Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, që u mbajt në Kinemanë Lumbardhi në Prizren, pas vendimit të jurisë, u shpallën fituesit e edicionit të 15 të Dokufest-it. Nga gjashtë kategori, në garë ishin gjithsej 107 filma.
Duke arritur që për nëntë ditë të organizojë aktivitete nga më të ndryshmet, gjatë festivalit janë shfaqur 238 filma nga 57 shtete, janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë edhe yjet botërore si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan, Prizreni edhe njëherë u kthye në qytetin ku gërshetohet kinemaja dhe kultura.
Filmi më i mirë i këtij edicioni të Dokufest-it u shpall “Thellësia dy” nga Ognjen Glavoniq, ndërsa pjesë e jurisë ishin Eric Hynes, Marek Septimus dhe Maria Bonsanti.
“Për filmin të cilin të gjithë e konsideruam të përmbushur në aspektin kinematografik aq sa është shkatërrues moralisht, duke e përdorur një gjuhë për t’ia përshtatur temës së tij që e kombinon dëshminë në audio me pamje nga peizazhe të braktisura tragjikisht, duke e vënë shikuesin në pozitën edhe të reflektimit historik edhe të nëpërkëmbjes aktuale, dhe duke ofruar një betejë të shtresuar, emocionale dhe intelektuale të cilën nuk do ta harrojmë shpejtë, me admirim të thellë, mirënjohje dhe entuziazëm e shpërblejmë filmin DEPTH TWO nga Ognjen Glavonic me çmimin Best Balkan Documentary”, tha juria pas shpalljes së filmit fitues.
Juria e njëjtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për Filmin Më Të Mirë Të Ballkanit filmin “Something About Life” nga Nebojsa Slijepcevic.
“Juria deshi të falënderojë grupin e filmave të shkurtër tepër të fuqishëm që ishin në garë, si Postcards from Manila, A Short Family Film, dhe It Could Be a Film.
Por filmi i cili qëndroi me ne gjatë gjithë javës është një film i vëzhgimit me respekt dhe kureshtje të madhe, një portret i vogël megjithatë i thellë i një vajze të re që ka një familjaritet të lindur me bashkëpunimin.
Juria i jep mirënjohje të veçantë filmit SOMETHING ABOUT LIFE nga Nebojsa Slijepcevic”, deklaroi juria.
Më pas, në kategorinë e Filmit Më Të Mirë Nga Regjisori Ballkanik Në Ardhje, juria e njëjtë fitues shpalli filmin “Tourism (Turizmi)” nga Tonci Gacina.
Për “Çmim Special” në kategorinë për Filmin Më Të Mirë Nga Regjisori Ballkanik Në Ardhje, juria e njëjtë shpalli fitues filmin “Drums Of Resistance” nga Mathieu Jouffre.
Filmi Më i Mirë Dokumentar Ndërkombëtar i Metrazhit Të Gjatë u shpall “Oleg And His Rare Arts” nga Andrés Duque nga juria në përbërje të Carlos Ramos, Jetmir Idrizi, Luke Moody, Nick Pinkerton dhe Rachael Rakes.
“Oleg and His Rare Arts është një dokumentar i pazakontë muzikorë që lejon personazhin ta udhëheq filmin, një personazh i paimitueshëm të cilit i jepet hapësira dhe koha në të cilën mund ta shpalosë veten në kohën e tij të mirë.
Montimi është i çuditshëm dhe i shkathtë, duke i zgjedhur momentet e buta, të shkëlqyera, rrëfyese në kohë të përsosur, duke ndryshuar në vazhdimësi në mes të interpretimeve të gjata dhe të shkurtra”, u tha nga juria pas shpalljes së fituesit në këtë kategori.
Juria e njëjtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për Filmin Më Të Mirë Dokumentar Ndërkombëtar Të Metrazhit Të Gjatë filmin “On Football” nga Sergio Oksman.
Filmi u tha se është shumë tërheqës , i cili e sajon strategjinë e tij – një sekuencë e xhirimeve me kamerë kryesisht të rregulluar, duke dokumentuar bashkimin e regjisorit me babanë e tij të larguar gjatë periudhës së Kupës Botërore në Brazil – dhe nuk e braktis orientimin e tij edhe përballë tragjedisë: Tragjedisë së një adhuruesi, dhe tragjedinë e të birit.
Ashpërsia e qasjes së Oksmanit, sipas jurisë, e zmadhon më shumë se sa e qetëson ndikimin emocional të imazheve, në një film i cili në mënyrë elokuente, thjesht e shpreh shkallën në të cilën sporti mund të luaj rolin e një kanali komunikimi në mes të burrave të heshtur e të tërhequr.
Në kategorinë e Filmit Më të Mirë Dokumentar Ndërkombëtar të Metrazhit Të Shkurtër, fitues u shpall “Impressions Of A War” nga Camilo Restrepo, me jurinë e përbërë nga: Carlos Ramos, Jetmir Idrizi, Luke Moody, Nick Pinkerton dhe Rachael Rakes.
