• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, December 16, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Orkestra e çakorduar shqiptaro-greke

by Mentor Kikia
02/11/2016 09:32
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Mentor Kikia

Tashmë publikut, medias dhe politikës i është hedhur për konsum një torbë e re tagjie. “Lufta e re” greko-shqiptare, e cila pa dyshim ka heronjtë e saj. Projekti për një investim publik në Himarë, për llogari të të cilit do të prishen disa ndërtesa, shtëpi, dyqane apo njësi shërbimi, është bërë çështje mes dy vendeve. Dhe, ashtu siç na e ka ënda, për çështjen diskutohet vetëm ditën e parë. Pas kësaj ne merremi me historinë dhe me replika e sharje nacionaliste. Drejtuesit e minoritetit grek në Shqipëri, pakënaqësitë për prishjen e disa ndërtimeve, ashtu siç ndodh rëndom në çdo qytet, ku askush nuk pranon me qejf t’i prishet shtëpia apo dyqani për llogari të projekteve publike, i transformuan në “veprime të qëllimshme të qeverisë shqiptare ndaj minoritarëve grekë”. A thua rruga po kalonte vetëm te shtëpitë e tyre dhe se projekti për rehabilitimin urban të Himarës ishte një vepër me sfond nacionalist, në dëm të banorëve që kanë kombësi greke. Ata informuan për këtë “gjëmë” edhe Athinën, e cila e kishte gati me sa duket tekstin dhe lëshoi menjëherë komunikatën se në Himarë po bëhet spastrim etnik.

Pasi, si pasojë e prishjes së një lokali që ishte në rërën e plazhit, 4 familje të kombësisë greke kishin ikur në SHBA, duke pakësuar numrin e grekëve në Himarë. Vetëm mendje të sëmura apo shumë të djallëzuara e dashakeqe mund ta bëjnë këtë lidhje. Por qeveria greke nuk ngurroi t’i lëshonte edhe një urdhër qeverisë shqiptare, a thua po i drejtohej Bashkisë së Janinës, për ndërprerjen e punimeve. Një ditë më pas reagoi edhe Ministria e Jashtme shqiptare, duke thërritur edhe ambasadoren greke në Tiranë për shpjegime. Histeria ndërkohë u ndez, nëse ka apo jo minoritarë në Himarë, është apo jo Himara zonë minoritare, kanë apo jo grekët prona në Himarë etj. etj. Orkestra e tallazeve u vu në punë me tërë furinë e saj. Më pas Kryeministri i Shqipërisë kujtoi (referoi) se, shumë herët, Athinën dhe Akropolin e kanë shpëtuar shqiptarët, e se popullsia autoktone atje është kryesisht shqiptare.

Por, edhe pse dikur shqipfolëse, kjo nuk e bën këtë qytet shqiptar – shkroi Rama. Për të njëjtën arsye, meqë Himara bëri tregti me grekët dhe mësoi greqishten dikur, nuk e bën atë qytet grek. Mediat greke iu lëshuan në kor Kryeministrit të Shqipërisë duke e akuzuar si nacionalist ekstrem. Por ky është një kompliment shumë i madh politik në një vend ku popullsia dehet shumë lehtë nga nacionalizmi. Ndërkaq, në rrjetet sociale “nacionalistët” shqiptarë kaluan në ekstazë, duke heroizuar edhe Kreshnik Spahiun, që në një debat televiziv i quajti, jo vetëm ata të Himarës që pretendojnë se janë minoritarë greke, por edhe minoritetin zyrtar grek, hyzmeqarë të bejlerëve shqiptarë që nuk kanë pasur e nuk kanë prona në Shqipëri. Ose, edhe nëse i kanë, duhet t’i marrin kur të na japin pronat e çamëve. Pa dyshim sharjet do të vazhdojnë, pasi siç e thashë në fillim, kjo është një çorbë që gatuhet e shërbehet shumë në të dyja anët e kufirit.

