Nga Adriatik Doçi
Shprehja e famshme se “të gjithë janë të barabartë para ligjit, por disa janë më të barabartë”, vijon të mbetet aktuale në Shqipëri, ndonëse sistemi i drejtësisë i është nënshtruar një reforme të thellë dhe radikale. Të fortët dhe të pushtetshmit vijojnë të gjejnë hapësira për t’i shpëtuar veprimit të ligjit, ndërsa legjislacioni penal vepron fort mbi të dobëtit në raport me veprën penale për të cilën akuzohet. Operimi me dy standarde dhe pabarazia para ligjit është më e theksuar tek masa e sigurisë paraprake. Një ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër dha masën ekstreme të sigurisë “Arrest me burg” për dy mjeket e QSUT-se, Ervin Sulaj dhe Serdi Memini si dhe për infermieren nga Shkodra, Diellë Macaj, me pretendimin se kanë marrë 50 mijë lekë dhuratë nga prindërit e të plagosurit në masakrën e Velipojës, Elmidin Dyli.
Dy mjekët dhe infermierja u arrestuan dhe më pas u lanë në burg, bazuar në një bisedë të përgjuar të nënës së të plagosurit, e cila i kishte thënë infermieres se do t’i çonte “një dhuratë 500 mijë lekë të vjetër doktorit”, pas operimit të djalit. Kodi i Procedurës Penale parashikon se për aplikimin e masës së sigurisë së ‘arrestit me burg’ merren parasysh disa rrethana si rreziku i largimit të të pandehurit, pesha e veprës penale, rreziku i prishjes së provave nga i pandehuri, rreziku për të kryer krime të tjera etj. Tre punonjësit e shëndetësisë duket qartë se nuk plotësojnë asnjë nga këto kushte dhe se po trajtohen si kriminelë të rrezikshëm. Megjithatë, prokuroria dhe gjykata e kanë vlerësuar ndryshe këtë rast.
Por, ndërkohë që dy mjekët dhe infermierja janë mbyllur në qeli për një dhuratë të pretenduar me vlerë 50 mijë lekë, sot, trafikantë droge, kamikazë rruge dhe të arrestuar për armëmbajtje pa leje, po shijojnë lirinë ose janë në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Tre ditë më parë, prokurori i Vlorës Maksim Sota, punonjës i policisë së Kavajës Artur Krasniqi, shefi i sektorit kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit Ilirjan Balla dhe Luan Zylyftari u dërguan në shtëpi nga Gjykata Speciale. Ata u arrestuan në kuadër të megaoperacionit “Shpirti”, ku në bashkëpunim me agjencitë partnere të zbatimit të ligjit u shkatërrua një organizatë e mirëfilltë kriminale që merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjykata aplikoi masën e sigurisë arrest me burg për 24 të arrestuar, ndërsa ‘arrest shtëpie’ për 4 të arrestuarit në fjalë, edhe pse që të gjithë janë pjesë e të njëjtit grup kriminal, që merrej me kultivim dhe trafik droge, një vepër kjo shumë e rëndë penale, për të cilën parashikohet mbi 10 vite burg. Pabarazia para ligjit është masive. Në 17 qershor 2021, Gjykata Speciale gjeti fajtore për shpërdorim detyre ish-kryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, por e dënoi atë me vetëm një vit burg. Rami nuk do të bëjë asnjë ditë burg, pasi dënimi iu konvertua në ‘me punë në interes publik’.
Ndërkohë që mjekët janë mbyllur në burg për 50 mijë lekë dhuratë nga një familjarë, që gjithsesi është e paligjshme, Jehon Breçani, djali 19-vjeçar i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë Tiranë Erzen Breçani, i cili i këputi këmbën 23-vjeçares Xhesina Gega, qëndron në shtëpi. Jehon Breçani u arrestua në 11 qershor 2021, pas plagosi rëndë me makinë në rrugën “Xhanfize Keko”, të renë Xhesina Gega, teksa po ecte me shpejtësi skëterrë. Jehon Breçani u lirua nga burgu disa ditë më pas, në mënyrë tejet të dyshimtë. Vendimi ishte një mesazh inkurajimi për të gjithë kamikazët e tjetër të rrugës, të cilët po gjymtojnë dhe marrin jetë njerëzisht të pafajshëm, vetëm për shkak të arrogancës, luksit dhe papërgjegjshmërisë në timon.
Në 18 qershor 2021, Gjykata e Tiranës mbylli me pafajësi dhe pa asnjë ditë burg masakrën në ish-Bllok, në vitin 2018. Ish komando Merviol Bilo ja hodhi pa asnjë ditë burg pas vrasjes së Fabiol Gaxhës si dhe plagosjes së rëndë të Elion Hatos dhe Ervis Martinaj. Bilo u shpall i pafajshëm për vrasjen e Fabiol Gaxhës, me argumentin se ka qenë kushtet e mbrojtjes ekstreme. Bilo u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, por nuk do të bëjë asnjë ditë burg. Me gjykim të shkurtuar, dënimi iu reduktua në 4 vite e 8 muaj burg në shërbim prove. Protagonisti i masakrës në ish-Bllok, me një viktimë, dy të plagosur rëndë dhe armëmbajtje pa leje, sot është i lirë pa bërë asnjë ditë burg, ndërkohë që dy mjekë dhe një infermiere sot janë burg për një dhuratë të pretenduar./Shqiptarja.com