Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës pas vendimit të Prokurorisë së Tiranës për të mos nisur procedim penal ndaj punonjësve të paraburgimit 313.
Meta ka kundërshtuar vendimin e prokurorisë për mbylljen e verifikimeve lidhur me kallëzimin e tij, ku denonconte punonjësit e institucionit të vuajtjes së dënimit për shpërdorim detyre.
Në kallëzimin e tij, ai pretendonte se punonjësit e paraburgimit kishin abuzuar me detyrën për mënyrën e trajtimit të tij gjatë qëndrimit në paraburgim, si dhe për pengimin e komunikimit të tij.
Pas verifikimeve të kryera, Prokuroria e Tiranës nuk vendosi askënd nën përgjegjësi penale dhe mbylli çështjen.
Meta ka kërkuar nga Gjykata e Tiranës që të rrëzojë këtë vendim dhe të urdhërojë prokurorinë për të vijuar hetimet.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Vjollca Sahiu, e cila do të vendosë nëse hetimet do të rihapen apo do të mbetet në fuqi vendimi i prokurorisë.











