Nga Vilant Xhori
Tashmë duket qartë se takimet e Ervin Salianjit në qytete të ndryshme të vendit po shndërrohen në një fenomen politik vështirë për t’u injoruar.
Pjesëmarrja e lartë, energjia e dukshme dhe ndërveprimi intensiv me mbështetësit krijojnë perceptimin e një lëvizjeje që nuk kërkon thjesht prezencë, por synon të formësojë opozitën si alternative konkurruese.
Në kontrast, foltoret e Berishës ngjajnë gjithnjë e më shumë me rituale nostalgjike, ku e shkuara flet për veten dhe e ardhmja mungon.
Një episod domethënës e përforcon këtë përshtypje: ndërsa një takim i Salianjit në Lezhë u ndoq drejtpërdrejt në rrjetet sociale nga mbi 2 600 qytetarë, një dalje paralele e Berishës në Tiranë u ndoq nga vetëm 166 të tillë.
Në politikë, numrat nuk janë vetëm statistikë, por edhe simptoma paralajmëruese të ndryshimeve që pritet të vijnë.
Takimi i radhës i Salianjit në Berat u shoqërua nga një reagim i menjëhershëm i grupimit të vulës, i cili theksoi se aktiviteti “nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe i shërben Edi Ramës dhe qeverisë së tij”.
Për më tepër, ditë më parë, Sali Berisha deklaroi se Ervin Salianji është një “fatkeq i përdorur nga Rama”.
Një fjali që, për nga përmbajtja nuk kishte nevojë për autorësi sepse përfaqson një shprehje standarde të dëgjuar ndër vite nga Berisha për të gjithë ata që nuk i ka në rresht.
Por, është tejet e freskët në kujtesën e demokratëve ajo që Berisha ka thënë për Salianjin pak muaj më parë.
Ai e quante Salianjin martir, hero të betejës kundër krimit të organizuar, madje të denjë për dekoratë për shkak të burgut politik.
Atëherë Salianji ishte simbol i sakrificës, kurse sot, papritur, është viktimë naive në duart e kundërshtarit.
Kjo vetëm dhe vetëm se Salianji po kërkon analizë të thellë, standard gare dhe reformim për ta bërë Partinë Demokratike fituese. Dhe Berisha për këtë i frikësohet lëvizjes së Ervin Salianjit.
E thënë më qartë, lëvizja e Salianjit duket se tremb edhe për shkak të analizës që kërkon, edhe për shkak të tezave reformuese që prezanton, por edhe për shkak të precedentit që krijon.
Një precedent ku gara kërkohet si standard dhe jo thjesht si privilegj. Ky është një precedent ku energjia e terrenit vlen më shumë se autoriteti i trashëguar nga pushteti i së shkuarës.
Dhe precedenti është porta që hapet me vullnet, por që shpesh mbyllet mbi vetë autorin e saj.
Në këtë sfond, rikthimi te 8 janari 2022 merr një kuptim të ri.
Atë ditë, Partia Demokratike e Shqipërisë u shndërrua nga subjekt politik në arenë demonstrimi force.
Një seli e rrethuar, një parti e ndarë, një lider historik që vendosi të rimarrë me forcë atë që e konsideronte të tijën. Sot ironia është se e njëjta logjikë rrethimi mund të kthehet si bumerang.
Nëse energjia që ka zgjuar lëvizja pro Salianjit përjashtohet nga gara për lidership, atëherë përvjetorët nuk do të jenë më kujtesë simbolike, por dëshmi e një krize që kërkon të zgjidhet.
Demokratët që dikur u thirrën të “çlironin” selinë, mund të ndihen të thirrur ta rishikojnë sërish drejtimin e saj.
Atëhere beteja u zhvillua për vulën, tashmë betajat po zhvillohen për besimin.
Dhe kur baza fillon të lëvizë me një ritëm tjetër nga kupola, është tashmë e provuar se e ardhmja nuk favorizon ata që mbyllen brenda.











