Në bazë të ligjit, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin, mbi rregullat e hollësishme që ndiqet nga çdo person, për deklarimin në kufi dhe masat administrative për moszbatimin e ligjit.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, çdo person, i cili hyn në/ose largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të bëjë deklarimin, në bazë të ligjit, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar. Deklarimi paraqitet nga: personi që shoqëron ose përfaqësuesi që transporton me rrugë tokësore, ajrore, detare ose shërbime postare sendet, si më poshtë vijon: Para fizike; Çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit; Metale ose gurë të çmuar; Sende me vlerë; ose objekte antike, me një vlerë të kombinuar prej të paktën 10 000 (dhjetë mijë) eurosh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera.
Deklarata plotësohet me shkrim ose në mënyrë elektronike nëpërmjet modulit të sistemit informatik doganor dhe i dorëzohet autoriteteve doganore në pikat e kalimit kufitar.
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PROCEDURËN E DEKLARIMIT NË KUFI DHE VENDOSJES SË SANKSIONEVE ADMINISTRATIVE NGA AUTORITETET DOGANORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 5, të nenit 17/1, të ligjit nr.9917 datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka si qëllim miratimin e rregullave të hollësishme për procedurën që ndiqet nga çdo person, përfshirë përfaqësuesit e tyre për deklarimin në kufi dhe kur mosdeklarimi përbën vepër penale trajtimin e rastit, sipas Kodit të Procedurës Penale, si dhe paralelisht për vendosjen e sanksioneve me natyrë administrative nga autoritetet doganore, në zbatim të nenit 17/1, të ligjit nr.9917/2008, të ndryshuar.
2. Në përmbajtje të këtij projektvendimi, termat “metale dhe gurë të çmuar”, “objekte antike”, “para fizike” dhe “instrumente të negociueshme të mbajtësit” kanë të njëjtin kuptim me përkufizimet e dhëna në sistemin e harmonizuar për përshkrimin dhe kodifikimin e mallrave dhe ligjin nr.9917/2008, të ndryshuar.
3. Çdo person, i cili hyn në/ose largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të bëjë deklarimin, sipas pikës 1, të nenit 17/1, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar. Deklarimi paraqitet nga:
a) personi që shoqëron ose përfaqësuesi që transporton me rrugë tokësore, ajrore, detare ose shërbime postare sendet, si më poshtë vijon:
i. Para fizike;
ii. Çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit;
iii. Metale ose gurë të çmuar;
iv. Sende me vlerë; ose
v. Objekte antike, me një vlerë të kombinuar prej të paktën 10 000 (dhjetë mijë) eurosh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera.
b) personi që zotëron ose posedon sendet e përmendura në shkronjën “a”, të kësaj pike, i cili i shoqëron këta artikuj dhe është subjekt sipas nenit 3, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar; ose
c) përfaqësuesi i personit që zotëron ose posedon sendet e përmendura në shkronjën “a”, të kësaj pike, dhe/ose përfaqësuesi ose personi që i zotëron ose i kontrollon dhe është subjekt sipas nenit 3, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.
4. Deklarata plotësohet me shkrim ose në mënyrë elektronike nëpërmjet modulit të sistemit informatik doganor dhe i dorëzohet autoriteteve doganore në pikat e kalimit kufitar.
5. Detyrimi për deklarim konsiderohet i kryer vetëm nëse informacioni i dhënë është i plotë, i qartë dhe i saktë, si dhe pasi të jenë vendosur në dispozicion për inspektim ose kontroll sendet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij vendimi.
II. MASAT QË MERREN NGA AUTORITETI DOGANOR
6. Kryetarët e degëve doganore përcaktojnë ambientet që do të jenë në dispozicion për të garantuar sigurinë e parasë fizike dhe sendeve me vlerë që janë objekt i sanksionit për mosdeklarim.
