Nga Neritan Sejamini
Fushata e Gjergj Bojaxhiut për Bashkinë Tiranë (2015) mbetet një nga fushatat më të veçanta në tre dekadat e fundit. Ajo nisi vetëm me një ide, pa përgatitje dhe burime paraprake; e nisur nga 4-5 persona, bëri bashkë mbi 200 profesionistë, pa njohje me njëri-tjetrin; u zhvillua e gjitha në rrjetet sociale dhe takime në rrugë; u financua me pak para të ngritura krejtësisht nga dhurime të vogla të qytetarëve, të cilat u bënë transparente publikisht. Rezultati mbetet ende më i miri nga një kandidat jashtë dy partive të mëdha: mbi 16 mijë vota—rreth 5,4% të votave të qytetarëve të Tiranës.
Çfarë nuk dihet në publik janë zhvillimet pas zgjedhjeve. Pasi pjesëmarrësit në fushatë vendosën të krijonin një parti, dolën në pah dy qasje të ndryshme. Një pjesë donte një parti tipike nën udhëheqjen e Gjergj Bojaxhiut; pjesa tjetër donte një organizim politik të ri dhe modern: organizim me forume online dhe klube sociale në vend të degëve, seksioneve dhe hierarkisë së drejtuesve; menaxhim elektronik të komunikimit me anëtarët; vendim-marrje të gjithë anëtarëve për çështjet kryesore; dhe një drejtues partie pa pushtet në vendimet e rëndësishme, me mandat 2 vjeçar, pa përtëritje. Pas debatesh e përplasjesh nervoze, fitoi alternativa e parë e mbështetur në arsyetimin: Bojaxhiu u konfirmua nga vota popullore dhe një parti që lind nga kjo votë duhet të udhëhiqet prej tij.
Grupi që nuk dëshironte një parti me udhëheqës të fortë u tërhoq; grupi tjerët krijoi partinë Sfida për Shqipërinë. Dy vjet më pas, në zgjedhjet parlamentare 2017, ajo mori vetëm 3500 vota në të gjithë Shqipërinë, rreth një të pestën e votave që mori në Tiranë më 2015. Pas këtyre zgjedhjeve partia pushoi së ekzistuari. Me të ishte humbur një mundësi për të sjellë një qasje të re të të bërit politikë në Shqipëri.
Historia e Sfidës për Shqipërinë është historia e zakonshme e partive të reja në 2-3 dekadat e fundit. Me ndonjë përjashtim, ato kanë qenë të gjitha parti të krijuara nga një person (në pak raste 2-3 persona) si mjet për të çuar përpara aspiratat e veta politike. Për këtë arsye, organizimi dhe funksionimi i tyre ka përngjarë më shumë me një projekt personal se sa me një parti politike.
Por kjo prirje nuk ka qënë thjesht shqiptare: pas rënies së komunizmit, kryesisht në Evropë u shfaq një lloj i ri partie, e cila në literaturën politike u njoh me emrin “parti personale” apo “parti personalistike”. Forza Italia e Silvio Berluskonit konsiderohet e para parti personale e tillë në Evropë.
Siç i përshkruan një nga studiuesit kryesorë të tyre, këto parti janë “rasti më ekstrem i personalizimit partiak, i cili mishërohet në kontrollin e plotë nga një udhëheqës individual i partisë që ai vetë ka krijuar”.
Në të vërtetë të gjitha partitë shqiptare janë në thelb parti autokratike—udhëheqësi i çdo njërës vendos drejtimin dhe vizionin e partisë; emëron kandidatët për zgjedhje; shpërndan burimet; dhe ushtron autoritet të plotë mbi të gjithë politikanët e tjerë në partinë e tij. Por partitë personaliste kanë një dallim të rëndësishëm: mbijetesa e tyre është e varur nga burimet personale të themeluesit udhëheqës—aftësitë e tij për të krijuar lidhje, aftësia për të siguruar fonde dhe karizma personale për të tërhequr ndjekës. Për shkak të kësaj varësie, jetëgjatësia e këtyre partive është e lidhur ngushtësisht me udhëheqësin: në momentin që ai tërhiqet, partia pushon së ekzistuari.
Kjo natyra personaliste dhe mungesa e një vizioni serioz përtej ambicjes dhe karizmës personale të themeluesve udhëheqës i ka penguar partitë e reja shqiptare të tërheqin votuesit edhe pse numri i të pakënaqurve me partitë e mëdha është rritur vazhdimisht.
