Nga Ylli Pata
Sot pati një përplasje interesante midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në distancë, gjatë deklaratave të tyre për mediat përpara selisë së Parlamentit.
Lulzim Basha, për herë të parë deklaroi se SPAK do të duhet të hetojë për akuzat ndaj Sali Berishës për korrupsion, për të cilat ai akuzohet edhe nga qeveria e SHBA, e cila e ka shpallur “person a non grata”.
Nuk vonoi shumë, e Sali Berisha u përgjigj menjëherë, duke thënë që është Basha ai që duhet hetuar e shpallur i pandehur nga SPAK për akuzën e financimit rus për lobimin që PD pagoi për të takuar Donald Trump përpara zgjedhjeve të vitit 2017.
Në këtë shkëmbim të ndërsjelltë në public ndërmjet “babait” dhe “birit”, përveç “kompleksit” të Edipit dhe Kronosit, fakt është se ka ngjitur më shumë ajo e Lulzim Bashës. Pasi është hera e parë që publikisht ai kërkon që Sali Berisha të hetohet nga SPAK. Kurse ky i fundit këto kërkesa i ka thuajse gjithmonë dhe për të gjithë ata që i konsideron si kundërshtarë politikë.
E meqë po flitet shumë për atë që quhet ndëshkueshmëri e pandëshkueshmëri, duhet thënë se Sali Berisha është i vetmi drejtues i shtetit shqiptar që i ka burgosur parardhësit dhe kundërshtarët e tij politikë.
Por, pas këtij hapi, ai blindoi drejtësinë për të mos lejuar që kjo të ndodhte me të, ministrant e bashkëpunëtorët e tij.
Sapo PD mori pushtetin në vitin 1992, Sali Berisha përgatiti arrestimin e kundërshtarit të tij politik, ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe liderit të opozitës, Fatos Nanos. Blerim Çela, një fanatik i Berishës në vitet e para të pushtetit, u emërua në postin e Kryetarit të Kontrollit të Shtetit. Çela, hartoi raporte ndëshkueshe për Fatos Nanon, disa ish-kryeministra të Shqipërisë, ish-Presidentin Ramiz Alia, por edhe drejtues të mediave kritike ndaj Berishës, siç ishte Koha Jonë e Nikollë Lesit. Raporti i Çelës akuzonte Fatos Nanon si shkaktar i abuzimit me ndihmat ushqimore të ardhura nga Italia.
Në Itali, prokurorët e Mani Pulite-s së Milanos, akuzuan një biznesmen Italian se kishte paguar rryshfet në ministrinë e Jashtme Italiane, që të siguronin tenderin për ti shitur qeverisë mallra ushqimore, që qeveria italiane do ja dhuronte Shqipërisë.
Nga ky raport, Blerim Çela mbështeti akuzën ndaj Fatos Nanon, ku nuk kishte asnjë lloj lidhje apo prove se Nano të ketë marrë lekë apo përfituar nga këto ndihma.
PD, pasi erdhi në pushtet, zgjodhi si Prokuror të Përgjithshëm, një pedagog të ri të drejtësisë, Maksim Haxhinë, i cili kishte rekorde të rëndësishme intelektuale dhe shkencore në Fakultetin Juridik të Tiranës. Haxhiaj, të cilit ju paraqit raporti i Blerim Çelës kundër Fatos Nanos, e konsideroi një budallallëk me brirë dhe refuzoi që të firmoste një akuzë penale mbi një gjë të tillë.
S’kaloi shumë kohë dhe Berisha e hoqi Kryeprokurorin. Në Parlament pati pak rezistencë nga opozita dhe ndonjë zë i pavarur që ishte larguar nga PD. Më pas zgjodhi një Prokuror të Përgjithshëm i cili mori përsipër arrestimin e Fatos Nanos. Të cilin e la në burg deri në vitin 1997. Nano, i cili më pas mori pafajësi nga një gjykatë shqiptare, u konsiderua i burgosur politik nga Amnesty International.
Përveç Fatos Nanos, Berisha prangosi ish-kryeministrin e qeverisë teknike Vilson Ahmetin, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ilir Hotin, ish-Presidentin Ramiz Alia, drejtues të lartë komunistë, etj.
E në fakt, vitet e para të qeverisjes së PD-së ishin të mbushura me një propagandë jakobiniste për “të vënë drejtësinë” për të luftuar “pandëshkueshmërinë” ndaj abuzuesve të pushtetit.
Por menjëherë sapo pati problemin me Prokurorin e Përgjithshëm, Sali Berisha bëri çmos për të blinduar drejtësinë në mënyrë që most ë hetohej asnjëherë aid he qeveritarët e tij.
Largoi pjesën më të madhe të prokurorëve e gjyqtarëve që gjeti në punë dhe i zëvendësoi me disa militant të tij që bënë një kurs 6 mujor në Kavalishencën e Ministrisë së Brendshme tek Plepat në Durrës, ndaj dhe morën emrin “gjyqtarët e plepave”. Nuk i hoqi të gjithë gjyqtarët e kohës komuniste, disa që i kishte miq e të bindur, jo vetëm i mbajti por i promovoi në poste të larta në gjyqësor, edhe pse kishin qenë fanatikë të komunizmit, madje edhe kishin firmosur dënime të tmerrshme politike.
