Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë mbrëmja e së shtunës së fundit të Marsit i kushtohet shtëpisë tonë të përbashkët, Tokës.
Së bashku me mbi 3 miliardë njerëz dhe mijëra qytete të tjera në botë, “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, Kongresi Rinor Kombëtar dhe Bashkia e Tiranës i bashkohet lëvizjes për Planetin Tokë, për të ardhmen tonë. Këtë vit, Ora e Tokës vjen në një kohë kritike për njerëzit dhe një vend të lirë si Ukraina. Ndaj të shtunën në orën 20:30 merrni miqtë dhe të afërmit tuaj dhe mblidhuni në “Sheshin Skënderbej” në shenjë solidariteti për paqe në planetin Tokë në këtë periudhë të vështirë.
Nisma “Earth Hour” e ka zanafillën në 2007 në Sidnei dhe u propozua nga “World Wilde Life Fund”. Dhjetëra kryeqytete të botës iu bashkuan projektit duke fikur për një orë dritat në zyrat qeveritare apo pikat turistike dhe simbolet shtetërore.












