Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar të martën, 2 dhjetor, dy rezoluta që kërkojnë fundin e okupimit të Palestinës dhe të Lartësive të Golanit në Siri nga Izraeli.
Siç raportohet në mediat e huaja, rezoluta për Palestinën u paraqit nga Xhibuti, Jordania, Mauritania, Katari, Senegali dhe Palestina.
Gjatë votimit, 151 shtete anëtare të OKB-së mbështetën rezolutën lidhur me Palestinën, ndërsa 11 shtete, përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, votuan kundër. 11 të tjera abstenuan.
Rezoluta thekson përgjegjësinë e OKB-së për çështjen e Palestinës dhe kërkon një fund të pushtimit të territoreve të marra pas vitit 1967, duke mbështetur gjithashtu një zgjidhje me dy shtete.
Asambleja e Përgjithshme miratoi gjithashtu një rezolutë tjetër të paraqitur nga Egjipti, e cila detyron Izraelin të tërhiqet nga Lartësitë e Golanit në Siri dhe e përshkruan okupimin dhe aneksimin e zonës si “të paligjshëm”.
Kjo rezolutë u miratua me 123 vota pro, 7 kundër, përfshirë përsëri Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, dhe 41 abstetime.
Sipas tekstit, okupimi dhe aneksimi i Lartësive të Golanit nga Izraeli shkel Rezolutën 497 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1981.