7. Autoritetet doganore pas plotësimit të formularit të deklarimit vullnetar ose jovullnetar, si dhe të dokumenteve shoqëruese të tij, bëjnë depozitimin e tyre, përfshirë këtu të dhëna të tjera shtesë, sipas rastit, dhe raportojnë në rrugë elektronike pranë DPPPP-së, çdo 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune, pas regjistrimit të veprimit. Depozitimi/raportimi bëhet elektronikisht deri në momentin që do të kalohet në aksesin on-line.
8. Autoritetet doganore për çdo dyshim, sinjalizim, njoftim ose të dhëna që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe/ose financimin e terrorizmit, pas regjistrimit të veprimit, i dërgojnë DPPPP-së, në rrugë shkresore, brenda 72 (shtatëdhjetë e dy) orësh, raportin e aktivitetit të dyshimtë, si dhe të gjithë dokumentacionin për transaksionin e kryer dhe të dhëna për personin që kryen transaksionin.
9. DPPPP-ja, për të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD), si raporte të aktivitetit të dyshimtë, të përmendura në pikën 8, të këtij kreu, si dhe për rastet e tjera të riskut të evidentuara nga vetë DPPPP-ja, informon për çdo rast DPD-në për rezultatet e arritura, me qëllim zbatimin nga kjo e fundit të masave të kontrollit për të zbutur, menaxhuar ose testuar këto risqe dhe vazhdimin e procedurave të mëtejshme administrative dhe penale.
10. Në rastet kur konstatohet mosdeklarim në kufi, sipas vlerës së parashikuar nga ligji, autoriteti doganor ose/dhe në bashkëpunim me strukturën e shërbimit të policisë gjyqësore përkatëse në Policinë e Shtetit marrin masa, që krahas trajtimit të rastit, sipas dispozitave të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, paralelisht të vendosin gjobën administrative, sipas nenit 17/1, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar, nëpërmjet kryerjes së procedurës së mëposhtme:
10.1. Nëpunësi doganor konstatues duhet të njoftojë menjëherë për ngjarjen përgjegjësin e turnit/zyrës doganore kompetente dhe në vijim kryetarin e degës doganore kompetente, ku ky i fundit njofton shefin e Departamentit Operativ Hetimor (DOH), i cili ia dërgon kryerjen e veprimeve të mëtejshme strukturës përkatëse të hetimit doganor.
Në vijim, Drejtoria e Hetimit Doganor, nëpërmjet një punonjësi që ka atributet e oficerit të policisë gjyqësore, kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale, ku, nëse është e nevojshme bashkërendon punën sipas kreut IV, të këtij vendimi, me strukturën përkatëse të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit dhe në përfundim çështjen ia referon prokurorit të prokurorisë kompetente, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurës Penale.
10.2. Në këto raste, punonjësit e zyrës doganore kompetente, krahas veprimeve të kryera nga strukturat e tjera hetimore, çështjen e shqyrtojnë administrativisht, duke përpiluar të gjitha aktet përkatëse, si më poshtë vijon:
a) “Aktin e konstatimit/bllokimit”, i cili është sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) “Procesverbalin për evidentimin fizik të parasë dhe sendeve me vlerë të konstatuara/bllokuara”, i cili është sipas aneksit 1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për këtë qëllim:
i. në lidhje me kartëmonedhat e vjetra, në paketim macete ose tjetër, shënohet një numër i rastësishëm i numrave serialë përafërsisht, në raportin një numër serial për pesëdhjetë kartëmonedha;
ii. në lidhje me kartëmonedhat e reja në maceta të përgatitura dhe të nxjerra regjistrohet numri serial në krye dhe në fund të çdo macete, së bashku me rezultatet e kontrollit vizual të kartëmonedhave, brenda macetës për të siguruar rendin e vazhdueshëm numerik;
iii. në lidhje me konstatimet që përfshijnë një kombinim të kartëmonedhave të reja dhe të vjetra, siç përshkruhet në nënndarjet “i” dhe “ii” më sipër, bëhet një qasje e kombinuar, e përcaktuar në mënyrë proporcionale me kombinimin e kartëmonedhave të përshkruara më sipër;
iv. bëhen fotografi të parasë fizike në veçanti:
– një foto që tregon mënyrën e mbajtjes ose transportimit të parasë fizike;
– një foto që tregon macetat e parave, së bashku me një vizore për matje standarde;
– një foto që tregon qartë prerjet ose valutat e parave;
– një foto që tregon, nëse ka fashetën e institucionit financiar ose lidhje të tjera që përdoren për të krijuar macetat e parasë.
