Dega e Partisë Demokratike në Elbasan po zhvillon këtë të dielë zgjedhjen e drejtuesit të ri të degës. Në garë janë 5 kandidatë, Lumturi Hasa, Durim Cekrezi, Elior Vila, Sokol Shkëlzeni si dhe Alis Narazani.
Por, teksa ky proces shihet si vendimtar për të ardhmen e degës së PD në Elbasan, anëtarët po përballen me heqjen e emrit të tyre nga listat e anëtarësisë.
Pas denoncimit të anëtares së PD në Elbasan, Doris Madhi, aktualisht drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të qytetit, e cila tha se është hequr nga lista e anëtarësisë pa asnjë njoftim, duket se janë përzënë edhe 3 demokrate të tjera.
Sipas burimeve, nga lista është hequr edhe emri i Rudina Allës, kryetare e forumit demokrat të Gruas; Zheni Gjergjit, pasi ajo u emërua drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit, dhe Alesia Balliut. Kjo e fundit ka shpallur publikisht ambicien për t’u regjistruar dhe për të kandiduar në garën për kreun e PD, përballë Sali Berishës.
Kjo valë përjashtimesh vjen vetëm disa ditë pasi PD përjashtoi si këshilltarë të saj në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgijën dhe Arlind Boshkun, pasi këta të fundit mbështetën lëvizjen e Ervin Salianjit.










