Të hyrat e përbashkëta vjetore të lojtareve të shtatë ligave më të mëdha të futbollit të femrave janë të përafërta me të hyrat vjetore të sulmuesit të PSG-së, Neymar, sipas një hulumtimi të bërë, e të bazuar në analizat vjetore globale të të hyrave.
Franca, Gjermania, Anglia, SHBA-ja, Suedia, Australia dhe Meksika paguajnë 1.693 futbollistet e tyre rreth 32.8 milionë funte (36.66 milionë euro), shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. Është shifër pak më e vogël se që sulmuesi brazilian Neymar merr për një stinor vetëm nga kontrata e tij me Parisin. Ai merr 32.9 milionë funte (36.8 milionë euro).
Statistikat, që kanë dalë për të vënë në pah dallimin e madh mes gjinive jep një pamje të qartë. Klubi më i mirë i futbollit të femrave, Lyoni – për të cilën luan futbollistja e madhe angleze Lucy Bronze – ofron pagë mesatare 145 mijë funte (162 mijë euro) në vit për futbollistet e skuadrës së parë. Kjo është shifra që ekipet e mëdha të meshkujve do t‘i ofronin lojtarit për një javë.
Norvegjia ka hapur rrugën për paga të barabarta, duke bërë të ditur se do të paguajë përfaqësuesen e meshkujve dhe të femrave në mënyrë të njëjtë. Futbollistët e Norvegjisë vendosën të japin 550 mijë krona norvegjeze (56.600 euro) që marrin nga aktivitetet komerciale te femrat, për të ndihmuar në këtë barazi… (b.an)