Kësaj teme nuk i vë dot kapak askush, ndaj edhe unë s’do ta marr mundimin. Por ajo që dua të them është se Himara, qëllimisht, nga krerët drejtues të minoritetit grek në Shqipëri dhe përfaqësuesit politikë të tij, është shndërruar në një vatër zjarri, të cilën e ndezin sa herë të duan. Ndryshe, nëse shuhet ky zjarr, ata mbeten pa punë e pa para, për pasojë. Nga një faktor paqeje, ata e kanë shndërruar minoritetin, nuk ka rëndësi ku jeton, në një armë që e zbrazin në emër të nacionalizmit dhe luftës etnike, sa herë t’u duhet, duke shfrytëzuar madje edhe prishjen e një dyqani të një minoritari. Himara u nënshtrohet të njëjtave ligje, së njëjtës qeveri e të njëjtave plane zhvillimi si çdo qytet shqiptar. Ata janë të diskriminuar nga një shtet dhe qeverisje e korruptuar po aq sa edhe ne shqiptarët, por ajo që nuk ka ndodhur e nuk po ndodh kurrë në Shqipëri është vetëm spastrimi etnik, apo diskriminimi nacional.

Megjithatë, nga kontestimi për prishjen e disa ndërtesave(siç ka ndodhur në çdo lagje e qytet të vendit), reagimi i Bollanos & co u shndërrua në çështje nacionaliste. Po, çdo shtetas shqiptar, me kombësi shqiptare, greke, serbe, malazeze, apo edhe malajziane nëse ka, ka të drejtën e pronës njësoj. Ka të drejtë ta gëzojë, trashëgojë, mbrojë e kërkojë dëmshpërblim nëse ia dëmtojnë. Nuk ka rëndësi nëse e ka trashëguar para 1 mijë vjetësh apo e ka blerë para 10 vjetësh. Ndaj dhe histeria e qelesheve të bardha nacionaliste shqiptare, atyre që thonë se “ju s’mund t’i merrni pronat pa na kthyer pronat e çamëve”, është po kaq e dëmshme sa edhe tezat e Bollanos, se rruga e Himarës po kalon qëllimisht te dyqani i një greku. Kur vjen puna te nacionalizmat, anti-grekë apo anti-serbë, ne bëhemi euforikë.

Dhe, me sa duket, këtij euforizmi, që prodhon kredenciale politike, nuk i rezistoi dot as kryeministri Rama, që, pas reagimit zyrtar krejtësisht të motivuar e të nevojshëm të Ministrisë së Jashtme, kujtoi se kush e shpëtoi Athinën në vitin 1670. Dhe, në rrjetet sociale, edhe ata që e mallkojnë çdo ditë, thanë: Epo të lumtë pushka o Edi, këto punët e tjera nuk i qullose, por grekëve ama ua tregove vendin. Ndërkohë media greke nis të rrëmojnë në histori tashmë se kush e shpëtoi Akropolin nja 350 vjet të shkuara. Orkestra e çakorduar e nacionalizmit është ndezur dhe të gjithë u bien veglave sipas qejfit të vet. Po lulishtja e Himarës? Për momentin nuk ngelet zgjidhje tjetër veçse bashkia e qytetit të negociojmë sipas logjikës: Meqë ne ju paskemi shpëtuar Akropolin në 1670, dhe s’po kemi pretendime, edhe ju mos bëni zë për një kafene në breg të detit. Kjo për tani. Për më vonë, Himara do të vazhdojë të përdoret sa herë që krerët e minoritetit grek të kenë mosmarrëveshje të çfarëdo lloji me autoritetet shqiptare, edhe administrative, edhe politike, apo të lihen në harresë nga Athina.

Next Post
Athina thërret mbasadorin shqiptar për sqarime, lidhur me deklaratat e Ramës për Akropolin

Athina thërret mbasadorin shqiptar për sqarime, lidhur me deklaratat e Ramës për Akropolin

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In