Pasi përgatiti për tetë vjet marrjen e postit të kryetarit të qeverisë dhe pasi luftoi për tre vjet e gjysmë në Parlament kundër akuzave të Partisë Demokratike, tani Edi Rama ndodhet përballë kërkimit të dëshpëruar të një opozite.
Tuneli, në të cilin ka hyrë Lulzim Basha duke nisur protestën e 18 shkurtit, që vijon të ketë si të vetmen kërkesë të panegociueshme krijimin e një qeverie teknike, po e shtyn Partinë Demokratike drejt humnerës së bojkotit të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit. Pasi i rriti në maksimum kërkesat e tij, Basha ushqen iluzionin se do të maksimalizojë edhe rezultatet e protestës.
Deri më tani, në të vërtetë, i vetmi rezultat që duket se Basha ka arritur, ka qenë ai se ka ribashkuar frontin e koalicionit qeveritar dhe ka bërë të riafrohet PS dhe LSI në një marrëveshje, që duket se paralajmëron edhe një pakt koalicioni paraelektoral. Një, si të thuash, gur varri mbi rezultatin e votimit të qershorit, pasi të gjitha sondazhet që qarkullojnë e japin si të sigurtë disfatën e Partisë Demokratike në rast se PS dhe LSI dalin bashkë në zgjedhje.
Rezultati i dytë i arritur nga Basha është ai i paraqitjes në sytë e opinionit publik si forca politike që ka vendosur haptazi të bllokojë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, duke marrë mbi vete edhe kritikat e të gjithë komunitetit ndërkombëtar, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kanë investuar tek reforma e drejtësisë në Shqipëri burime ekonomike dhe vetë besueshmërinë e tyre.
Një kosto krejtësisht e kotë pasi, në rast se Basha me të vërtetë do të kishte si objektiv të vetëm krijimin e një qeverie teknike për të monitoruar nga afër procesin e ardhshëm zgjedhor, do të kishte shkuar në Parlament, do të kishte votuar organizmat e vettingut për magjistratët dhe pastaj të rikthehej sërish në protestë, pa shtuar më tej dyshimet, tashmë të përhapura, se në të vërtetë pas çadrës ai fsheh edhe frikën nga krijimi i një magjistrature me të vërtetë të pavarur. Zgjedhja taktike e Ramës dhe Metës që të shtynin në kohë procedurat e vettingut nuk është meritë e Bashës, por është faji, për të cilin ai do të duhet të paguajë para zgjedhësve.
Pozicionimi radikal që ka marrë Basha, i cili dje u konkretizua më tej me ndalimin e të gjitha partive të tjera të koalicionit që të regjistronin listat e veta në KQZ, duke formalizuar kështu vendimin për të bojkotuar edhe votën e qershorit, rrezikon të zvarritë të gjithë opozitën drejt një gabimi tjetër me pasoja të pallogaritshme: të bojkotojë edhe zgjedhjen e presidentit të Republikës, një tjetër pikë në axhendë që kërkon rikthimin e PDsë në Parlament dhe të bojkotojë zgjedhjet vendore në Kavajë (pas shkarkimi te kryetari Elvis Roshi), vendipishtar i demokracisë që do t’i jepej kështu pa luftë një tjetër kryetari bashkie socialist. Gabime taktike të njejta me atë, më pak të bujshëm, që e shtyu Bashën të braktisë tryezën e reformës territoriale, duke i dhënë mazhorancës qeverisëse mundësinë të rihartonte kolegjet elektorale sipas interesave të tyre partiake: një tjetër faktor ky, që do të kontribuojë në disfatën elektorale të PDsë.
Përballë kësaj serie autogolash që Basha po shënon në një portë bosh, (edhe Sali Berisha duket se ka zgjedhur tani për tani ta lejë vetëm në fushë), Edi Ramës nuk i mbetet tjetër veçse të festojë. Megjithatë, nuk është kështu. Pasi mungesa e forcës kryesore të opozitës në zgjedhjet e qershorit përbën një problem jashtëzakonisht të madh për të gjithë. Edi Rama dhe Ilir Meta natyrisht që duan të fitojnë zgjedhjet dhe ndoshta me këtë qëllim do të bashkojnë forcat, siç bënë më 2013, në një martesë jo me dashuri por për interes, por që kjo fitore për ta të ketë një sens, duhet që në fushë të ketë një kundërshtar.
Basha është i ndërgjegjshëm se rrezikon një disfatë elektorale (këtë herë të parashikueshme, si rrallë herë në historinë e demokracisë së re shqiptare) dhe po mendon si zgjidhje të përmbysë tryezën e lojës. Në lojë nuk është vetëm krijimi i qeverisë së ardhshme, por edhe fati i tij politik personal, pasi, nëse me të vërtetë do të humbasë në zgjedhje, Partia Demokratike do të zgjedhë një tjetër lider në vend të tij. Basha po luan lojën e pokerit të jetës së tij dhe ka hedhur në lojë gjithë ç’ka, “all in” do të thoshin lojtarët amerikanë. Pas një “all in”i ose fiton gjithshka, ose humb gjithshka. Strategjia e Bashës është ajo që të tërheqë në disfatë edhe Ramën dhe Metën, pushteti i të cilëve do të dilte i delegjitimuar nga një sfida elektorale e fituar pa opozitë. Do të krijohej një skenar i ngjashëm me atë të vitit 1996, kur opozita socialiste tërhoqi të deleguarit e saj nga qendrat e votimit dhe Berisha fitoi me 90% të votave, të vjedhura në pjesën më të madhe.
Një fitore e ekzagjeruar, që shënoi fillimin e fundit të tij.
Por, në rast se të fitosh pa praninë e opozitës për Edi Ramën dhe Ilir Metën është një skenar makthi, të lëshosh përballë shantazhit të PDsë dhe të biesh dakord për një qeveri teknike, për Edi Ramën është nje vetëvrasje. Komuniteti ndërkombëtar po provon të ndërmjetësojë për një zgjidhje, por thirrjet për dialog deri tani nuk kanë bërë që palët të lëvizin nga qendrimet e tyre. Një rol vendimtar mund të rikthehej e ta kishte kështu Sali Berisha, i cili tashmë është shprehur kundër bojkotimit të votimit.
Ndryshe nga Basha, doktori është luftarak dhe nuk është parë ndonjëherë të tërhiqet përballë ndonjë sfide. Mund të ishte pikërisht ai që do të ndërhynte për të shmangur katastrofën, e cila rrezikon të lindë nga kjo situatë për gjithë opozitën, që do të diskreditohej një herë e përgjithmonë. Dhe Berisha mund ta bënte duke sakrifikuar besueshmërinë vetëm të një njeriu, domethënë të atij që deshi të luante gjithshka pa marrë parasysh se në politikë duhet të parashikosh gjithnjë një rrugëdalje. Kështu, Basha nuk po luan sfidën e tij finale vetëm kundër koalicionit qeverisës dhe kundër komunitetit ndërkombëtar, por ndoshta edhe kundër lidershipit historik të vetë partisë së tij.