Partia Liberale e Kanadasë, e udhëhequr nga Justin Trudeau, ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e së hënës, duke rrëzuar qeverinë e konservatorëve të kryeministrit Stephen Harper, raporton “Reuters”.
Pas 9 vitesh, kanadezët vendosin që të largojnë nga pushteti Partinë Konservatore, e cila tashmë është partia e dytë më e madhe në vend, ose e para në opozitë. Partia Demokratike e Re besohet se është radhitur e treta, transmeton rel.
Rezultatet paraprake flasin për një fitore të madhe liberalëve, pasi shifrat flasin për një shumicë absolute në Parlamentin me 338 ulëse. Menjëherë pasi janë shfaqur rezultatet paraprake, në kampin e liberalëve ka filluar festa, ndërsa te konservatorët mbështetësit e kanë pritur me qetësi. Kryeministri në detyrë, Harper pritet t’ju drejtohet atyre me një fjalë.
Trudeau ka premtuar se do të angazhohet për të forcuar marrëdhëniet me administratën e Obamas, do të tërhiqet nga luftimet kundër Shtetit Islamik si dhe do të bëjë më shumë për ndryshimet klimatike.