Disa nga objektet personale të Nënë Terezës, si kryqi, rruzarja dhe peshqiri i saj, do të ekspozohen nesër në Bibliotekën Kombëtare.
Kjo ekspozitë që çelet në nderim të figurës së shquar të nënë Terezës dhe shenjtërimit të saj, fton publikun e kryeqytetit të vizitojë në datat 3-10 shtator ekspozitën “homazh” kushtuar Nobelistes së paqes përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë e saj shembullore.
Ekspozita ka objekte dhe dokumente që nga lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores deri tek albumet mbresëlënëse të artistëve dhe monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për të.
Kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë me Nënën e tyre të shenjtë, plot krenari e përkushtim.
Ekspozita realizohet në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës./report tv/a.k