Kryetari i Fondacionit “Ibrahim Kodra”, me qendër në Lugano, Behxhet Pacolli, deklaron se amaneti i maestro Ibrahim Kodrës ishte të prehej në Tiranë, por ajo që ndodhi dhjetë më parë ishte problem moskoordinimi.
“Në kuadër të dhjetëvjetorit të vdekjes së Maestro Ibrahim Kodrës, fondacioni ynë u mblodh në shtëpinë e tij ku miq të shumtë kujtuan veprën e madhe të tij. Ne mësuam me kënaqësi të madhe njoftimin për vendimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur amanetin e piktorit, poetit dhe humanistit të shquar Ibrahim Kodra për t’u varrosur në Tiranë, diku në kodrat e Liqenit artificial. Me shqetësim, por dhe mirëkuptim për banorët e Ishmit, ne mësuam për rezistencën e një grupi banorësh të fshatit Ishëm për të mos lejuar zhvendosjen e eshtrave të Mjeshtrit të madh drejt Tiranës”, shkruan në një postim në rrjetins ocial Facebook, Behxhet Pacolli.
Ne, vijon ai, duam të besojmë se gjithçka ka qenë pasojë e mungesës së informacionit, ndonjë problemi procedurial dhe ndjeshmërisë së arsyeshme të tyre.
“Në këtë kuadër, ne e mirëkuptojmë dhe respektojmë reagimin e Profesor Doktor Sali Berishës, Presidentit të parë të Shqipërisë që e dekoroi Ibrahim Kodrën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. E sigurojmë z.Berisha që varrimi në Tiranë ishte deshirë dhe kërkesë e të ndjerit Ibrahim Kodra.
Ne, shtoi ai, duam të garantojmë solemnisht se: Ibrahim Kodra e ka përcjellë ligjërisht dhe me zë vullnetin e tij të fundit për t’u prehur pas vdekjes në Tiranë. 10 vjet më parë, një mungesë koordinimi, mosinformimi në kohë.
Ai sqaron se “bartësit e amanetit të Kodrës nuk kanë dashur të krijonin polemika publike me këtë fakt, por kanë kërkuar zyrtarisht që më në fund Maestroja të prehej në Tiranë. Ata kanë zhvilluar korrespondenca me autoritetet shqiptare dhe kanë marrë premtime të vazhdueshme në favor të këtij amaneti nga dy krahët e politikës”.
“Sot që ky amanet po plotësohet, Fondacioni shpreh bindjen se Ishmi, do të vazhdojë të shërbejë si pikë pelegrinazhi për turistët e huaj nëpërmjet monumentit, apo objekteve të tjera përkujtimore në nder të Mjeshtrit Kodra. Vendosja e Ibrahim Kodrës, birit të shquar të Ishmit pranë Panteonit të Rilindasve në kodrat e Liqenit, është nder për Ishmin, për mbarë kombin tonë”, sqaron Pacolli.
Fondacioni “Ibrahim Kodra”, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës plotësojnë vullnetin e fundit të Mjeshtrit, Ibrahim Kodra, “Nder i Kombit” i cili do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, pranë figurave të nderuara të kombit, Faik Konica, Vëllezërit Frashëri. Ceremonia për varrosjen e eshtrave te artistit Kodra do të organizohet në Kodrat e Liqenit, në datën 12 shkurt, sipas amanetit të tij të fundit.