Rezistenca ndaj antibiotikëve paraqet sot një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin dhe zhvillimin global, ndërkohë që kërcënimi është në rritje. Këtë vit, bota shënon për të dytin vit Javën Botërore të Ndërgjegjësimit për Antibiotikët, 14-20 nëntor 2016, me një fokus të vecantë tek punonjësit e shëndetësisë. Infeksionet spitalore ndërlikohen nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve.
Sipas raporteve të OBSH-së për barrën në nivel botëror të infeksioneve endemike të lidhura me kujdesin shëndetësor, vetëm në Europë, infeksionet që transmetohen në institucione shëndetësore shkaktojnë 16 milion ditë shtesë kohështrimi në spital, 37 000 vdekje që i atribohen infeksioneve spitalore si dhe kontribojne në 110 000 vdekje shtesë çdo vit. Humbjet financiare vjetore vlerësohen në rreth 7 miliardë Euro, duke llogaritur vetëm kostot e drejtpërdrejta.
Rezistenca ndaj antibiotikëve përshpejtohet nga keqpërdorimi dhe mbipërdorimi i antibiotikëve, si dhe nga masat e pamjaftueshme të kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve.
Ndërkohë që për të kufizuar përhapjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, mund të ndërmerren hapa në të gjitha nivelet e shoqërisë, punonjësit e shëndetësisë luajnë një rol vecanërisht thelbësor për të mbrojtur fuqinë e antibiotikëve.
Pesë veprime kyç nga profesionistët e shëndetësisë:
Profesionistët e shëndetësisë (mjekë të përgjithshëm, mjekë specialistë, dentistë, infermierë, farmacistë, etj.,) mund të japin ndihmesën e tyre për parandalimin dhe kontrollin e rezistencës ndaj antibiotikëve duke ndjekur 5 rekomandimet kyç të OBSH-së:
1. Parandalimi i infeksioneve përmes aplikimit të standardeve të higjienës (mjedisi, duart, instrumentet);
2. Kryerja e antibiogramës nëse nevojitet përdorimi i antibiotikëve;
3. Përshkrimi i antibiotikëve vetëm në rastet kur indikohen, sipas udhërrëfyesve të fundit;
4. Përshkrimi dhe marrja e antibiotikëve të duhur, në dozën e duhur dhe në kohëzgjatjen e duhur;
5. Parandalimi i sëmundjeve infektive përmes vaksinimit.
Gjithashtu, punonjësit e shëndetësisë kanë detyrimin të raportojnë për infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve në sistemin e survejancës së antibiotiko-rezistencës. Ata duhet të bisedojnë me pacientët e tyre rreth mënyrës së marrjes korrekte të antibiotikëve dhe rreth rreziqeve në rast keqpërdorimi të tyre. Është me vlerë edhe informimi dhe edukimi i pacientëve rreth mënyrave të parandalimit të infeksioneve, si p.sh., përmes vaksinimit, higjenës së duarve (larja e duarve), seksit të sigurtë dhe higjienës respiratore (mbulimi i hundës dhe gojës gjatë teshtitjes).
E gjithë shoqëria, në të gjitha nivelet mund të japë ndihmesën e saj!
Përvec punonjësve të shëndetësisë, politikbërësit dhe publiku mund të mbajnë qëndrim ndaj kërcënimit në rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve. Me qëllim inkurajimin e gjithësecilit për të qenë aktiv, Zyra Rajonale e Europës e OBSH-së dhe Agjencia e Shëndetit Publik e Anglisë kanë çelur një version më të zgjeruar të “Gardianit të antibiotikëve”, një nismë në Internet e nisur nga Agjencia e Shëndetit Publik e Anglisë që në vitin 2014. Deri më tani, më shumë se 34 000 persona kanë nënshkruar mbështetjen e tyre dhe janë cilësuar “Gardianë të antibiotikëve”.