v. bëhen fotografi të sendeve me vlerë për të treguar paketimin e përdorur për të mbajtur ose transportuar sendet me vlerë dhe objektet aktuale të padeklaruara, sipas ligjit.
vi. bëhet një përshkrim i detajuar i sendeve të tjera me vlerë dhe përshkrimi të përafrohet me fotot.
c) “Deklarimet e transportuesit ose pronarit të parasë fizike dhe/ose sendeve me vlerë”, që janë sipas aneksit 1/2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10.3. Nëpunësit doganorë marrin parasysh:
a) sasinë e përgjithshme të parasë fizikë dhe sendeve me vlerë, e krahasuar me pragun e deklarimit, duke kryer të gjitha verifikimet, sipas ligjit;
b) çdo dëshmi që transportuesi ose pronari ka gënjyer për paranë fizike dhe sendet me vlerë që të shmangë deklarimin;
c) çdo dëshmi për të mbështetur fshehjen me dashje të parasë fizike dhe sendeve me vlerë për të shmangur konstatimin nga autoritetet (nga Policia e Shtetit ose autoritetet doganore);
ç) prova rrethanore për të mbështetur faktin që transportuesi ose pronari duhej të kishin dijeni për detyrimin për të deklaruar paranë fizike dhe sendet me vlerë, p.sh. historikun e udhëtimit të shpeshtë në/ose jashtë Republikës së Shqipërisë;
d) çdo shpjegim fillestar, nëse ka, në lidhje me origjinën dhe përdorimin fundor të parave dhe sendeve me vlerë; dhe
dh) çdo rrethanë tjetër që do të bënte që autoritetet doganore të dyshojnë që paraja fizike dhe sendet me vlerë përfaqësojnë produkte të krimit që nxirren nga/ose futen në juridiksionin e Republikës së Shqipërisë.
10.4. Nëpunësit doganorë përkatës mbajnë një “Procesverbal për verifikimin e kundërvajtjeve administrative”, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
a) Procesverbali është në katër kopje dhe shpërndahet, si më poshtë vijon:
i. Një kopje i jepet pronarit/transportuesit të parasë fizike dhe sendeve me vlerë (edhe nëse kanë refuzuar të nënshkruajnë dokumentin);
ii. Një kopje për Policinë e Shtetit;
iii. Një kopje për prokurorinë; dhe
iv. Kopja origjinale mbahet në dosjen e autoritetit doganor në lidhje me incidentin.
10.5. Formularët sipas anekseve 1, 1/1, 1/2 dhe 2, pas plotësimit duhet të nënshkruhen, si më poshtë vijon:
a) Formularët nënshkruhen nga nëpunësi doganor konstatues, përgjegjësi i turnit/zyrës ose nëpunësi i caktuar prej tij, si dëshmitar;
b) Transportuesit ose pronarit të parasë fizike dhe sendeve me vlerë i kërkohet të nënshkruajë formularët nëse dëshiron dhe beson se detajet e regjistruara janë të sakta;
c) Nëse pronari/transportuesi refuzon të nënshkruajë formularët, duhet të bëhet një shënim në to për refuzimin. Nëse transportuesi ose pronari beson se formularët përmbajnë informacion dhe material që nuk është i saktë, ata mund ti shënojnë këto vërejtje në pjesën e duhur të formularëve.
