Papa, takim me viktimat e abuzimeve seksuale
Gjatë vizitës së tij në Filadelfia, Papa Françesku u takua me viktima të pedofilisë. Ati i Shenjtë tha se përgjegjësit e abuzimeve seksuale do të marrin dënimin e merituar.
“Unë premtoj se të gjithë ata që janë përgjegjës për abuzimet seksuale ndaj të miturve do të marrin dënimin e merituar. Këto krime nuk mund të mbahen sekret për një kohë të gjatë”, u shpreh Papa Françesku.
Kreu i kishës katolike u takua me disa prej viktimave të abuzimit seksual nga kleri, anëtarë të familjes së tyre ose mësuesit e tyre. Grupi përbëhej nga 5 persona, tri gra dhe dy burra, secili prej tyre ishte i shoqëruar nga një anëtar i familjes.
Fillimisht Papa dëgjoi historitë e trishta të tyre dhe më pas mbajti një fjalim, ndërsa në fund i përshëndeti edhe individualisht. Ai u lut me ta.
Ati i Shenjtë përsëriti edhe një herë angazhimin e kishës për të vënë para drejtësisë abuzuesit me të miturit. Papa falenderoi viktimat për kontributin e tyre thelbësor për të rivendosur të vërtetën. Takimi zgjati rreth gjysmë ore dhe përfundoi me bekimin e Papës.