Në vitin 1997, kur la pushtetin, Sali Berisha u gjend para një rreziku për tu hetuar pikërisht për tragjendinë që shkaktoi në vend, i cili u zhyt në një luftë civile.
Prokurori i ri i Përgjithshëm, Arben Rakipi, arrestoi 6 drejtues të lartë të qeverisë së Berishës. Ky i fundit shpalli intifadën ndaj qeverisë së Fatos Nanos. Pak ditë më pas u vra Azem Hajdari, e atë ditë u sulmua me armë kryeministria, u pushtua RTSH dhe militantët e Berishës hynë në Parlament.
Kryengritja dështoi pasi SHBA deklaroi se nuk do të njohë asnjë qeveri qe vjen me dhunë. Parlamenti i heq Sali Berishës imunitetin parlamentar për akuzën e grushtit të shtetit, por askush nuk e pyeti atë në Prokurori.
Në vitin 2002, Sali Berisha, i rikthyer në Kuvend pas një bojkoti të gjatë, vendos të bashkojë votat me një pjesë të deputetëve të PS-së që udhëhiqeshin nga Ilir Meta, për të shkarkuar Kryprokurorin Arben Rakipi. i cili kishte nisur të hapte dosjet e korrupsionin për qeverinë e Metës.
Në postin e Prokurorit të Përgjithshëm u emërua ish-këshilltari i Sali Berishës, Theodhori Sollaku, i cili në momentin e zgjedhjes ishte këshilltar i Rexhep Meidanit, presidentit të kohës.
Sollaku nuk hapi asnjë dosje ndaj qeveritarëve apo politikanëve të lartë. Në vitin 2005, kur Sali Berisha u bë kryeministër, inicoi një aksion për largimin e Theodhori Sollakut në postin e Kryeprokurorit, të cilin e zgjodhi vetë. E akuzoi se fle mbi dosje, duke rizgjuar sërish jakobinizmin ndaj kundërshtarëve. Por ç’bën Sollaku? i hap dosjen “Remzi Hoxha”, të cilin e kishte në sirtar, të qepur mirë e mirë nga i ndjeri Xhevat Hana.
Por që nuk e firmosi deri sa Berisha i doli kundër. Ky në fakt ishte i vetmi rekord i Sollakut kundër krimeve e zullumeve të pushtetarëve të lartë. Presidenti Alfred Moisiu qëndroi fort dhe nuk pranoi shkarkimin e Sollakut, edhe pse Berisha i montoi akuza të rënda dhe i dëmtoi bizneset e familjarëve të tij.
Në vitin 2007 kur President u zgjodh Bamir Topi, shkarkohet Sollaku dhe në krye të Prokurorisë vjen Ina Rama. Të cilën Berisha e quan “Silvia Konti”. Porn ë momentin kur ajo firmos nisjen e hetimeve ndaj njerëzve afër Berishës, si serbo-boshnjaku Damir Fazliç, Berisha e sulmon ashpër. Nuk lejon të zbatohen urdhërat e Prokurorisë, duke e ruajtur Fazliçin me polici nga Rinasi deri tek studioja e Fevziut ku do të jepte një intervistë.
Një vit më pas shpërthen Gërdeci, e ku siç tashmë dihet ishte i implikuar edhe i biri i Sali Berishës. Që bëhet e ditur nga disa investigime të New York Times, gazetës TemA, emisionit Faktor Plus në televizionin Vizion Plus.
Berisha nisi sulmin ndaj prokurorisë së Përgjithshme, duke akuzuar kreun e hetimit Zamir Shtylla si inkuzitor të komunizmit, e bërë që ai të largohet prej shantazhit. Emisioni Faktor Plus i gazetarit Mero Baze në Vizion Plus, u mbyll prej presionit që qeveria i bëri pronarëve të rij të këtij televizioni, e vetë gazetarit Mero Baze ju dogj makina poshtë shtëpisë si kërcënim direkt për të mbyllur gojën e të tjerëve që mund të shkruanin mbi këtë aferë.
Më 21 janar 2011, Berisha arrin në një shkallë më lart, ku pasi nuk lejoi Prokurorinë që të merrte në pyetje gardistët që qëlluan ndaj 4 qytetarëve të pafajshëm, e i mbajti ata peng në kryeministri për një kohë të gjatë, e quajti Kryeprokuroren si “lavire bulevardi” e Presidentin e Republikës si “horr bulevardi”.
Në 2012 Berisha zgjodhi Bujar Nishanin President të Republikës, e ky i fundit menjëherë shkarkon Ina Ramën e emëron Adriatik Llallën Kryryeprokuror të Republikës. Më pas blindon të gjitha gjykatat: Të Lartën, Kushtetuesen por edhe gjykatat e tjera me njerëzit e tij.
Njëri prej argumenteve të ndëshkimit si “person a non grata” prej qeverisë së SHBA-së, është edhe ajo e “pengimit të drejtësisë”…
60% e gjyqtarëve e prokurorëve që kaluan vetingun janë beniaminë të Berisha-Meta. SPAK-BHT janë të paragjykuar deri në Gjykan Kushtetuese.
Thjesht janë më finokët që për deklarim të pasurisë ditën ti fshejnë ato. Duhet të kalojnë edhe një dekadë që të fillojë ndryshimi në drejtësi.
Do e vuajmë ende si shqiptarë.