Partizani i ka kërkuar Interit huazimin e sulmuesit të ri shqiptar, Rey Manaj. Lajmi është zbukuar nga Sky Calcio, ku gazetari i merkatos, Gianluca di Marzio, ka bërë të ditur se drejtori i të kuqve, Dritan Dervishi, i ka bërë kërkesë zyrtare klubit italian.
Huazimi i Manajt në janar është pothuajse i sigurt, pasi klubi zikaltër dëshiron që ai të fitojë sa më tepër eksperiencë loje diku tjetër, duke qenë se tek Inter hapësirat për të janë të vogla. Megjithatë, sipas Di Marzios, vështirë se mund të realizohet huazimi te Partizani. Në ndjekje të sulmuesit të U21, i cili u thirr edhe nga De Biasi në miqësoren e fundit, janë disa skuadra italiane.
Pavarësisht preferencave, pritet që klubi i Interit të kthehjë nesër një përgjigje zyrtare për kërkesën e Partizanit.