Me entuziasëm, demokratik, lavdërime, kritika dhe votë e lirë. Kuvendi Kombëtar i PD i mbajtur të shtunën nga Komisoni i Rithemelimit i kishte të gjitha, përveç njërës që i hidhte poshtë të gjitha: Nuk kishte mbështetjen e grupit parlamentar. Nga 52 deputetë që ka grupi, 35 prej tyre nuk morën pjesë duke mos e mbështetur këtë kuvend. Nga thellimi i armiqësisë me ambasadoren Yuri Kim dhe SHBA, mungesa e prurjeve të reja dhe mungesa bashkimit të madh.
Nga Roland Qafoku
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit të shtunën i kishte të gjitha pozitive përveç njerës: Nuk e mbështeti shumica e grupit parlamentar. Nga 52 që ka ky grup, aty ishin vetëm 17 deputetë, ndërkohë që 37 të tjerë, duke mos qenë prezentë nuk e mbështetën atë në asnjë formë dhe mënyrë. Kjo është pjesa finale e asaj që ndodhi për disa orë në Pallatin e Kongreseve. Por ishin edhe disa detaje që nuk shpëtuan pa u vënë re edhe nga ndjekësit e zakonshëm. Në disa aspekte kuvendi të linte shijen se e kishte organizuar në mos vetë Lulzim Basha, njerëz me shijen dhe stilin e tij. Në ftesë shkruhej se Kuvendi niste në orën 10.00., por në fakt nisi në orën 10.54. Kjo mungesë korrektese nuk është cilësi as e Sali Berishës e as e bashkëpunëtorëve të tij të afërt, por askush nuk të jepte përgjigje përse duhej që nisja të ishte e prekur po nga sindroma Basha? Ndërkohë, dokumentari i transmetuar në led wall ishte përgatitur përsëri në një stil bashist. Teksti ishte i palatuar dhe i ngjante më shumë me një kronike televizive se sa një dokumentari të cilit nuk i mungonin efektet, por jo fjalët e zgjedhura. Por pjesa më e çuditshme ishte se në të mungonin figura të rëndësishme që i kanë dhënë tonin kësaj lëvizjeje. Vetëm në minutata e para të linte shije jo të mirë se duke nxjerrë dikë në sinkron që mund ta ketë sponsorizuar dokumentarin, qëllimi ishte arritur. Ku ishin në dokumentar Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli, Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Ibsen Elezi, etj? Sigurisht që paraja mund të prodhojë shumë dokumentarë, por paraja nuk mund të prodhojë kurrë shikues. Një tjetër fakt ishte se jo pak delegatë apo pjesmarrës braktisnin sallën dhe qendronin në hollin e Pallatit të Kongreseve për muhabete apo për të pirë cigare duke ulur seriozitetin e Kuvendit. Thirrjet e përsëritura për tu kthyer në sallë tregonin se kjo u kthye në një problem dhe ky ishte një element jo shumë serioz.
Po përtej detajeve që nuk bënë ndonjë diferencë, janë disa pyetje që shtrohen: çfarë solli ky kuvend? A arriti ai të bëhet kuvend i bashkimit të madh? A ishte ai kuvendi që krijoi frymën e vlefshme për të mundur mazhoracën në garat e ardhshme elektorale? A ishte ai kuvendi që përmirësoi marrëdhëniet me SHBA-në që duhet thënë që Komisioni i ka në pikën më të ulët në këto 32 vjet të një partie politike në Shqipëri? Janë të paktën 10 konkluzone që përveçse anëve pozitive ka edhe elementë që ky ku vend nuk ia rriti dot.
- KUVENDI I FJALËS SË LIRË
Kuvendi Kombëtar i mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit tregoi sa sa frutdhënëse dhe sa shpresë përcjell një parti kur ka demokraci në radhët e saj. Sa entuziasëm tregon kur secili garon mbi bazën e principeve dhe parimeve demokratike. Ky kuvend tregoi se nëse kjo forcë vjen nesër në pushtet do tregojë të njëjtën nivel demokracie që tregoi në këtë Kuvend dhe në mënyrën se si po funksionon si parti. Të gjithë që folën në Kuvend ishin të lirë çfarë donin të thoshin dhe askush nuk i ndërpreu, askush nuk i kontestoi e as kush nuk i anatemoi. Shembull ishte fjala e dy eksponentëve të PD Fatbardh Kadilli dhe Ibsen Elezi. Të dy shpërthyen në kritika, të dy deklaruan se kërkonin garë dhe liri deh të dy iu drejtuan Sali Berishës me fjalët hap rrugën për garë të lirë. Por fjalimet e tyre filluan dhe mbaruan normalisht pa ndonjë incident. Epo kjo nuk është një gjë e vogël në një parti që për arsye të mendimeve deri një vit më aprë mund të përjashtoheshe.
