• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, January 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Ekonomi

Nuk mblidhej prej vitesh, bizneset kundër taksës për të drejtën e autorit

by Java News
19/10/2016 17:08
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Bizneset: Kjo është një tarifë shtesë dhe e lartë, për më tepër është evazive mënyra si caktohet dhe nuk po na sqarohet pse duhet ta paguajmë. Agjencia e Administrimit Kolektiv e të Drejtave të Artistëve Interpretues /Ekzekutues AKDIE: 1.5% e të ardhurave të krijuara nga përdorimi gjatë një viti ushtrimor financiar, të deklaruara në organin tatimor, jo vetëm që është e pandjeshme, por është në kufirin më të ulët të mundshëm…

Baret, restorantet, lokalet e natës, hotelet etj., do të jenë të detyruara të paguajnë çdo vit tarifën e së drejtës së autorit. Një tarifë që ata duhet ta kishin paguar prej vitesh, por që deri tani nuk ka arritur të mblidhet. Ditët e fundit, shumë biznese të aktiviteteve të mësipërme kanë marrë një njoftim nga tatimet, ku thuhet: “Lutemi të merrni masat e domosdoshme për të kryer sa më parë pagesën e përdorimit të të drejtave të artistëve interpretues dhe ekzekutues që ju përdorni në veprimtarinë tuaj tregtare, duke ia transmetuar/ritransmetuar apo duke vendosur në dispozicion të publikut tuaj/klientëve tuaj, abonentëve tuaj, pajtimtarëve të shërbimit tuaj, me anë të aparaturave, mjeteve të posaçme, si radio, televizor, sistem fonie, bokse, faqe online”. Njoftimi i nisur nga tatimet është për llogari të Agjencisë së Administrimit Kolektiv e të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues “AKDIE”, e cila është agjenti i tatimit në burim. Subjektet paralajmërohen se nëse nuk përmbushin detyrimin brenda 10 ditësh nga marrja e njoftimit, atëherë kjo përbën shkak për konsumimin e kundërvajtjes tatimore të ndëshkueshme me gjobë.

Ndërsa bizneset përgjithësisht janë të ndërgjegjshme që tarifat për të drejtat e autorit paguhen në të gjithë botën, ata shprehen të acaruar për nivelin e saj. Për bizneset e vogla, kjo tarifë është 15 mijë lekë në vit (shumë që sipas tyre është sa 60% e taksës së biznesit që u hoq), ndërsa për subjektet e tjera është 1.5% e xhiros, çka nënkupton që një bar, që deklaron një xhiro prej 8 milionë lekësh (kufiri ku kalon si i madh) do të paguajë 120 mijë lekë në vit.

Një tjetër shqetësim i bizneseve lidhet me faktin se është shumë e vështirë të përcaktohet se sa janë të ardhurat e realizuara nga përdorimi i veprave letrare, artistike a shkencore.

“Unë paguaj një kompani interneti, nga e cila përfitoj shërbimet. Ç’është kjo e drejtë autorit që unë duhet të paguaj, për këtë nuk ka dalë njeri të sqarojë biznesin. Përse duhet ta paguaj, kjo është shumë imponuese si taksë. Unë nuk përdor as radio, as TV në biznesin tim, muzikën e dëgjoj me CD. Pse duhet të paguaj”, thotë Alban Pesha, që menaxhon një hotel. Ai thotë se tarifa për të drejtën e autorit i ka ardhur 99 mijë lekë, apo rreth 1.5% e xhiros. Albani kishte deklaruar vitin e kaluar një xhiro prej 6.6 milionë lekësh. Ai paguan në vit taksa bashkie 110 mijë lekë, taksë fjetjeje rreth 120 mijë lekë në vit dhe detyrime tatimore 1.4 milionë lekë në vit, që në total përbëjnë rreth 25% të xhiros. “Tani na u shtua dhe kjo tarifë, ndërsa u miratua dhe vendimi që duhet të anëtarësohemi me detyrim në Dhomat e Tregtisë. Më thuaj, a mund të bësh biznes në këtë vend”, shton ai.

