Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur sot rreth qëndrimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë sa i përket iniciativës së “Open Balkan”.
Vuçiç është shprehur se ndihet mirënjohës që SHBA ka mbështetur iniciativën e “Open Balkan” që nga fillimi.
Kreu i shtetit serb është pyetur edhe për qëndrimin e njëjtë që ka Gjermania sa i përket iniciativave për bashkëpunim rajonal, duke thënë se një gjë e tillë nënkupton që “njerëzit që e shohin iniciativën si krijim të Serbisë së Madhe, aktualisht s’janë duke kuptuar asgjë”.
“Kur e dëgjon një argument të tillë që iniciativa është krijim i Serbisë së Madhe, ti mund ta kthesh kokën dhe të thuash: këta njerëz s’kuptojnë asgjë. Amerikanët janë duke hyrë në thelb dhe iu jam mirënjohës për këtë”, ka thënë Vuçiç.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se mbështesin nismat për bashkëpunim rajonal, ndërsa kanë kërkuar nga Kosova që të jetë më mendje hapur ndaj tyre.
Gjithashtu qëndrim pozitiv për punën e nismave rajonale ka pasur edhe Qeveria Gjermane. Nga Berlini zyrtar për Gazetën Express kanë thënë se secili bashkëpunim rajonal ka përfitimet e veta. ABC