Nga Lorenc Vangjeli
Fëmijët i duan pikërisht për arsyen që tremb të rriturit. Më shumë se çokollatën, fëmijët duan lodrat e vogla që ndodhen brenda vezës së famshme Kinder, të cilat të rriturit i shohin si rrezik për ta; fëmijët mund të mbyten për shkak të zakonit të futjes së gjërave në gojë. Por sa kohë që tregu i kërkon, ky produkt do të mbijetojë edhe pse ata që i shijojnë dhe ata që i paguajnë, nuk janë e njëjta gjë dhe ndajnë opinione të ndryshme për të njëjtën gjë.
Deri këtu nuk ka asnjë problem. Problemi është tek të rriturit në Tiranë, që kur luajnë lojën e preferuar “Ec t’bojm politikë”, bëjnë politikë me stilin e Kinder Surprise. Premtojnë shumë, por afrojnë ca pako gjë, në rastin më të mirë dhe dëmtojnë çfarë nisin me qëllim të mirë, në rastin më të keq. Kështu ka ndodhur me rikthimin e çiftit të ashpër opozitar Alibeaj dhe Bardhi. Jurist edhe njëri, edhe tjetri. Ministër drejtësie të dy, njëri pas tjetrit. Bashkudhëheqës betejash opozitare me role të ndara qartazi, aty ku njëri hollon argumentin, tjetri trash zërin.
Mbasi nuk i lanë kusur Babales andej nga fundi i kësaj pranvere, duke marë për kusur cinizmin e Ramës që të tallet me PD-në e ta quajë babale parti, në këtë kulm të verës, ata zbresin sërish të dy në lëmin e investigimit. Zbuluan se një nga komisionerët e Vetting-ut, nuk ja thotë tamam-tamam gjuhës së anglezit. Zbuluan se komisioneri me gjasë ka dorëzuar dokumenta të fallsifikuar kur ka aplikuar për pozicionin e tij. Për këtë arsye, ata thonë se do të nxisin fort prokurorinë të nisë një hetim penal për njeriun që mban të njëjtin emër me kryetarin e partisë së tyre.
Qoftë dhe kështu. Nuk do të kishte asnjë problem nëse Lulzimi i Vetting-ut do të thahej nga acari i të vërtetës së hidhur për të. Ai mund të rreshtohej fare mirë në rreshtat e “dëshmorëve” të reformës që po bën martirë shumicën e gjykatësve dhe prokurorëve në vend. Nëse do të ndodhte kjo, edhe Rama në Facebook, edhe cinizmi i kryeministrit nëpër ekrane, me të gjitha gjasat do të falenderonte vigjilencën e të dyve të PD-së që i kishin dhënë një dorë mbrothësisë së reformës.
Një komisioner që largohet se anglishtja e tij nuk është e nivelit të kërkuar, megjithatë është vetëm një njollë me shumë në kostumin prej bojaxhiu të realitetit shqiptar. Por në kohën kur në parlament apo në administratë, në të gjitha shkallët e saj, ka individë që nuk janë në gjendje të shkruajnë një paragraf të saktë në shqip, të flitet për anglishten e Lulit të Vetting-ut nga çunat e Lulit të PD-së, është një luks i jashtëzakonshëm. A mund të jetë ky fakt objekt i punës së një partie të madhe si PD-ja? Ja vlen të shpenzohet aq kohë e energji për një detaj të tillë kaq anësor? Ja vlen, siç thoshin kinezët e vjetër, që të përdoret topi kundër mizave?
Nëse flitet për reformën në drejtësi, duhet parë në sy një e vërtetë e frikshme; një pushtet kushtetues ndër tre të tillë, ka vdekur, dhe jo klinikisht. Shqipëria është sot pa Gjykatë Kushtetuese e të Lartë. Se vetëm duke përdorur një nga kolonat e vlerësimit – financat vetjake të prokurorëve dhe gjykatësve – ata kanë ngelur në aritmetikën e parave. Po të ishte diskutuar edhe për integritet profesional dhe moral, me të gjitha gjasat, rezultati do të ishte shumë më i frikshëm se kaq. Ky është një shqetësim real. Ish-presidenti Nishani e thotë me trishtim se të paktën 75 për qind e të goditurve nga reforma, e meritonin një fat të tillë dhe ky është një shqetësim real. Këmbanat do të duhej të tundeshin për të tjerët, për atë 25 për qindësh të goditur pa të drejtë dhe ky është një tjetër shqetësim real.
Teorikisht PD-ja si parti opozite duhet të ishte prodhuese dhe mbartëse e të vërtetave që refuzon t’i thotë e t’i pranojë qeveria. Dhe ato janë shumë. Qeveria, fjala vjen, ka heshtur mbas dy investigimeve të njëpasnjëshëm të BIRN-it për fondet e akorduara për rrugët apo dhe për çështjen shumë të ndjeshme të teatrit kombëtar. Dy tema me një rëndësi të posaçme, që prekin direkt çdo shqiptar dhe janë të ndjeshme për çdo shqiptar.
Po kështu, ka me dhjetra episode të përditshëm në të cilat, opozitarizmi do të mund të përfshihej në beteja të ndershme për të qortuar qeverisjen dhe për t’u afruar si alternativë qeverisjeje. Por kur një parti e tërë nuk arrin të ngrihet as në nivelin e një redaksie gazetarie, kjo është një arsye për t’u trishtuar të gjithë. Një arsye që trishton edhe ata që e duan, edhe ata që e kundërshtojnë vetë opozitën.
Eshtë me shumë risk çokollata në verën e nxehtë. Edhe Kinder Surprise që premton shumë ëmbëlsi, por afron pak sëkëlldisje kur konsumohet me gjithë surpizën që ka brenda. Siç ndodhi dhe me Babalen e gjorë që u premtua për shumë, por u shkri shumë shpejt duke u bërë gallatë për fëmijët dhe hata për të rriturit. Së paku pë rata të rritur që do ta ëndërronin edhe qeverinë, edhe opozitën të fortë. Jo si çokollatë e shkrirë vere, por si simbolin e ashpër të mashkullorisë mendjemadhe ballkanase, Siç vlen të jetë jo vetëm në verë.