Biznese të tjera, të kontaktuara nga ‘Monitor’, që janë të përfshira në listën e debitorëve që kanë tatimet, ende nuk e dinë se duhet të paguajnë edhe për të drejtën e autorit dhe sa është tarifa përkatëse.

Naim Aliaj, Drejtor Ekzekutiv i AKDIE, pohoi se 1.5% e të ardhurave të krijuara nga përdorimi gjatë një viti ushtrimor financiar, të deklaruara në organin tatimor, jo vetëm që është e pandjeshme, por është në kufirin më të ulët të mundshëm dhe kujtojmë se ligji thotë “jo më pak”!

Sipas përcaktimit në pikën 1, të nenit 114 të ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005, i ndryshuar në legjislacion: “Agjencitë e administrimit kolektiv kanë të drejtë që, në emër të anëtarëve, të drejtat e të cilëve administrojnë, të kërkojnë, me bisedime, nga përdoruesit jo më pak se 10%, për të drejtën e autorit, dhe jo më pak se 3%, për të drejtat e lidhura me të, të të ardhurave të realizuara nga përdorimi i veprave letrare, artistike a shkencore”.

Bizneset shtrojnë pyetjen se si maten të ardhurat që lidhen me të drejtën e autorit. “Unë nuk e kam të qartë se cilit autori i kam borxh. P.sh., unë dëgjoj Majkëll Xhekson, që nuk jeton më, dhe në bazë të ligjit, këtij i shuhet e drejta e autorit”, thotë Eltoni, drejtuesi i një hoteli të vogël, që sapo ka marrë njoftimin për të paguar një tarifë rreth 120 mijë lekë për të drejtën e autorit.

Burime nga AKDIE pohojnë se ligji është i qartë dhe i padyshimtë dhe interpretimi i tij, kryhet nga gjykata, por që gjithsesi, çdo e ardhur që vjen nga përdorimi direkt, (radio, televizion, platformë ritransmetuese, me apo pa fije, etj.) apo nga përdorimi indirekt, (pub, disko, club night, apo bar, restorant, kurse subjektet tatimpagues hotel, motel, trajtohen si ritransmetues kabllor, ku çdo dhomë është një abonent), është objekt tatimi, është objekt faturimi, është objekt autorizimi, për çdo vit financiar!

shkrimiiiii

Intervistë me z. Naim Aliaj, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Administrimit Kolektiv e të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues AKDIE

 99% e subjekteve janë debitorë për të drejtën e autorit

 1-Pse nuk është mbledhur deri tani tarifa e së drejtës së autorit?

Sepse, megjithëse janë dy Vendime të Këshillit të Ministrave për Strategjinë e Zbatimit të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, megjithëse janë ndërtuar institucione si Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit, si Autoriteti i Medias Audiovizive, Inspektorat Tregu, megjithëse ka një vëmendje politike, institucionale dhe financiare, problemi i vetëm që nuk është kuptuar kurrë, është Agjenti i Mbajtjes së Tatimit në Burim.

Kjo hallkë ka munguar, por, tashmë, nën drejtimin e Kryeministrit, ministrit të Financave dhe Ministrisë së Kulturës, me mbikëqyrjen e Administratës Tatimore, kjo hallkëa mori vlerësimin përkatës, çka bëri të mundur edhe interesimin tuaj si një media e rëndësishme!

Nuk vlen të kujtojmë nenet 7, 68, pika 3 të ligjit nr. 9920/2008, apo kundërvajtjet administrative përkatëse, siç është edhe Neni 117-Dënimet për agjentët e mbajtjes së tatimit në burim, agjentët e taksave dhe agjentët e tarifave, për AKDIE, etj.

2-Kohët e fundit, bizneset kanë marrë njoftime nga tatimet për debitorët ndaj AKDIE. Pse ka ndodhur kjo?

