Nga Ben Andoni
Është e lehtë ta vësh tashmë me shpatulla pas muri kryetarin e Opozitës shqiptare. Edhe pse, s’ka qenë aspak më e vështirë përpara dhe pak më përpara akoma. Si pakherë ndodh që historia e një force politike të startojë në një orë dhe në një hap me historinë e re të vendit, do të thoshte kryetari i tanishëm i PD-së, Lulëzim Basha në 25-vjetorin e partisë. Fjalë të mëdha dhe boshe, sepse ato i zhgënjeu realisht i gjithë entourage i PD-së në dy dekadat e fundit. Ndaj ka ndodhur, që një aset i përmasave të tilla si PD, të një populli të zhuritur për liri politike, të katandisej në këtë cak, ku ndodhet sot PD-ja. Dhe, fjalët patetike të Bashës se mbulojnë dot realitetin e një partie krejt të pavlerë dhe mbi të gjitha pak të besueshme për njerëzit, mbi të gjitha vetë anëtarët e PD-së, të cilët nuk kërkojnë më slogane, por alternativa reale dhe vizion.
Humbja e radhës në Dibër ka qenë një paralajmërim i dhimbshëm dhe krejt i fundit për të gjithë ata, që presin me sytë në ndryshim. Një i tillë që nuk vjen kryesisht falë miopisë dhe mungesës totale të vizionit të vetë liderit të opozitës, i cili ka dështuar realisht në krye të tre dikastereve dhe bashkisë më të madhe të vendit. Në vend të vizionit të qartë, në të gjithë këto vjet, ai na ka shpalosur kredo morale false, për të cilat edhe vetë po të ishte më i natyrshëm, do t’i kuptonte se janë të tepërt për një popull, që është i mbushur me probleme dhe që pret një alternativë më të besueshme. Kredot, kauzat janë, aksioni i tij mungon.
25 vjet më parë shqiptarët i dhanë gjithçka PD-së, pasi njerëzit që e themeluan (shumica syresh nuk janë më) i shpalosën shpresën, ndryshimin, reformat reale, pastërtinë dhe mbi të gjithë Shqipërinë e denjë për familjen evropiane, por Basha jo më pak se paraardhësi i tij Berisha dhe jo larg madje edhe nga kryeministri aktual nuk mundën t’ia japin. Anëtarësimet tona në subjektet e ndryshme nuk janë fryt i politikës, sesa dashamirësisë së strukturave ndërkombëtare për t’i nderuar shqiptarët për vuajtjen dhe përpjekjen për demokratizim.
PD-ja kishte avantazhin më të madh që ta bënte ndryshimin, falë adhurimit masiv në popull, por mbi të gjitha platformës që paraqiti në fillimet e veta. Kurse Berisha, përgjatë drejtimit të partisë, i dha hijen e vet, një e tillë që mënjanoi shumë nga themeluesit e vërtetë, por mbi të gjitha e një partie, që nuk e kaloi atë që prisnin njerëzit prej saj.
Lulëzim Basha, nga ana e tij, i dha zhgënjimin më të madh elektoratit të vet, jo shumë kohë pas postit që iu dhurua, ku nuk arriti të ngrejë dot kurrë figurën e tij si lider, kur nuk bëri dot një grup aktiv që të shprehte interesat e masës së PD-së, e mbi të gjitha nuk diti të çojë në fund një kauzë.
Sot, Basha është bërë i dhimbshëm për sintaksën politike të sforcuar që përdor, me gjuhën e trupit aq të vetëkënaqur dhe boshe, ngarendjen të dalë para të gjithë të tjerëve duke u përpjekur me ngulm të lerë në hije njerëzit e tjerë të Opozitës, për të cilët ka nevojë për këshillë dhe më shumë nga të gjitha për bashkëpunim. Dhe, s’mbaron këtu: Muaj më parë e tepron në zgjedhjet e bazës, bën zgjedhje fiktive dhe ngre seksione që nuk ekzistojnë. Mbi të gjitha, PD me gjithë ato motive që jep qeverisja aktuale, nuk arrin dot të drejtojë si duhet një protestë masive. Pothuaj ka gati gjithçka vetëm lidërshipin jo, që është i ngujuar në Godinën, që ia blatoi ai partisë. Kjo është mbase merita më e madhe e tij, pasi një parti që fshihet mes hijes aktive dhe lajmeve kibernetike të Berishës dhe sloganeve të zbërdhylta të veta, është e destinuar të humbë. Jo sepse, fajtorët e zgjedhjeve të humbura në PD nuk dalin kurrë, apo se gafat e njerëzve të PD-së, siç kanë ndodhur në zgjedhje dhe madje edhe në këto të fundit, nuk dënohen askurrë, por se mungon krejtësisht vizioni për atë që kanë nevojë shqiptarët.
Me pak fjalë, në stadin që PD-ja ndodhet, me humbjen e shumë kauzave, që fillojnë nga ajo e pronave që nuk e zgjidhi si duhet problemin jetik kombëtar, të përndjekurit, hapjen e dosjeve të spiunëve, drejtësinë, tregon se PD-ja e 25 viteve e mbylli misionin. Tashmë, kërkohet realisht, rithemelimi i një partie të re me njerëzit e saj, që të ketë realisht një kryetar, që të ketë struktura dhe një ideologji, që të shprehë interesat e PD-istëve, që për hir të së vërtetës i ka lodhur megalomania e kryeministrit dhe euforia qesharake e shumë njerëzve të tij, që rrinë thjesht në hijen e Ramës. Dhe, s’ka kohë. Që të dielën PD-ja ka humbur me votimet e Dibrës dhe ato të përgjithshme të vitit të ardhshëm. I mbetet, të mendojë për një parti të re për zgjedhjet lokale. Kaq i mbetet, veç sloganeve dhe bejteve, me të cilat bën duele të shpifura çdo të enjte me kryeministrin Rama, duke kujtuar se bën opozitë.
Shumë parti kanë lindur dhe kanë vdekur përgjatë historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar. Disa me turp. Disa sepse iu erdhi dhe iu vjen dita, ka thënë Basha në përvjetorin e Partisë. Me sa duket, PD-së i ka ardhur koha jo të vdesë mbase por të rithemelohet nga ata që u dhimbet vërtetë elektorati i PD-së dhe jo i njerëzve të ngopur, që akoma e sundojnë Partinë Demokratike, me hijen e munguar të Bashës. (Javanews)