Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu nënshtrua sot një ndërhyrjeje kirurgjikale, ka bërë të ditur presidenca.
Sipas këtij njoftimi, operacioni i presidentit ka kaluar me sukses.
Presidenca ka bërë të ditur se Thaçi i është nënshtruar operacionit sot pasdite e se momentalisht është nën kujdesin e personelit mjekësor.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës.
Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional”, shkruhet në njoftim.
Kujtojmë se prej disa ditësh në media u bë publike fakti se Thaçi vuante nga probleme në veshka.