Behgjet Pacolli ka postuar një mesazh në profilin e tij në Facebook, bashkë me një foto shoqëruese, ku pretendon zbulimin e një tempulli të hershëm shqiptar, që i përket rreth 800 viteve më parë. Ai është ndërtuar në Azerbajxhan për Mbretin e Shqipërisë.
“Dua të ndaj me ju një foto nga një tempulli shqiptar që u ndërtua mes viteve 1216-1238 për Hasan Djalalin, i quajtur ndryshe Mbreti i Albanisë (Roi d’Albanie). (Në atë kohë nuk ishte Arbëria apo Shqipëria). Në këtë tempull në Azerbajxhan kam parë edhe shkrimet e para me germa shumë të ngjashme me alfabetin shqiptar. Siç duket, gjuha shqipe është përdorur më herët se ‘Meshari i Buzukut’, ose shenjat e para të shqipes të gjetura në Dubrovnik të viteve 1286.
Në këtë Tempull kishte shenja të ngjashme me ato që dëshmonin ekzistencën e Albanisë së Kaukazit tre shekuj e gjysmë para erës sonë.
I ftoj historianët e Kosovës të vizitojnë vendet ku ishte instaluar Albania Kaukaziane, gjegjësisht, pjesën jugore të Azerbaixhanit, Karabahut dhe pjesën Iraniane të Kaspikut jugperëndimor. Një sponsorizim të eksploruesve kosovarë për këtë çështje do ta mbështetja me shumë dëshirë”, shkruan Behgjet Pacolli, duke nxitur dhe inkurajuar një ekspeditë të mundshme eksploruese.