Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në fazën kritike. Në fillim të kësaj jave, Zyra e Prokurorit të Specializuar shpalli pretencën, ku kryeprokurorja Kimberly West kërkoi zyrtarisht 45 vite burgim për secilin nga katër të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sot, radha i ka kaluar ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit, të udhëhequr nga avokati Luka Mishetiç.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, analisti politik Selam Shkodra ka zbërthyer pretendimet e Prokurorisë Speciale, duke i cilësuar ato si një goditje ndaj identitetit shtetëror të Kosovës.
Shkodra e ka cilësuar si të “çuditshme” dhe të padrejtë kohëzgjatjen e qëndrimit në qeli të ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, mbajtja e tyre për më shumë se pesë vite në paraburgim është një shkelje e hapur, pasi ekzistonin të gjitha mundësitë për një gjykim në gjendje të lirë.
Lidhur me kërkesën e Prokurorisë për 45 vite burgim për secilin nga të akuzuarit, Shkodra argumenton se ky pretendim bie ndesh me parimet juridike. “Mendoj që është tërësisht i kundërligjshëm për faktin se legjislacioni në fuqi, në kohën kur pretendohet se janë kryer këto vepra, për këto krime është i kufizuar sipas neneve të ligjit penal në një maksimum prej 20 vitesh. Ndaj mendoj që i tërë procesi është përcjellë me shkelje drastike të të drejtave të njeriut dhe i është dhënë konotacion tërësisht politik, që ka për qëllim delegjitimimin e luftës së popullit të Kosovës dhe intervenimin e NATO-s për lirimin e Kosovës”.
Një nga pikat më të nxehta të debatit është pretendimi i Prokurorisë për ekzistencën e rreth 50 qendrave të ndalimit, përfshirë veriun e Shqipërisë, ku pretendohet se janë kryer tortura. Shkodra hedh poshtë teorinë e “zinxhirit komandues” të strukturuar, duke vënë në dukje natyrën guerile të luftës. Sipas analistit, pushtet efektiv në atë periudhë kanë pasur vetëm forcat e rendit, ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe. Ai thekson se Prokuroria nuk ka arritur në asnjë rast të faktojë implikimin e drejtpërdrejtë të të akuzuarve në kryerjen e ndonjë vepre specifike. “Fakti që pretendohet se ka pasur një zinxhir komandues nga një organizatë guerile siç ka qenë UÇK-ja, në rrethana krejtësisht të pamundura për të pasur hierarki në kuptimin e urdhërdhënies mendoj që është i paqëndrueshëm. Ndërsa implikimi i drejtpërdrejtë i të akuzuarve, të cilët janë në paraburgim, Prokuroria Speciale nuk ka arritur në asnjë rast që të faktojë se asnjëri prej tyre të ketë kryer një vepër të tillë”, u shpreh ai, duke mbështetur linjën e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe avokatit Luka Mishetiç se dënimi do të ishte një “padrejtësi historike”.
Pyetjes se a rrezikon ky vendim të barazojë agresorin me viktimën dhe të ndryshojë narrativa e luftës së Kosovës, Shkodra i përgjigjet: “Mendoj që do të fitonte narrativa ruso-serbe sa i përket procesit të luftës së popullit të Kosovës dhe ndërhyrjes së aleatëve për lirimin e popullit të Kosovës në vitin 1998-1999. Do ta cenonte drejtpërdrejt legjitimitetin e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare e cila ka qenë ndërhyrje humanitare për shkak se dihet që në atë kohë aparati represiv i ‘ish-kasapit’ Millosheviç ishte i përfshirë në gjenocid ndaj popullatës së pafajshme civile në vendin tonë. Konsideroj që është një prej tentativave më serioze për ndryshimin e tërësishëm të historisë më të re të Kosovës dhe minon drejtpërdrejtë lirinë dhe shtetësinë e Kosovës si në rrafshin e brendshëm, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar”.
Në mbyllje të analizës së tij, Shkodra paralajmëroi për pasojat sociale dhe politike që mund të sjellë një vendim i bazuar në “pretendime tendencioze”. “Mendoj se trupi gjykues mund të bie pre e pretendimeve tendencioze të organit të akuzës dhe në rast të një vendimi të tillë, ku do të aprovohej aktakuza e kësaj prokurorie, do të krijonte një indinjatë deri në përmasa që mund të çonte vendin në destabilizim. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë kujdes sa i përket proceseve të tilla që janë delikate për faktin se këta njerëz që mbahen në paraburgim janë mbartësit kryesorë të proceseve të lirisë së Kosovës”.











