“Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht, çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën”, tha presidentja Osmani pas homazheve te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.
Pas 57 seancave, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, të martën (26 gusht) u zgjodh kryetar Kuvendi. Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.
Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, megjithatë procesi i konsituimit ka mbetur ende në gjysmë. Tanimë në dy seanca, ka dështuar zgjedhja e Nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Lista Serbe ka 9 deputetë dhe as ata vetë nuk votuan pasi duan që kandidat i tyre të jetë Sllavko Simiç, por emri i tij është hedhur 3 herë në votim dhe nuk ka marrë votat e nevojshme.
Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, emri i një kandidati mund të hidhet në votim vetëm 3 herë. Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.











