I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Kryetari i PDK-së Nard Ndoka foli për kodin zgjedhor, të ndryshuar në 2008 dhe sesi ai e mban qeverinë në pushtet. Ndoka gjithashtu kritikoi opozitën, duke e konsideruar që nuk ruan një “standard”, në sjelljen politike.
Sipas tij, opozita duhet të jetë “pasqyra” e qeverisë, por aktualisht ajo nuk e përmbush këtë rol.
“Pa diskutim që edhe ne kemi një opozitë problematike në aspektin institucional. Në fund të fundit opozita është institucion, është pasqyra e kësaj mazhorance. Kur ke një pasqyrë të fortë dhe të pastër, që të t’i shfaqë defektet, detyrohesh të reflektosh. Pasqyra sot është me mjegull, është me avull”, u shpreh Ndoka.
Ai theksoi se kjo situatë ndikon që qeveria të mos përballet realisht me problemet e saj.
“Shpeshherë kjo e bën edhe qeverinë që të mos e shohë veten realisht. E bën që të duken njësoj”, tha ai.
Duke u ndalur te kodi zgjedhor, Ndoka u shpreh kritik ndaj mënyrës si është ndërtuar dhe miratuar ai ndër vite.
“Unë shoh një kod zgjedhor problematik. Kam të drejtën morale ta them, sepse në 2008-ën kam bërë grevë për ta kundërshtuar. Ndërsa sot, opozita e ka pothuajse të pamundur të vijë në pushtet me këtë kod, edhe në kushte normale, madje edhe me qeveri teknike”, deklaroi ai.
Sipas Ndokës, sistemi aktual krijon pabarazi në votë dhe është i padrejtë në disa qarqe.
“Ka një disbalancë të votës, është antikushtetues. Ka qarqe si Fieri dhe Vlora ku diferencat në mandate janë shumë të mëdha”, tha ai.
Ai kritikoi gjithashtu edhe reformën territoriale, duke thënë se ajo ka larguar shërbimet nga qytetarët dhe ka rritur administratën, shkruan A2CNN.
“Reforma territoriale ka qenë një katrahurë. Në vend që të zvogëlonim administratën, e kemi dyfishuar. Po paguajmë më shumë rroga sesa bëjmë investime dhe shërbime për qytetarët”, u shpreh Ndoka.
Në fund, ai kritikoi opozitën për mungesë qëndrimi të qartë dhe për marrëveshje të fshehta politike.
“Opozita nuk ka një standard, nuk ka një draft të qartë për sistemin zgjedhor. Bëhen lojëra fjalësh dhe në fund gjithçka mbyllet me pazare. Problemi kryesor është morali i politikës shqiptare, që duhet të funksionojë me konsensus dhe jo me pazare”, përfundoi Ndoka.