- KUVEND PA MBËSHTETJEN E GRUPIT PARLAMENTAR
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit tregoi se pavarësisht frymës, pavarësisë demokracisë, pavarësisht mbështetjes në bazë, pas 8 muajsh nga nisja e kësaj lëvizjeje, ajo ka mbështetjen e më pak se gjysmës së deputetëve të grupit parlamentar. Ndodhur në këtë situatë ndonëse ka arritur disa fitore në aspektin politik, Komisioni i Rithemelimit është përballë një ngërçi të madh. Fakti që nuk e mbështet shumica e grupit parlamentar e sfumon aq shumë këtë kuvend saqë nuk e teprojmë që ta quajmë një dështim. Ishte simbolikë e mirë që dy deputetët Ina Zhupa dhe Kasëm Mahmutaj deri të shtunën në listën e asnjanëse, iu bashkangjitën kuvendit të së shtunës. Por pranvera nuk vjen as me dy lule. Është e pamjaftueshme që në grupin me 52 deputetë, 37 prej tyre nuk morën pjesë, rrjedhimisht nuk e mbështesin këtë kuvend. Askush nuk mund të shpërfillë e as të anashkalojë këtë fakt edhe për faktin se mandate i tyre është deri në vitin 2025 kur pritet të mbahen zgjedhjet e tjera parlamentare. Dhe pavarësisht punës së mirë, Komisioni i Rithemelimit nuk arriti të realizojë një nga qëllimet kryrsore, atë të afrimit të shumicës së këtij grupi.
- THELLIMI I ÇARJES SË MADHE TË PD
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit tregoi thellimin e çarjes dhe ndarjes së madhe të kësaj partie. Më shumë se kurrë ata që mbështesin Komisionin e Rithemelimit kanë bindjen ekstreme se jana ata partia e vërtetë Demokratike dhe nga ana tjetër PD-ja zyrtare kanë bindjen e plotë po ekstreme se janë ata Partia Demokratike. Në këtë situatë mjafton sikur vendimi i Gjykatës së Apelit të hedhë poshtë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që i dha të drejtë Komisionit të Rithemelimit dhe PD do ti ngjajë një partie jo thjesht me dy koka, por që nuk ka asnjë shpresë për bashkim.
- KUVENDI I SALI BERISHËS
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisoni i Rithemelimit tregoi se Sali Berisha jo vetëm pritet të jetë, por do zgjidhet kryetari i kësaj force politike më 22 maj dhe ai do vijojë atje ku e la në vitin 2013 kur dha dorëheqjen nga të gjitha finksionet nga drejtimi i partisë. Ky kuvend tregoi se edhe fryma dhe demokracia që Komisioni i Rithemelimit solli nuk prodhoi figura të reja politike. Nuk krijoi as liderë të rinj që të shikoheshin nga mbështetësit si e ardhmja e kësaj partie. Kuvendi kishte në qendër vetëm Sali Berishën sikur të ishte kryetar. Nuk vihen fare në diskutim vlerat dhe meritat e Sali Berishës në historinë e Partisë Demokratike dhe të qeverisjes së vendit në këto 32 vjet. Nuk vihen në diskutim vlerat që ai ka patur në të gjitha aspektet politike të jetës në vend. Por të mendosh se në vitin 2022 kur ai është 78 vjeç të quhet e ardhmja e Partisë Demokratike krijon një stonaturë të madhe. Në këto 8 muaj asnjë politikan që u përfshi në këtë lëvizje nuk i kaloi përmasat e një formati mesatar. Asnjë politikan aty nuk krijoi formatin e një lideri që një ditë mund të jetë ai që ta udhëhehqë PD. Përpjekjet e disave që duke dalë në ekrane me eufori dhe arrogancë, dallohen qartë se po i servilosen Berishës sot që të marrin diçka nesër kjo i bën akoma më të vegjël. Ata jo vetëm nuk krijuan këtë format të pranueshëm por në fakt po përsërisin formatet servile që Berisha i ka patur me dhjetra në karrierën e tij.
