Ish-presidenti i Klubit Partizani, Paro Laçi ka hedhur dritë mbi disa nga episodet më të errëta të politikës shqiptare, duke bërë deklarata të forta për rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha në korrupsion, eliminime politike dhe skandale shtetërore. Nga urdhrat për vrasje te lidhjet me spiunazhin serb dhe grek, Laçi sjell dëshmi tronditëse për Berishën ekskluzivisht për gazetën “SOT”.
Zoti Laçi rrëfen sesi është kërcënuar për të mos denoncuar aferën e kompleksit “Partizani”, sesi është përballur me presionet e strukturave shtetërore dhe si Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për këto çështje. Ai deklaron se nuk ka frikë dhe do të vazhdojë të denoncojë çdo padrejtësi. Ndërkohë gjatë intervistës për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliaman, zoti Paro Laçi zbardh të fshehtat tronditëse të masakrës së “21 janarit”, teksa tregon pse ndodhën vrasjet. Sipas tij, Berisha zbatoi në 2011 urdhrat që mori nga spiunazhi serb dhe grek në ’97.
-Z. Laçi, keni dëshmuar në SPAK disa episode se si jeni kërcënuar në emër të Berishës nga familjarë të tij, por edhe nga të gjitha strukturat e shtetit, përfshirë policinë dhe ministrat, për t’u larguar nga ish-kompleksi Partizani. A ndiheni edhe sot i rrezikuar pasi keni folur dhe keni denoncuar hapur aferën që mund të fundosë familjen Berisha?
Pasi jam ftuar në një emision televiziv dhe kam denoncuar aferat që Sali Berisha ka bërë me kompleksin Partizani, menjëherë jam kontaktuar nga prokurorët e SPAK. Jam paraqitur në mëngjes dhe jam pyetur për 4-5 orë. Kam dhënë të gjithë dëshminë time, e cila është në dosjen hetimore. Kam paraqitur fakte dhe emra konkretë për këtë skandal. Teorikisht, është një korrupsion i hapur i Berishës me aferën “Partizani”. Ai e ka marrë në mënyrë të dhunshme me ato vendime qeverie, si edhe me policinë e shtetit. SPAK duhet të thellohet edhe më shumë në këtë çështje. Ne kemi protestuar që ato fusha të mos merreshin. Unë i kam denoncuar edhe në prokurorinë e atëhershme. Jam kërcënuar hapur, ku më është thënë se ekziston një rrezik real për jetën time nëse vazhdoj të denoncoj. I kam denoncuar edhe në Facebook-un tim në vitin 2011 këto dokumentacione, të cilat sot janë fakte për SPAK. Kam publikuar vendime të qeverisë dhe mënyrën se si kanë grabitur tokën.
Pa qenë e tyrja, janë dëmshpërblyer njëherë. Janë shfaqur si të ndihmuar nga babai i nuses. “Babi” Berisha ka bërë çdo gjë për familjen e tij. Korrupsion më të hapur shtetëror nuk ka pasur ndonjëherë si kjo aferë, për aq sa mbajmë mend. Jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe në shtete që kemi lexuar e studiuar dhe njohim politikat e tyre. Korrupsion më madhor nuk ka pasur ndonjëherë. Të gllabërosh me polici, të thyesh zyrat – këtë e kam denoncuar në prokurorinë e asaj kohe. Më thanë që vajza e Berishës ishte e përfshirë në këtë aferë. Jemi kërcënuar kudo. Janë kërcënuar lojtarët. Ndihej frika e pushtetit. Janë kërcënuar tifozët. Në artikujt e asaj kohe janë shkruar kërcënimet që iu janë bërë tifozëve nga policia. Nuk merreshin vetëm me mua si drejtues, por edhe me ekipin. Bashkia drejtonte klubet. Kudo që ishin bashkitë subjekt i PD-së, sigurisht që ka pasur një urdhër personal nga Berisha. Tifozët vinin për mbrojtje të terreneve me parulla të shkruara: “Ju nuk jeni kurrë vetëm”. Unë jam kërcënuar pa fund. Kam marrë kërcënime të shumta, por nuk i përfill fare.
Po të më kishit drejtuar pyetjen “A keni frikë?” – kurrë nuk kam frikë nga e drejta. Do të denoncoj çdo gjë. Kam dalë hapur duke denoncuar padrejtësitë që janë bërë me kompleksin Partizani, mënyrën se si është grabitur fusha, me emra dhe mbiemra. Kush na ka kërcënuar? Duke filluar nga ministria e asaj kohe. Dihet shumë mirë si Ben Imami mori detyrën si ministër. Dihet shumë mirë pse u shpërblye Xhemal Gjunkshi. Dihet shumë mirë pse u kërcënua dhe u përzu gjenerali që nuk firmosi për kompleksin Partizani, pasi ajo nuk ishte në ngarkim të ushtrisë si mjet ndihmës. Ajo ishte pronë e ushtrisë dhe e kishte ekipi Partizani në përdorim që prej ndërtimit të atij kompleksi. Nuk mund të jepte dikush diçka që nuk e kishte, sepse ajo nuk ishte pjesë e luftës, e mbrojtjes apo e ushtrisë për mjete ndihmëse, punime bunkerësh apo tunelesh. Ishte thjesht një ambient sportiv, të cilin Berisha e gllabëroi tërësisht. Berisha nuk dëmtoi vetëm Partizanin, por edhe volejbollin, basketbollin, mundjen.
