Analistët, ish deputetët dhe partitë opozitare shqiptare në Maqedoni e vlerësojnë si të gabuar dhe të dëmshëm vendimin e njëanshëm të partive në pushtet për të shkuar në zgjedhje më 24 prill.
Mospastrimi i listës zgjedhore, mos implementimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinos thonë se dëmton më së shumti shqiptarët. Andaj shumë prej analistëve, ish deputetëve dhe partive të reja opozitare shqiptare janë të mendimit që shqiptarët të bojkotojnë zgjedhjet nëse ato mbahen në këto rrethana më 24 prill. Ish – deputeti Ruzhdi Matoshi, madje, kërkon protektorat të përkohshëm ndërkombëtarë që do ta çonte vendin drejt një reformimi të drejtë.
“Për shqiptarët e Maqedonisë e mirë do të ishte të bojkotohen zgjedhjet e propozuara tani vetëm nga ana e kësaj Qeverie. Mendoj se duhet të ndërtohet një teren politik që ingrazhon faktorin ndërkombëtar ne Maqedoni në nivel të ndonjë protektorati të butë 5 vjeçar që ta lëvizë me shpejtësi vendin drejt integrimeve euroatlantike”, deklaroi për Koha Ditore Ruzhdi Matoshi ish -deputet në Kuvendin e Maqedonisë. Ish deputeti tjetër, Abedin Zimberi edhe publikisht është shprehur për bojkotoj të zgjedhjeve. Ai thotë se Maqedonia shkon drejt skenarit të Sirisë, ndërsa Gruevskin e kahason me Bashar al Asadin.