Me përjashtim të Frymës së Re Demokratike, e cila mori mbi 29 mijë vota (rreth 1,7% të totalit) më 2013 dhe të LIBRA-s që mori gati 20 mijë vota (rreth 1,3% të totalit) më 2017, asnjë parti tjetër nuk e ka kaluar deri tani pragun 1% të votës popullore. Aleanca Kuq e Zi më 2013 dhe Nisma Thurje më 2021 kanë rezultatet e tjera më të mira—të dyja morën rreth 10 mijë vota, respektivisht rreth 0,6% dhe 0,7% të totalit të vendit.
Thuajse të gjitha partitë e reja, nga G99 më 2009 tek Lëvizja për Ndryshim më 2021, praktikisht pushuan se ekzistuari pasi udhëheqësit themelues hoqën dorë prej tyre pas dështimit në zgjedhje. Si përjashtim, domethënës, Partitë e vogla tradicionale si PR, PAA, LZHK, PDNJ qëndrojnë ende në këmbë për arsye të koalicioneve me një nga partitë e mëdha që u ka mundësuar zgjedhjen deputet udhëheqësit të tyre.
Me këtë sfond pesimist historik, në zgjedhjet e 11 majit do të kandidojnë një sërë partish syresh të reja: Lëvizja Bashkë, Shqipëria Bëhet, Mundësia, Djathtas 1912, Demokratët Euroatlantikë e disa të tjera.
Deri më tani, të gjitha po ripërsërisin, kush më shumë e më pak, tiparet organizative dhe të njejtën qasje të partive personaliste si ato më sipër. Ato sundohen plotësisht nga themeluesit udhëheqës dhe ofrojnë të vetmen “zgjidhje” që kanë ofruar ato para tyre: ‘ne jemi më të mirë se politikanët e vjetër, prandaj na votoni ne të ndryshojmë Shqipërinë’.
Nuk ka dyshim se, nëse drejtuesit e këtyre partive do ishin deputetë, kjo do pasuronte debatin parlamentar dhe llogaridhënien në Kuvend. Por përtej mundësisë për pasurimin e pluralizmit parlamentar, partitë e reja nuk kanë sjellë standard të ri të demokracisë partiake dhe as qasje të re të të bërit politikë.
Diskursi i tyre publik është variacion i ri i qasjes ankuese: denonco, demasko, sulmo—pa frymëzuar dhe pa ëndërruar. Diskutimi i tyre publik është i zhveshur nga reflektimi dhe nga shpjegimi në themel i problemeve që ka vendi. Askush prej tyre nuk i jep përgjigjie pyetjes themelore: Pse ne jemi këtu? Si kemi arritur në këtë gjendje si shoqëri? Për rrjedhojë, atyre ju mungon një vizion i shëndoshë dhe realist për të dalë nga gjendja ku jemi.
Përballë një shoqërie të zhgënjyer, e cila ka humbur besimin tek politika, partive të reja u mungon përunjësia, u mungon vetëdija kthjelluese se problemet e vendit janë të thella e të vështira e ato nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit nga udhëheqës të mëdhenj. Për këtë duhet zgjimi dhe përpjekje e mbarë shoqërisë për të ndryshuar. Roli i udhëheqësve politikë është të nxisin këtë zgjim dhe të frymëzojnë këtë përpjekje për të ndryshuar.
Askush nuk pret që partitë e reja të fitojnë zgjedhjet apo të rrëzojnë qeverinë. Por shumëkush pret që ato të sjellin një kthesë në politikën shqiptare: të vendosin një standard modern dhe perëndimor të funksionimit partiak dhe të bërjes politikë në Shqipëri. Këtë standard nuk e sjellin dot as PD dhe as PS; atë mund ta sjellin vetëm ato. Nëse nuk e bëjnë këtë kthesë, e cila varet vetëm prej tyre, ato nuk mund të zgjidhin problemet e Shqipërisë të cilat janë përtej tyre.
Prandaj, edhe pse janë parti të reja, ato duhet të ndryshojnë! Vetëm duke sjellë një mënyrë të re të të bërit politikë ato mund të thyejnë më 11 maj “mallkimin” historik të dështimit të partive të reja.