-Tashmë SPAK ka hapur hetimet për lidhjet korruptive të Sali Berishës me Damir Fazlliç. Altin Dumani po heton akuzat për pastrim parash, miliona euro nga off-shore te studioja e familjes Berisha, aferën e tokave në Porto Romano dhe mënyrën se si u përfituan 1.1 milionë euro. Si e komentoni këtë lëvizje të SPAK? A ka prova që mund të tronditin pozitat e Berishës, apo kreu i PD-së i ka zhdukur?
Sa për aferat korruptive të familjes Berisha, përshëndes dhe përgëzoj SPAK-un që po merret edhe me aferat serbe të familjes Berisha, si rasti i Damir Fazlliç. SPAK i ka të qarta krimet kundër njerëzimit që ka kryer Sali Berisha. Ai ka bërë më shumë se një vrasje, jo në mënyrë direkte, por të porositura. Ai ka dhënë urdhër dhe ka inkurajuar Gardën që të vriste njerëz. Garda e Republikës nuk ka të drejtë të hapë zjarr, edhe nëse protestuesit tentojnë të hyjnë brenda rrethimit të gardës. Vetëm nëse ata janë të pajisur me armë zjarri dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për kryeministrin, punonjës të tjerë apo vetë gardistët. Në këto rrethana, unë si ish-gardist në ’97 nuk kemi pasur kurrë urdhra për të hapur zjarr. Ne gjithmonë kishim urdhër që në mënyrë fizike të mbronim presidentin e asaj kohe.
Duhet të jetë e mirëvrojtuar nëse ka persona të armatosur. Edhe në rast se ata do të hynin në ambientet e Kryeministrisë, ka mënyra të tjera për t’i ndaluar. Urdhrat që janë regjistruar më 21 janar janë dhënë drejtpërdrejt për të vrarë. Pse u dhanë këto urdhra? Berishës që në ’97 i është thënë shpeshherë nga rrjetet e spiunazhit serb ose grek se ai duhej të vriste 4 persona në Vlorë për të mbajtur pushtetin. Dhe fiks 4 persona vrau në mes të Tiranës për të mbajtur pushtetin me gjak, duke derdhur gjak në mes të bulevardit. Sali Berisha ka bashkëpunuar me njerëz që i ka vendosur në detyrë enkas për të zhdukur prova, siç është rasti i kompleksit Partizani dhe aferat e tjera korruptive. Për kompleksin Partizani, Berisha vendosi Arben Imamin, Gjunkshin dhe çoi për kontroll persona që përfitonin si pseudo-ish pronarë, ndonëse aty nuk ka pasur pronarë. Dihet shumë mirë se ajo tokë është shitur dhe blerë nga Italia fashiste, nga qeveria e asaj kohe e Shefqet Vërlacit, dhe është paguar me monedha floriri. Ka qenë pronë e shtetit shqiptar. Shpresojmë që SPAK, me mënyrat e tij të specializuara, të kërkojë këto dokumentacione, edhe nëse janë zhdukur.
-Keni deklaruar së fundmi se Sali Berisha donte të vriste Ilir Metën. Sot pas shumë vitesh ai kërkon ta fusë në lista të sigurta nga burgu për zgjedhjet e 11 majit. Pse ky bashkëpunim i Berishës dhe Metës, kur ata ndër vite kanë shkëmbyer akuza të llahtarshme mes tyre, qe nga grabitja e floririt, e deri te akuzat se janë implikuar ne vrasje?
Sali Berisha ka dhënë urdhër që Meta të vritej në Bruksel. Po të ishte realizuar, do të kishte qenë një krim politik. Ilir Meta ishte kryeministër në atë kohë, kur persona të ngarkuar të spiunazhit shqiptar, të lidhur me shërbime të huaja, dhanë informacion të sigurt për këtë atentat. Ambasada shqiptare dhe konsulli i asaj kohe, bazuar në informacionin e marrë, i shkruan shërbimeve sekrete shqiptare dhe shtetit belg se pritej të ndodhte diçka për eliminimin e një kryeministri. Meta nuk udhëtoi sepse ishte i mirëinformuar se do të vritej. Janë kërcënuar edhe figura të tjera si Genc Pollo dhe ish-kryetarë partish në atë kohë. Organizimi për atentatin ishte i mirëfilltë, me makina të blinduara dhe njerëz të armatosur që kontrollonin aeroportin dhe delegacionin.
Qëllimi ishte atentati ndaj Metës me urdhër të Berishës. Po ashtu, Berisha ka dhënë urdhër për të vrarë Neritan Cekën dhe Ilir Metën – këtë ma ka komunikuar mua personalisht. Berisha synonte gjithashtu eliminimin e Rexhep Mejdanit, pasi ky i fundit do të merrte postin e Presidentit. Ai donte ta vriste për të bërë presion që pasardhësi i tij të kishte të njëjtin fat. Në atë kohë, “Zëri i Amerikës” raportoi për rrëmbimin dhe hedhjen e makinës së Mejdanit në majë të Kërrabës. Ish-sekretarin e tij të besuar Berisha e eliminoi në mënyrë misterioze me substanca të panjohura (kokrra ngjyrë jeshile e hapur). Berisha gjithmonë gjente njerëz për të realizuar qëllimet e tij./ gazetasot