Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka dalë vetë në terren për të parë nga afër vijueshmërinë e operacionit antikanabis.
Ai u takua me grupet e kontrollit të policisë së Komisariateve të Rrogozhinës dhe Kavajës.
“Unë kam ardhur jo për të kontrolluar sesi e bëni punën ju, sepse jam i bindur për këtë që e keni bërë shumë mirë, për sa kohë u bënë kaq muaj edhe konstatimet janë shumë minimale dhe ato janë proceduar me autorë dhe bimët janë asgjësuar. Unë erdha për t’ju falenderuar dhe për t’ju inkurajuar për punën tuaj”, u shpreh Çako.
Tani, u tha Çako efektivëve, situata është nën kontroll, por duhet të jemi të vëmendshëm deri në fund, pasi temperaturat e larta e favorizojnë kultivimin e kanabisit në këtë kohë.
“Kemi marrë një premtim ndaj objektivave të qeverisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të bërë zero mundësisht këtë fenomen.
Është një punë që kërkon shumë sakrifica, ashtu sikurse ju keni që në orët e para të mëngjesit që keni dalë, por të jeni të bindur që do të jeni shumë më krenarë edhe ju, por edhe të gjithë miqtë, familjarët dhe shokët tuaj, për misionin tonë”, deklaroi Çako.
Ndërkohë që operacioni vijon, deri më tani janë asgjësuar 577 bimë kanabis nga forcat e Komisariatit të Krujës dhe të Fierit, në toka të hapura rishtas për kultivimin e saj, ndërkohë që në Milot dhe Kurbin, në një zonë të pyllëzuar, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 31 kg lëndë narkotike.
Efektivët e policisë po mbajnë nën kontroll serra, magazina, banesa të braktisura apo sipërfaqe pyjore përgjatë gjithë vijës bregdetare, në basene e ujëmbledhës.
a.ç