Një incident i pazakontë ka ndodhur sot në fluturimin e linjës Vjenë–Tiranë, duke shkaktuar panik tek pasagjerët në bord.
Sipas informacioneve paraprake, fluturimi i orës 12:40 drejt Tiranës është pezulluar vetëm 10 minuta pas nisjes në ajër, pasi në kabinën e avionit është vënë re prani tymi. Situata ka detyruar pilotët të marrin vendimin për t’u rikthyer menjëherë në aeroportin e Vjenës.
Pas uljes emergjente, autoritetet aeroportuale dhe shërbimet e zjarrfikëses kanë ndërhyrë me shpejtësi, ndërsa pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të kontrolluar përmes shkallëve të emergjencës.
Si pasojë e këtij incidenti, qindra udhëtarë kanë mbetur në pritje në aeroport, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar për vijimin e fluturimit apo zëvendësimin e avionit.
Burime për JavaNews bëjnë me dije se në bord, përveç pasagjerëve shqiptarë, ndodhej edhe një grup të moshuarish austriakë.
Ende nuk dihen shkaqet e tymit që përfshiu avionin e kompanisë “Austrian Airlines” gjatë orëve të drekës.
Autoritetet pritet të nisin hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.











