Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me sulmin me gur të makinës së Fatos Lubonjës.
Edhe pse sipas disa mediave personi në fjalë ishte i sëmurë mendor dhe është arrestuar nga policia, për kryetaren e LSI ky ishte një sulm i kryeministrit Edi Rama.
Ajo thotë se agresori është frymëzuar nga shefi i qeverisë. Kujtojmë se vetë Kryemadhi ka qenë në krye të protestave, që prej shkurtit, ku kanë mbetur të palgosur dhjetëra policë e qytetarë, pa llogaritur dëmet materiale.
“Të frymëzuar nga dhuna e pushtetit dhe mbytjes së demokracisë prej atyre që kanë rrëmbyer shtetin, simboli i lirisë së mendimit, Fatos Lubonja është kthyer në viktimë të një sulmi të dhunshëm.
Dënoj me forcë aktin, i cili është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes.
Kjo dhunë ndaj njërit prej përfaqësuesve më të denjë të fjalës së lirë, është paraprirë nga ligji i inkuizicionit ndaj medias së pavarur miratuar nga Qeveria e paligjshme vetëm disa ditë më parë.
Kjo dhunë e ushtruar sot është modeli, që Edi Rama frymëzon çdo ditë me sulmet e tij prej një rrugaçi dhe banditi politik ndaj kritikëve të qeverisë së tepsisë dhe skandaleve.
Dhuna ndaj mendimit të lirë nuk ka vend në demokraci”, shprehet Kryemadhi.
/a.r