Në Shqipëri nuk ka fusha golfi. Por nëse ai vjen, mund ta ndërtojnë një. “Ai”, sigurisht është Barak Obama, presidenti golfist i Shteteve të Bashkuara. Fatkeqësisht për shqiptarët dhe mbase edhe për Obamën, ai nuk do vijë, dhe koha po mbaron. Obama jo vetëm që po luan për “vrimat e fundit” të presidencës së vet, por fushën e golfit shqiptar ai mund ta shohë nga larg.
Gjithçka i mbetet të bëjë, është të shmangë nja dy bunkerë (gropa rëre në golf) në vrimën e 18-të të këtij kursi imagjinar golfi që shqiptarët do kishin ndërtuar, nëse ai do vendoste të shkonte. Dhe kjo sepse shqiptarët do t’i kishin vendosur bunkerë prej vërteti, nga ato mijërat që diktatori komunist Enver Hoxha ndërtoi anembanë vendit të vogël ballkanik, e që ende ndotin panoramën e kësaj demokracie të brishtë.
Mesa duket, ideja e bunkerëve prej betoni ishte që bënin lojën e golfit më interesante dhe të paparashikueshme, teksa topat e golfit do kërcenin nga njëri bunker tek tjetri, në vend që të ngecnin në rërë. Edhe në Tv do dukej më mirë.
Ndërkohë me ndryshimet klimatike, Tirana International Golf Club do planifikonte të përdorte dhitë për të shkurtuar barin e fushës, në vend që të zhurmonin korrëset e barit.
Në fakt, mësohet se USAID kishte miratuar një projekt “Golfi dhe dhia” në vend, sipas të cilit fermerë të papunë do furnizoheshin me tufa dhish për të bërë krasitjen. Njëherësh, përveç punësimit të barinjve, këta të fundit mund të mësonin lojën duke vëzhguar lojtarët dhe kështu, me disa grante dhe trajnime, do bëheshin edhe vetë lojtarë golfi.
Por shqiptarët nuk dinë shumë për golfin. Ashtu si kusuri i Europës, dhe gjithë bota, loja e tyre është futbolli. Por ata e dinë që Obama është një golfist i apasionuar që i ka dhënë shumë kësaj loje.
Madje disa vëzhgues besojnë se Obama e ka shpëtuar golfin profesionist, dhe kjo do të jetë një pjesë domethënëse e trashëgimisë së tij politike, ashtu si Obamacare, kur ai të lërë detyrën.
Sipas tyre, daljet e shpeshta për golf, të ndjekura fort nga mediat, e mbajnë lojën gjallë atëherë kur interesi kishte rënë ndjeshëm pasi Tiger Woods pësoi atë krizën, prej së cilës ende s’e ka marrë veten.
Dhe Obama e ndjeu për detyrë të bënte përpara dhe të shpëtonte lojën, duke e mbajtur interesin gjallë derisa lojtarë të rinj dolën në pah.
“Po pati klube golfi, do të vij”, i tha Obama botës mbarë. Dhe kështu bëri, duke luajtur më shumë lojra golfi se të gjithë presidentët e tjerë së bashku. Vetëm në shkurt-marsin e kaluar, taksapaguesit “bënë hasha” 4.4 mln dollarë për kostot golfiste dhe aktivitetet e mbledhjes së fondeve. Një tjetër trashëgimi domethënëse e Obamës.
Që atëherë, Obama u tërhoq modestisht për t’ua lënë vendin lojtarëve të rinj. Por kjo modesti nuk i bën punë në Shqipëri. Shqiptarët e duan Amerikën dhe presidentët e saj, pavarësisht se cilët janë. Ata do t’i jepnin Obamës një pritje madhështore, ashtu siç bënë me presidentit Xhorxh Bush, që u bë i pari president amerikan në detyrë që viziton Shqipërinë postkomuniste, në 2007-n.
Shqipëria ishte ndër kombet e parë që iu bashkua thirrjes së Bushit për “Koalicionin e Vullnetit” për të mbështetur pushtimin e Irakut në 2003 (Si vajti ajo punë, meqë ra fjala?) Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në 2009-n. Dhe Bush ende nuk e kishte lënë Shqipërinë – pasi humbi orën e dorës – kur shqiptarët i ngritën një statujë në Fushë Krujë, tasmë një atraksion turistik.
Ora u zhduk nga kyçi i Bushit, kur ai u zhyt në një prej turmave që ishin mbledhur atë ditë për të shtrënguar duart. Ende nuk është gjetur.
Edhe shqiptarët e Kosovës fqinje kanë ngritur një statujë për presidentin Klinton në Prishtinë, kryeqyteti, si mirënjohje për rolin e tij në bombardimet e NATO-s gjatë spastrimit etnik të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, në 1998-99.
Ka edhe një statujë të presidentit Uillson në qendër të Tiranës. Kjo, si mirënjohje për rolin e Uillsonit në garantimin e kufijve aktualë të Shqipërisë pas Luftës së Parë.
Pra, ka precedentë për këtë president. Paçka se nuk do të jetë presidenti i parë që viziton këtë vend, ai do të ishte presidenti i parë që luan golf atje. Dhe kjo nuk është pak, sidomos kur kërkon të pasurosh rezymenë tënde të golfit para se të lësh presidencën.
Dhe me këtë rast, mund të gjejë dhe orën e humbur.
(Nga Peter Lucas / Përg. Gazeta Dita)