A keni parë ndonjë Papë, që ulet, mes turmës, për të lidhur lidhëzën e zgjidhur të këpucës?
Këtë panë dje shtegtarët e panumërt, mbledhur për audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit.
Pas rrotullimit me xhip rreth Sheshit, Papa pa se i qe zgjidhur njëra lidhëz. U ul qetë-qetë dhe e lidhi, ndërsa mbi të ishin ngulur qindra sy.
Ja si e komenton Radio Vatikani këtë sjellje: “Nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme të lidhësh një lidhëz këpuce!
Aq më shumë sot, kur të rinjve u pëlqen të ecin me lidhëzat që u hiqen zvarrë nëpër këmbë. Gjë që, çuditërisht, nuk çudit askënd. Po kur shikon Papën, që vepron me këtë thjeshtësi çarmatosëse, nuk mund të mos çuditesh, sigurisht!”, përgatiti Express. (b.an)