimi i së cilës fillon që në momentin e pranimit në IEVP dhe vazhdon deri në lirimin e tij. Dosja e shoqëron të burgosurin në rast transferimi në çdo IEVP tjetër. Me përfundimin e vuajtjes së dënimit ose në rast lirimi, dosja arkivohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Të dhënat lidhur me të burgosurit, duhet të mbahen në përputhje me karakterin konfidencial të tyre. Të dhënat që ndodhen në regjistër dhe në dosje regjistrohen në sistemin informativ sipas mënyrës së miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Drejtoria e IEVP siguron shërbimin mjekësor pa ndërprerje nën kujdesin dhe kontrollin e personelit mjekësor. Çdo kontroll, duhet të dokumentohet në kartelën mjekësore të të burgosurit, e cila është pjesë e dosjes mjekësore të tij. Personeli i IEVP çdo 6 muaj duhet të plotësojnë vlerësimin e sjelljes për çdo të burgosur që administrohet në dosjen psiko-sociale të tij. Masat disiplinore evidentohen në regjistër dhe në dosjen e të burgosurit. Në shumë raste, furnizimi me shërbimin e Internetit dhe me energji elektrike është po ashtu problematik. Përfitimet që do të marrim nga realizimi i këtij projekti është informatizimi i të gjithë proceseve të punës në sistemin penitenciar përfshirë këtu çdo të dhënë për të dënuarit personelin civil apo me uniforme si dhe aktivitetin financiar dhe magazinat. Informacion të saktë në çdo kohë për të gjitha fushat e mësipërme.
Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve aktualisht lëshon vërtetim për periudhën e vuajtjes së dënimit për shtetasit e interesuar. Ky vërtetim jepet si për të dënuarit politik, ashtu edhe për pjesën tjetër. Një pjesë e këtyre vërtetimeve lëshohen për efekt dokumentesh të cilat kërkohen nga qytetari i interesuar ose nga institucione të ndryshme si Instituti Sigurimeve Shoqërore, Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politike, etj. Për dhënien e këtij shërbimi konsultohet regjistri themeltar i dënimeve politike si dhe regjistrat themeltare për dënimet e tjera.
Programi ka për qëllim njohjen e gjendjes së të dënuarit dhe të çdo informacioni tjetër në mënyrë të plotë dhe në kohë reale në gjithë vendin. Gjithashtu ka për qëllim menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe informatizimin e aktivitetit financiar të sistemit penitenciar. Objektivi • Përmirësimi dhe informatizimi i dosjeve personale të të dënuarve. • Regjistrimi i të dhënave të të dënuarve në vend, krijimi i formave të kërkimit dhe të raportimit, module të tjera si ato të policisë,edukimit,mjeku,psikologu etj. • Informatizimi i aktiviteteve të Financës dhe Kontabilitetit të DPB-së. • Informatizimi i Modulit të Burimeve Njerëzore të sistemit penitenciar. • Informatizimi i shërbimit të vërtetimit për periudhën e vuajtjes së dënimit për shtetasit e interesuar.