- KUVENDI NË ARMIQËSI ME SHBA
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit nuk arriti të afrojë zgjidhje për raportet e rënda që ka me SHBA. Sali Berisha për të disatën herë artikuloi se ishte shpallur non grata me shpifje të organizuara nga armiku Soros. Unë futem tek ata që nuk jam gëzuar nga vendimin për shpalljen non grata të Berishës dhe jam i prirur ta besoj zotin Berisha në këtë argument. Por këto sqarime jo vetëm nuk i kanë bindur në këto 8 muaj zyrtarët e SHBA-së, por ajo që e ka bërë të rëndë situatën është krijimi dhe thellimi i armiqësisë së tij me përfaqësuesit amerikanë në Tiranë si ambasadorja Yuri Kim dhe përhapjen e këtij sindrome edhe në Partinë Demokratike. Kjo është e papranueshme. E bëri qesharake raportin e PD-së me SHBA kur Evi Kokalari tha në kuvend:
“Konservatorët amerikanë do ti kthejnë këtë prestigj SHBA dhe do të heqin qafe individë si Joe Biden dhe ata që kanë marrë peng Amerikën në mënyrë të paligjshme, Fatkeqësisht ata gjenden sot në Shtëpinë e Bardhe dhe paaftësia e tyre duken qartë si në adimistrimin e vendit. Nëse Trup do të ishtë në Shtëpinë e Bardhë lufta në Ukrainë nuk do ndodhte, Berisha nuk do ishte non grata”.
Dikush duhet ti thotë zonjës Kokalari se Shqipëria nuk i mban marrëdhëniet me SHBA me partitë politike por me shtetin amerikan. Në këto 100 vjet marrëdhënie pak rëndëis ka patur për Shqipërinë se cila parti ka qenë në pushtet në SHBA. Shqiptarët e njohin shumë mirë Thomas Woodrow Wilson dhe kontributin e tij për shtetin tonë por zor se ka shqiptarë që e dinë se ai i përkiste Partisë Demokratike. Shqiptarët e njohin mirën George H. Bush dhe George W. Bush dhe atë që ata bënë për ne, por pak e dinë se babai dhe i biri presidentë ishin përfaqësues të Partisë Republikane. Shqiptarët e njohin mirë Bill Clinton dhe kontributin e çmuar për Kosovën, por pak e dinë se ai është përfaqëesues i Partisë Demokratike. Mjaftojnë këta shembuj për të thënë se Joe Biden jo vetëm mbetet një president i nderuar për Shqipërinë dhe kontributi i tij në karrierën politike ndaj shqiptarëve është i jashtëzakoshëm, porse futja e shqiptarëve në debatete politike në SHBA është një gafë në rastin më të mirë dhe dritëshkurtërsi politike në rastin më të keq. Asnjëra e as tjera nuk i shërben as Partisë Demokratike, as Komisionit të Rithemelimit e as Sali Berishës.
Kuvendi nuk bëri asnjë kthesë për të përmirësuar marrëdhëniet e ndersa personale me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Etiketimet e fundit ndaj saj, thirrja ndaj Departamentit të Shtetit për ndalimine saj për ndërhyrjen në gjykatë, apo edhe peticioni për largimin e saj nga Shqipëria nuk treguan asnjë tërheqje në këtë kuvend. Karen Donfried dha një përgjigje të premten që e sfumon ekstremisht Komisionin e Rithemelimit dhe aksionin e Berishës kur tha:
“Mund t’ju siguroj që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Tony Blinken dhe unë, të gjithë kemi besim të plotë tek Ambasadorja Yuri Kim. Dhe është një kënaqësi e madhe që kemi njerëz të kalibrit të saj dhe me integritetin e saj në qeverinë e SHBA-së. Dhe mendoj që edhe ky vend, Shqipëria, nuk mund të kishte më shumë fat se sa të ketë atë si përfaqësuese të vendit tim dhe duke punuar çdo ditë për të forcuar atë që është tashmë një marrëdhënie e rëndësishme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.
- KUVENDI QË NUK E NJOHIN
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit thelloi ngërçin se politika zyrtare shqiptare dhe diplomacia botërore njeh dhe komunikon vetëm me PD-në zyrtare dhe kryearin e saj të komanduar Enkeled Alibeajn. Edhe qeveria e Partisë Socialiste por edhe instituconet e tjera në Shqipëri çdo kontakt dhe çdo komunikim e kanë dhe e bëjnë vetëm me PD zyrtare. Të njëjtën gjë e bëjnë edhe të gjithë përfaqësuesit e huaj, veçanërisht ata amerikanë. Fakti që ndihmës sekretarja e Shtetit Karen Donfried gjatë vizitës së saj në Tiranë nuk takoi asnjë eksponent të Komisionit të Rithemelimit tregoi mungesën e madhe të mbështetjes. Kanë jo pak domethënie ato që tha Karen Donfried:
“Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë”.
