Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se fitorja e socialistëve më 25 qershor mund të jetë beteja e fundit ku PS del triumfatore.
Nga salla ku po zhvillohet Asambleja Kombëtare e PS-së, Kryeministri tha se të gjithë socialistët duhet të kuptojnë se fitorja e 25 qershorit ose do të jetë fillimi i një epoke të re, ose dita e fundit për PS-në. Rama ka theksuar se dobësia e opozitës, e bën pushtetin që kanë në duar për 4 vite socialistët, rrezikun më të madh me të cilin ata do të përballen.
“Fitorja e 25 qershorit mund të jetë e para e një epoke të re politike për Shqipërinë ose e fundit për një kohë të gjatë. Do jetë e fundit nëse ne nuk e shohim se kundërshtarët e dobët që kemi e bëjnë pushtetin që na është besuar kundërshtarin tonë më të rrezikshëm, ndërsa do jetë vetëm e para nëse e kuptojmë që fati i kësaj supersfide varet i gjithi nga sa dhe si ne do e mbrojmë këtë pushtet nga vetvetja” – tha Rama.