Juria tha se “Impressions of a Ëar” pikturon një fotografi të fuqishme dhe të thellë të konfliktit të brendshëm të 70 viteve të fundit në Kolumbi.
Duke u larguar nga papërsosuria e gazetave vendore, Camilo Restrepo, sipas jurisë, krijon një univers të shkëlqyer ku këto të meta janë të pranishme në strukturën e filmit, duke theksuar një kombinim të pasur dhe kuptimplotë të shtresave që i drejtohen aspekteve historike, politike dhe njerëzore të rajonit.
Juria e njëjtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për Filmin Më Të Mirë Dokumentar Ndërkombëtar Të Metrazhit Të Shkurtër filmin “The Park” nga Randa Maroufi.
Juria, duke arsyetuar vendimin për këtë çmim, tha se “The Park” ofron një vizion të guximshëm koreografik të rinisë marokene. Dekonstruktimi i regjisorit të fenomenit ‘selfie’, sipas jurisë, na jep një vetëdije më të lartë për politikën dhe kompozimet artificiale të këtyre imazheve.
“Secila kornizë është e mbushur pamje të brishta të testosteroneve si friza antike gati për tu shkatërruar”, tha juria.
Filmi Më i Mirë Për Të Drejtat E Njeriut u shpall “Homeland (Iraq Year Zero)” nga Abbas Fahdel nga juria e përbërë nga James Longely, Mustafa Kerem Yuksel dhe Tue Sten Muller.
Të njëjtët anëtarë të jurisë zgjodhën për “Çmim Special” në kategorinë për Filmin Më Të Mirë Për Të Drejtat E Njeriut filmin “Starless Dreams” nga Mehrdad Oskouei.
Sipas jurisë, ky film dokumentar i një hijeshie të rrallë, Starless Dreams eksploron botën e brendshme të grave të burgosura në Iran me një saktësi emocionale të pashlyeshme dhe ndjeshmëri ndaj subjektit të tij.
Filmi Më i Mirë Për Ambientin u shpall “When Two Worlds Collide” nga Heidi Brandenburg dhe Matheë Orzel nga juria në përbërje të Defne Koryurek, Diego Mas Trelles dhe Martin Horyna.
Nga e njëjta juri, për “Çmim Special” në kategorinë për Filmin Më Të Mirë Për Ambientin, fitues u shpall filmi “The Ëoods Dreams Are Made Of” nga Claire Simon. Juria tha se do të donim t’i jepnim një mirënjohje të veçantë punës e cila paraqiti një sfidë aq të madhe për ne.
“Ne e falënderojmë regjisoren dhe ekipin e saj që na dha rastin ta shohim ekologjinë nga një këndvështrim tërësisht ndryshe. E falënderojmë për sfidën filmin The Ëoods Dreams Are Made Of”, tha juria pas verdiktit.
Në kategorinë e Filmit më të Mirë të Shkurtër, fitues u shpall “Import” nga Ena Sendjevic, nga juria Anri Sala, Barbara Orlicz – Szczyputa dhe Christopher Tidman.
Juria tha se e shpërbleu me çmimin e parë një vështrim intim në natyrën absurde të fillimeve të reja.
“Përmes përdorimit të teknikave vizuale unike për kohën e tyre, ai eksploron një temë që është edhe sot relevante. Një vështrim i çuditshëm në Migrimin, Ndarjen, Integrimin, Pranimin dhe Familjen në kërkim të një normaliteti të ri”, u tha nga juria.
Juria e njëjtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për Filmin Më Të Mirë Të Shkurtër filmin “Frankfurter Str. 99a” nga Evgenia Gostrer.
Juria e përbërë nga Blerta Basholli, Christoffer Olofsson dhe Eriola Pira, shpallën fitues në Garën Kombëtare filmin “Performancë” nga Dritëro Mehmetaj.
“Për mjeshtërinë në formën e filmit të shkurtër artistik në një histori të plotë dhe imponuese të dy studentëve dhe negociatave të tyre të përditshme në skenë dhe jashtë saj. Performanca autentike, skenari i zgjuar dhe regjia bindëse ia del të shpalos ëndrrat dhe luftërat e personazheve me një kujdes dhe integritet që refuzon përfundimet e lehta në lidhje me profesionin e tyre të zgjedhur apo vetë-vlerësimin”, tha juria.
Juria e njëjtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për Garën Kombëtare filmin “I Kissed You Kiss On Your Girlfriend’s Cheek, It was Still wet” nga Samuel Weniger e Dardan Zhegrova.
Çmimi i Audiencës iu dha filmit “Batusha’s House” nga Tino Glimmann dhe Jan Gollob.
Çmimi i Bankës Procredit Për Ekovideo-n Më të Mirë
Fituesit e garës EkoVideo janë: Besnik Boletini, Indrit Loshi dhe Agon Veselaj (Koha). (b.an)