- RIKTHIMET E TË VJETËRVE
Dikush ka nënqeshur lotët e Jozefina Topallit gjatë fjalës së saj në Kuvend. Por të gjithë e dimë se edhe kritikët më të mëdhenj të saj kurrë nuk e kanë akuzuar atë për abuzime me detyrën dhe paratë e shtetit. Në fakt ato lotë ishin sa personalë të saj por aq simbolikë edhe për të gjithë. Sa e sa demokratë me kontribute në PD janë larguar në këto 8 vite nga “lider i brezit të ri”. Sa e sa demokratë u bën viktima brenda partisë së tyre. Jozefina Topalli nuk është vetëm një nga ata që u përjashtuan por edhe që foli kur të tjerët mbanin gojën me dorë se mos kishin ndonjë pasojë. Prandaj më shumë se çfarë tha, lotët e Topallit ishin shenja e mirë se jo vetëm janë kthyer por edhe duhet të rikthehen në këtë parti ata që janë kontribuar por edhe kanë treguar integritet dhe moral. E përsërisim, integritet dhe moral. Në jo pak raste ky integritet dhe moral u zëvendësuan me abuzime dhe amoralitet dhe kjo është e papranueshme. Ishin të vlefshme kthimi apo edhe mbajtja e fjalimeve të Arben Imamit, Rudina Hajdarit, Artan Hoxhës dhe të Bujar Kapexhiut. Por gjithsesi janë të pamjaftueshëm.
- KUVEND PA TË RINJ
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisoni i Rithemelimit tregoi se të rinjtë me vlera nuk janë të përfaqësuar. Marrim një prej atyre që është moshë të re, kanë ambicje por që shoqërohen me stonatura. E para që hapi kuvendin ishte Lediana Fratari, një vajzë e re me dëshirë të madhe për të qenë pjesë e rëndësishme e politikës, por që fatkeqësisht nuk ka kuptuar A-në e politikës se karriera nis nga poshtë lart dhe jo nga lart poshtë. Për më tepër që nuk ka nevojë të sforcohesh për të kuptuar se ambicjet e saj janë më të larta se niveli që ka. Kandidatja për deputete pa asnjë kontribut në PD dhe e vendosur në listën e Lulzim Bashës, befas u kthye në starin e Kuvendit të Komisionit të Rithemelimit. Pasi e kemi parë të ketë bërë prova gjenerale dështuese te “Opinioni” i Fezviut, ajo lexoi të shtunën një fjalim që dukej hapur se ishte shkruar nga dikush me nivel me të lartë se niveli i artikulimit të saj. Në fakt, shkruesi kishte shkruar sikur do e lexonte vetë, sepse çfarë nxirrte zonjusha nga goja ishin fraza që kërcisnin dhe fjalë që nuk ishin fjalori i saj. Epo ky nuk është model për të rinjtë që aspirojnë të jenë pjesë e politikës. Kjo vlen edhe nëse ke studiuar në Londër.
- KUVENDI I MOSBASHKIMIT
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit tregoi se Sali Berisha dhe mbështetësit e tij nuk arritën të bëjnë bashkimin dhe pajtimin e madhe të kësaj partie. Fakti që 35 deputetë janë kundër tij, fakti që në këtë aksion politik nuk tërhoqi figura të reja intelektuale, fakti që marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe veçanërisht me SHBA-në i ka të tilla që nëse zgjidhet kryetar ato ndërpriten ka krijuar një masiv konkluzionesh që Sali Berisha këtë herë nuk arriti ta bashkojë plotësisht partinë.
- KUVENDI QË NUK E ÇON PD NË FITORE
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit tregoi se nëse nuk arrihet vërtetë bashkimi por qendrohet në këtë status quo, Partia Demokratike është destinuar të huambasë edhe garat e tjera elektorale. Më e afërta është ajo e zgjedhjeve lokale të vitit 2023. Ndërsa PS ka nisur përgatitjet, në këtë situatë dhe në këtë ndarje që ndodhet PD, gjasat janë që të përsëriten rezutatet e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit. Në këtë situatë vërtetë Komisioni i Rithemelimit krijoi frymë, krijoi një model të mirë demokracie por kjo nuk mjafton. PD nuk duket se aktualisht është një parti e bashkuar dhe si e tillë është përpara disfatave të reja.