Kandidatët për kryetar të Himarës, socialisti Vangjel Tavo dhe rivali opozitar Petro Gjikuria, iu bashkuan të hënën monitorimit nga afër të procesit që do shpallë fituesin mes tyre.
Grupet e numërimit e nisën vonë punën, pas mesnatës, për shkak të vonesave në mbërritjen e kutive nga qendrat e votimit, por edhe prej trajnimit paraprak për mbarëvajtjen e procesit.
Kutitë e para u hapën pas orës 00:35, më shumë se 5 orë e gjysmë pasi u mbyllën votimet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve trajnoi anëtarët e grupeve të numërimit të angazhuar për zgjedhjet e pjesshme në Himarë.
8 grupet e trajnuara të numërimit u vendosën sipas radhës në 4 tavolina numërimi, për të administruar fletëvotimet nën kamerat monitoruese/regjistruese të instaluara posaçërisht.
Në këto zgjedhje, KQZ-ja aplikoi vetëm identifikimin elektronik të zgjedhësve në 36 qendrat e votimit.
QV-të u hapën në orën 07:00 pa problematika dhe procesi i votimit përfundoi i qetë deri në orën 19:00.
Zgjedhjet në Himarë erdhën pasi KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit.
Nga përllogaritjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se deri në orën 19:00 votuan 8.678 zgjedhës në 36 qendrat e votimit që ka Himara. Kjo shifër përkthehet në 37.61%, më e lartë sesa në zgjedhjet e 14 majit 2023, kur pjesëmarrja ishte 34.27% me 7.821 votues gjithsej.
/a.r