Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka miratuar unanimisht një rezolutë me synimin për të ndërprerë të ardhurat, që grupi ekstremist i Shtetit Islamik siguron prej shitjes së naftës dhe antikuareve, haraçeve apo aktiviteteve të tjera kriminale.
Shteti Islamik është gjithashtu edhe subjekt i sanksioneve të OKB-së, pas rezolutave që janë miratuar në lidhje me një tjetër grup terrorist si al-Qaeda.
Rezoluta e miratuar pasditen e së enjtes, e cila është sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, e rendit grupin e ISIS-it në të njëjtin nivel me al-Qaedan, duke reflektuar kështu kërcënimet në rritje prej tij dhe përhapjen e rrjetit të terroristëve pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA.
Kanë qenë pikërisht ministrat e Financave të 15 kombeve në Këshillin e Sigurisë, që kanë votuar, ndërkohë që rezoluta është e ngjashme me atë të parën të kaluar në vitin 1999 që godiste grupin xhihadist nga Afganistani e Pakistani.
Rezoluta urdhëron vendet “të lëvizin fuqimisht dhe me vendosmëri në prerjen e fluksit të fondeve” drejt ISIS-it, e një nga këto mënyra është edhe parandalimi i kontrabandës së naftës dhe antikuareve të saj. Grupi xhihadist besohet të jetë më i pasuri i këtij lloji në botë, teksa një studim i fundit bën të ditur se të ardhurat mujore të tij janë rreth 80 milionë dollarë.