Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ekziston “rrezik shumë i vogël” që për shkak të Lojërave Olimpike të Rios, virusi Zika të përhapet në tërë botën. Lojërat Olimpike do të zhvillohen në Brazil, epiqendrën e virusit Zika, nga 5 deri më 21 gusht, transmeton arta.tv.
Pas konsultimeve me ekspertët e këtij virusi, agjencia e Kombeve të Bashkuara e ka përsëritur këshillën e mëparshme se vetëm gratë shtatzëna nuk duhet të shkojnë në Brazil.
OBSH-ja e ka shpallur emergjencën globale pas përhapjes së madhe të virusit në fjalë, në muajin shkurt. Sëmundja në shumicën e rasteve përhapet përmes mushkonjave, por në raste të rralla edhe përmes marrëdhënieve seksuale.
Në shumicën e rasteve, Zika shkakton vetëm simptome të buta siç janë ngritja e temperaturës, por është gjithashtu shkaktar i defekteve të mëdha në fëmijët e porsalindur, citon Express. (b.an)