Gjatë javës botërore të ndërgjegjësimit për antibiotikët, 14-20 nëntor 2016, Zyra e Europës e OBSH ka nxitur dhe është duke nxitur të gjithë njerëzit në rajonin e Europës që të vizitojnë faqen e internetit të “Gardianit të antibiotikëve” dhe të nënshkruajnë kërkesën për një përdorim më të mirë të antibiotikëve dhe për të mos lejuar që antibiotikët të kthehen në barna të vjetra dhe pa vlerë.
Java botërore e ndërgjegjësimit për antibiotikët 2016 në Shqipëri
Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët vijon dhe zgjeron fushëpamjen e Ditës europiane të ndërgjegjësimit për antibiotikët, një nismë europiane kjo e bashkërenduar nga Qendra Europiane për Parandalim dhe Kontroll (ECDC), të cilën OBSH Europë e shtriu edhe në vendet jashtë BE që nga viti 2012.
Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë dhe institucionet në varësi të saj për zhvillimin dhe zbatimin e strategjive dhe planeve të veprimit për kontrollin e infeksioneve në komunitet si imunizimi i të porsalindurve dhe fëmijëve, promovimi i higjienës së duarve dhe higjienës respiratore, cilësia e ujit të pijshëm, siguria ushqimore.
Programet dhe masat për forcimin e kontrollit të infeksioneve në spitale si sterilizimi i instrumenteve mjekësore dhe menaxhimi i mbetjeve spitalore janë në harmoni me politikën e OBSH për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve spitalore.
Zyra e OBSH-së për Rajonin e Europës, Divizioni i Sëmundjeve të Komunikueshme dhe Sigurisë së Shëndetit, e ka nisur mbështetjen për zhvillimin e Planit Kombëtar të Veprimit ndaj Antibiotiko-rezistencës në Shqipëri që në fund të vitit 2014 dhe synon të vijojë asistencën në përputhje me nevojat dhe stadin e zhvillimit të këtij Plani veprimi.
Në këtë kuadër, OBSH ka mbështetur:
Studimin mbi Ndërgjegjësimin publik për rezistencën ndaj antibiotikëve, realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Studimin mbi praninë e Salmonelës dhe Kampilobaktereve në njerëz dhe pula në Shqipëri, realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me institucionet partnere të veterinarisë.
Hartimin e Udhërrëfyesve për Kontrollin e Infeksioneve në Komunitet dhe në Institucione të Kujdesit Shëndetësor, në zbatim të kërkesave të Ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftën ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve infektive në Republikën e Shqipërisë”.
Hartimin, printimin dhe shpërndarjen e materialeve promocionale në Javën Botërore të Ndërgjegjësimit për Antibiotikët 2016: inkurajimi i i punonjësve të shëndetësisë dhe publikut për t’u bërë “Gardianë të antibiotikëve”. Mesazhet synojnë të frenojnë presionin e pacientëve, prindërve dhe farmacistëve mbi profesionistët e shëndetësisë lidhur me përshkrimin dhe marrjen e antibiotikëve në mënyrë jo korrekte.
Pjesëmarrjen e politikbërësve dhe specialistëve shqiptarë në konferenca, seminare dhe trajnime të ndryshme ndërkombëtare.
Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, OBSH mbështeti realizimin e Vlerësimit të Jashtëm të Përbashkët të kapaciteteve kombëtare për zbatimin e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit. Masat për kontrollin e rezistencës ndaj antibiotikëve janë një nga fushat që u vlerësuan nga Ekipi përbashkët i pavarur.
Të dhënat e reja për rezistencën ndaj antibiotikëve
Rezistenca ndaj antibiotikëve është duke u rritur rrezikshëm në nivele të larta në të gjitha pjesët e botës, duke përfshirë edhe të gjithë Europën. Të dhënat e reja mbi rezistencën ndaj antibiotikeve në vendet europiane do të publikohen më 18 nëntor në raportin e dytë vjetor të Rrjetit te Azisë Qendrore dhe Evropës Lindore të Survejancës së Rezistencës ndaj Antibitikëve (CAESAR), duke mundësuar kështu shqyrtimin bazuar në fakte të problemit të antibiotiko-rezistencës dhe evidentimin e ndërhyrjeve prioritare për ta kontrolluar atë.
ma.me