Policia spanjolle mundi të parandalojë disa sulme terroriste që ishin planifikuar nga pjesëtarët e ISIS.
Tre spanjollë me prejardhje marokene, të dyshuar se kanë lidhje me Shtetin Islamik, janë arrestuar nga policia në Madrid, nën dyshimet se po përgatisnin sulme terroriste në vend.
Ministri i Brendshëm spanjoll, Jorge Fernandez, ka thënë se të dyshuarit po bëheshin gati të kryenin një seri sulmesh, përfshi atentate me thikë, të ngjashme me ato që së fundmi janë kryer në Izrael nga militantët palestinezë.
Ministri Fernandez ka thënë se të arrestuarit akuzohen edhe për rekrutim të të rinjve që dëshirojnë t’i bashkohen Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.
“Deri tani, në katër vitet e fundit, autoritetet spanjolle kanë ndaluar 171 të dyshuar për terrorizëm”, ka thënë Fernandez.