Partitë opozitare të cilat përmes një letre publike nga Kadri Veseli u thirrën për t’u ulur në Kuvend dhe për të dialoguar, nuk po e pranojnë thirrjen. Madje, përmes një deklarate me video Faton Topalli nga Vetëvendosje po e quan thirrje naive dhe përpjekje të dëshpëruar të kryeparlamentarit.
“Kjo letër nuk është e mirëpritur nga opozita, duke ditur rolin e Kadri Veselit në seancat e mëhershme, dhe letra nuk i përgjigjet kërkesave të opozitës së bashkuar. E kemi thënë edhe më herët: nuk ka kuptim të diskutojmë në Kuvend për marrëveshjet që po cilësohen nga Kryeministri si punë e kryer. Qeveria nuk po heq dorë nga marrëveshjet, as në këto momente kur Serbia po bën çmos që ta pengojë Kosovën në mekanizmat ndërkombëtarë”, thuhet në këtë deklaratë.