Partia Socialiste ka shtyrë për në fund të gushtit mbajtjen e Asamblesë Kombëtare. Edhe pse u përfol që mbledhja e Asamblesë do të thirrej në fund të korrikut, diçka e tillë pritet të ndodhë në fund të verës.
Mediat raportojnë se për shkak të pandemisë së Covid-19, rritjes së numrit të të infektuarve dhe kohës së nxehtë, PS ka menduar që ta shtyjë për në fund të gushtit mbledhjen e Asamblesë.
Gjatë punimeve të Asamblesë, socialistët do të zgjedhin kryesinë e re, sekretariatin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, ndërsa mësohet se në këtë takim do të ketë edhe një raportim nga ana e deputetëve, kryetareve të degëve, ministrave dhe kryebashkiakëve se si ka shkuar riorganizimi i partisë, por edhe takimet me qytetarët në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Prej disa ditësh të gjithë kanë zbritur në bazë, duke karikuar elektoratin, madje gazeta e ka deklaruar se socialistët kanë nisur edhe sondazhet për të shikuar simpatinë, apo çfarë nuk shkon, në mënyrë që kur fushata elektorale të hapet zyrtarisht, ata të kenë mundësi që të reflektojnë në program të gjitha shqetësimet e qytetarëve. Kështu që, nisur nga këto zhvillime, të gjithë i kanë sytë tek Asambleja, e cila pritet të vendosë pikat mbi “i” në shumë aspekte.
/a.r