10.6. Kur një ose me shumë shkelës apo dëshmitarë janë shtetas të huaj, intervista bëhet në prani të një përkthyesi, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit të Procedurës Civile.
10.7. Formularët e plotësuar së bashku me dokumentacionin shoqërues i dorëzohen pa vonesë kryetarit të degës doganore kompetente, i cili merr vendim në përputhje me pjesën III, të këtij vendimi.
III. VENDIMMARRJA DHE MASAT VIJUESE
11. Kryetari i degës doganore kompetente, brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga momenti i mbajtjes së procesverbalit të verifikimit të shkeljes, bën verifikimin në sistemin informatik doganor, nëse shkelja është e përsëritur dhe merr vendimin përkatës, një kopje të të cilit ia njofton menjëherë kundërvajtësit.
12. Sistemi informatik doganor përdoret si bazë për të përcaktuar nëse kundërvajtësi ka historik të kësaj kundërvajtjeje.
13. Ankimimi dhe vjelja e gjobës bëhet sipas ligjit për kundërvajtjet administrative.
IV. BASHKËPUNIMI NGA POLICIA E SHTETIT DHE NJOFTIMET RECIPROKE
14. Në ndihmë dhe mbështetje të autoritetit doganor, organet e Policisë së Shtetit me iniciativë, në rast se vihen në dijeni të një rasti mosdeklarimi të parasë fizike dhe sendeve me vlerë, siç kërkohet nga ligji, njoftojnë menjëherë degën doganore kompetente, duke ia referuar asaj çështjen dhe duke i vënë në dispozicion të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin lidhur me shkeljen.
Njoftimi përmban informacion të detajuar për shkeljen, për të cilën është ndaluar/arrestuar transportuesi ose pronari me qëllim plotësimin e formularëve nga autoriteti doganor, sipas anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi, si edhe detaje për vendndodhjen dhe sasinë e parasë fizike dhe sendeve me vlerë, të cilat janë konstatuar/sekuestruar si provë materiale.
15. Në rast se kërkohet nga autoriteti doganor, Policia e Shtetit ofron gjithë ndihmën e nevojshme për zbatimin e masave.
16. Autoritetet doganore njoftojnë menjëherë organet e Policisë së Shtetit në lidhje me masat që do të merren ndaj shkeljes së mundshme të detyrimit për të deklaruar paranë fizike dhe sendet me vlerë.
V. REGJISTRIMI I SHKELJEVE
17. Të gjitha të dhënat në lidhje me mosdeklarimin e parasë fizike, instrumenteve të negociueshme të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike regjistrohen në “Sistemin e automatizuar të të dhënave- Asycuda World”. Ky veprim duhet të kryhet brenda 24 (njëzet e katër) orëve, kohë gjatë cilës merr vendim kryetari i degës doganore kompetente, duke konfirmuar gjobën dhe vendimin.
Deri në momentin që do të mundësohet regjistrimi në “Sistemin e automatizuar të të dhënave- Asycuda World”, ky regjistrim do të bëhet në aplikacionin e bazës së të dhënave relacionale të përdorur në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
18. Të dhënat e ruajtura në sistem janë pronë e autoritetit doganor.
VI. MBROJTJA E TË DHËNAVE
19. Të dhënat personale duhet të mblidhen vetëm për qëllim të këtij vendimi ose qëllime të tjera, që janë në përputhje me ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar.
20. Të gjitha të dhënat në lidhje me këtë vendim duhet të mbahen të paktën për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh, në përputhje me nenin 16, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar.
21. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i të dhënave, sipas dispozitave të këtij vendimi, i nënshtrohen rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi.
VII. DISPOZITA TË FUNDIT
22. Për procedurat e paparashikuara në këtë vendim zbatohen ato të parashikuara në ligjin për kundërvajtjet administrative dhe në legjislacionin në fuqi.
23. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA