Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga panairi ndërkombëtar i turizmit në Madrid, ku Shqipëria po përfaqësohet mes më shumë se 160 vendeve nga e gjithë bota.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Rama thekson se vendi ynë po tërheq një vëmendje të jashtëzakonshme nga tregjet ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një destinacion turistik autentik dhe gjithëvjetor, në një event ku marrin pjesë mbi 10 mijë kompani të sektorit të turizmit.
“Në panairin e turizmit në Madrid, që është dhe pikëtakimi i profesionistëve të turizmit, ku marrin pjesë mbi 160 vende nga e gjithë bota dhe më shumë se 10,000 kompani, Shqipëria po merr një vëmendje të jashtëzakonshme nga tregjet ndërkombëtare si një destinacion turistik dhe autentik gjithëvjetor”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Panairi Ndërkombëtar i Turizmit (FITUR) në Madrid, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë e turizmit, u çel një ditë më parë, ku i pranishëm ishte dhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja.
Ky i fundit deklaroi se stenda shqiptare është konceptuar nën moton “Albania All Senses”, me pjesëmarrjen e një numri të gjerë agjencish turistike, partnerësh, shoqatash, si dhe përfaqësues nga bashkitë dhe strukturat që merren me promovimin e turizmit, kulturës, traditës, folklorit dhe artizanatit shqiptar.











