Pas paralajmërimeve të ambasadës amerikane se mund të ketë sulme terroriste nëpër kishat e vendit imami Ahmed Kalaja ka dhënë një mesazh uniteti mes myslimanëve dhe të krishterëve për ditën e Pashkëve duke u shprehur se do ti mbrojmë vetë kishat, pasi harmonia fetare është vlerë që do mbrojtur me çdo çmim.
Ahmed Kalaja u bë i njohur pak javë më parë në një video në rrjetet sociale duke u tallur fillimisht me priftërinjtë grekë, por më pas kërkoi ndjesë.
Imami, Thirrje; Do ti mbrojmë vetë kishat;
Harmonia fetare vlerë që do mbrojtur me çdo çmim.
~Shkeputja~
Në historinë shqiptare ka pasur momente shumë interesante se si prifti me njerëzit e kishës kanë dalë në mbrojtje të xhamisë, kur ka pasur momente që dikush ka dashtë të shtijë fitilin e përçarjes në emër të fesë dhe besimit.
Ne jemi të gatshëm si myslimanë të përsërisim të njejtën gjë nëse dikush dëshiron të kërcënojë katolikët, ortodoksët, të krishterët shqiptarë, të jemi ne mbrojtësit e parë dhe të jemi ne rrethi i parë, i cili e mbron kishën nga çdo lloj sulmi të mundshëm, që ndonjë njeri i cili është agjendë e dikujt, që nuk na intereson, tenton të prishë harmoninë apo tolerancën ndërfetare në këtë vend.
Ne si myslimanë jemi gati, jemi të gatshëm që nëse dikush do të bëjë tentativa të tilla të kalojë përpara mbi trupat tonë, të kalojë përpara mbi gjakun tonë, pastaj të arrijë aty ku do të arrijë.
Pa kaluar mbi trupat tonë dhe pa kaluar mbi gjakun tonë nuk mund ta arrijë një gjë të tillë, sepse atë që e kemi nuk duam ta humbim dhe nëse dikush është në shërbim të ndonjë axhende “X” apo “Y” do të na e prishë, ne do të jemi të parët ata të cilët do ta mbrojmë, qoftë edhe me jetët tona, sepse kështu na mëson kjo fe e mrekullueshme. Kjo është feja e Zotit, kjo është feja që na ka ardhë prej Zotit.
Nuk mundet askush të cënojë atë që ne e kemi trashëguar, atë që ne e kemi pjesë të fesë dhe besimit tonë, sepse zemrat e njerëzve janë në dorë të Zotit, s’ka dyshim.
Zgjedhjet e njerëzve janë zgjedhjet e tyre, mirëpo ne jemi njerëz dhe jemi qytetarë të një vendi ashtu siç tha pejgamberi i Zotit, salAllahu alejhi we selem, në rastin e Konventës së Medines për hebrenjtë: ‘Janë të gjithë një ymet, një bashkësi e vetme me muslimanet; Nëse kërcënohen hebrenjtë e Medines myslimanët obligohen që t’i mbrojnë, ashtu nëse kërcënohen myslimanët e Medines obligohen hebrenjtë t’i mbrojnë e të jenë me myslimanët.’
Kështu që ne nuk po dalim nga feja dhe besimi me këtë që themi, përkundrazi themi që kështu i shërbejmë fesë dhe besimit dhe kështu jemi me të vërtetë në gjurmët e të dashurit tonë, Muhamedit, salAllahu alejhi we selem.
Tomas Arnold trajton pikërisht këtë tematikë: pse pikërisht tek shqiptarët? Thoshte: janë i njejti gjak, kanë të njejtën kulturë, kanë të njejtat tradita dhe zakone dhe s’ka ndodhur ndonjëherë në historinë e shqiptarëve që të ketë pasë përplasje për arsye fetare dhe besimi.’ Po kështu këtë e kam gjetë në thëniet e shumë qofshin historianë, shkrimtarë, filozofë shqiptarë apo të huaj dhe kjo është një mirësi dhe begati, të cilën duhet ta ruajmë.
Duhet të falënderojmë Zotin që është, duhet të falënderojmë ata dijetarë dhe njerëz të shquar dhe klerikë të cilët e kanë trashëguar këtë frymë ndër breza dhe brez pas brezi, duhet falënderuar hoxhallarët dhe klerikët e feve të tjera, të cilët i mëshojnë kësaj fryme dhe i kushtojnë asaj rëndësi dhe duhet që ne si besimtarë ta ruajmë këtë frymë dhe në momentin më të parë që mund të hasim dikë i cili mund të jetë i infektuar apo mund të jetë në shërbim të një agjende të caktuar, ne duhet të jemi të vëmendshëm, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe ne duhet të jemi të parët ata që reagojmë, që mos të bëhemi si shembulli i njerëzve në anije që tha pejgamberi i Zotit, salAllahu alejhi we selem: ‘Shembulli i njerëzve me të keqen është si shembulli i njerëzve që kishin hipë në një anije dhe kur u ndanë njerëzit për të jetuar në anije, disa jetonin në kuvertë, disa të tjerë brenda anijes dhe vazhdimisht ata që ishin poshtë kalonin tek këta që ishin lart merrnin ujë dhe me këtë ujë kryenin shërbimet e tyre që kishin. Njëri prej tyre atje poshtë anijes tha: ‘po pse t’i lodhim njerëzit, po e hapim një vrimë këtu në anije dhe kemi ujë të bollshëm.’ Dhe filluan të punojnë dhe ata lart e dëgjuan zhurmën e punës. Tha pejgamberi i Zotit, salAllahu alejhi we selem: ‘Sikur ata lart t’i linin këta mendjelehtët të hapin vrimën do të mbytej gjithë anija.’
Kështu që në qoftë se ne nuk reagojmë, pastaj mos ta hedhim fajin tek ata apo këta, jo po se mediat, qafirat, s’ka lidhje. Kur ti je i paditur dhe i painformuar, je i arsyetuar. Ama në momentin që ti merr vesh diçka apo informohesh, atëherë nuk je më i arsyetuar nëse hesht, sepse do të mbytesh edhe ti bashk me anijen.
E them edhe një herë, janë axhenda të interesuara që të ndodhin gjëra të tilla dhe ne jemi shumë më të interesuar që kurrë gjëra të tilla mos të ndodhin.
Lus Zotin e madh që këtë begati, mirësi dhe qetësi dhe siguri që e ka ky vend të jetë dhe të vazhdojë sa të jetë jeta.
E Zoti i madh na ruajtë neve dhe e ruajtë këtë vend nga çdo njeri, nga çdo lloj agjende të fshehtë, e cila do destabilitet, e cila do të prishë këtë qetësi, mirësi dhe këtë begati që na ka dhënë i madhi Zot, Allahu, këtë mirësi dhe begati që e predikon dhe e inspiron fjala e Zotit, Kur’ani, këtë mirësi dhe begati që e inspiron jeta dhe tradita e Pejgamberit, Muhamed, salAllahu alejhi we selem.
c.a