Në përputhje me nenin 7 të ligjit nr. 9920/2008, i ndryshuar, i cituar,

Neni 7-Të drejtat dhe detyrimet e agjentit të mbajtjes së tatimit

  1. Me përjashtim të rastit kur ligji e përcakton ndryshe, agjenti i mbajtjes së tatimit ka të njëjtat të drejta dhe detyrime me një tatimpagues.
    2. Agjenti i mbajtjes së tatimit ka edhe këto detyra plotësuese:
  2. a) të llogarisë saktësisht dhe të mbajë tatimin për një tatimpagues;

b)të paguajë tatimin në Buxhetin e Shtetit, në datën e përcaktuar në ligj;

c)të mbajë regjistrime për të ardhurat e paguara dhe për tatimet e mbajtura të të gjithë tatimpaguesve dhe të pagesave, të transferuara në Buxhetin e Shtetit;

ç) t’i japë administratës tatimore informacion të saktë për deklaratat e tatimpaguesve në datën e duhur, të përcaktuar në ligj;

  1. d) të kryejë të gjitha detyrat e tjera, të parashikuara nga dispozitat ligjore në fuqi.

Agjenti i Mbajtjes së Tatimit në Burim, AKDIE, njofton dhe raporton tek Administrata Tatimore problematikën e saj.

Agjenti i Mbajtjes së Tatimit në Burim derdh vlerën e tatimit, pasi ka arkëtuar pagesën dhe ky tatim, mblidhet vetëm nga Agjenti i tatimit në burim, sipas nenit 33/1/ç dhe pika 2, të ligjit nr. 8438/1998, i ndryshuar.

Në rastin kur ligji nuk zbatohet, del e domosdoshme prezenca e Administratës Tatimore, e cila është filtri fundor, për të vjelë tatimet në Shqipëri!

3-Sa subjekte janë subjekt i tarifës së AKDIE dhe sa prej tyre rezultojnë debitorë. Po ndarja sipas llojit të aktivitetit (p.sh. çdo subjekt bar kafe apo restorant duhet të paguajë tarifë dhe sa)?

Subjekte tatimpagues, përdorues të pronësisë artistike, janë të gjitha subjektet e regjistruara në organin tatimor, që në objektin e veprimtarisë së tyre, përdorin pronësi artistike.

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 309, datë 13.06.2000, ka një listë orientuese dhe tarifat përkatëse.

Kjo listë nuk është shteruese, sepse format e përdorimit të pronësisë artistike, tanimë, i përkasin teknologjisë së vitit 2016!

Janë debitorë, jo vetëm tek AKDIE, por janë debitorë edhe për Administratën Tatimore, për shkak të agjentit të mbajtjes së tatimit në burim, 99% e subjekteve tatimpagues, përdorues të pronësisë artistike, çka e bëri të domosdoshme PJESËMARRJEN AKTIVE TANIMË, të Administratës Tatimore, e cila fillimisht, po njihet me faktin dhe më pas, ka të drejtën që i jep ligji, për të marrë masat për ndërprerjen e paligjshmërisë!

  • E drejta e autorit është një mall që tatohet dhe qarkullon vetëm me faturë tatimore të TVSH!
  • Mungesa e kësaj fature, përbën shkak për cenimin e buxhetit të shtetit!

Sa është tarifa për biznesin e vogël dhe atë të madh?

Tarifat e Agjencisë AKDIE janë të njoftuara nëpërmjet shkresave, në mënyrë elektronike në faqen e saj, si dhe jeni të lirë dhe ju lutemi, n.q.s. doni t’i bëni edhe më shumë publike, në faqet e revistës ‘Monitor’!

Gjithashtu, janë të bëra publike në faqen elektronike të Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit dhe shumë shpejt, në çdo adresë elektronike të tatimpaguesit, përdorues i së drejtës së pronësisë artistike!

-Sipas përcaktimit në legjislacion: “Agjencitë e administrimit kolektiv kanë të drejtë që, në emër të anëtarëve, të drejtat e të cilëve administrojnë, të kërkojnë, me bisedime, nga përdoruesit jo më pak se 10 për qind, për të drejtën e autorit, dhe jo më pak se 3 për qind, për të drejtat e lidhura me të, të të ardhurave të realizuara nga përdorimi i veprave letrare, artistike a shkencore”. Çfarë nënkupton kjo, si maten të ardhurat e realizuara nga përdorimi i veprave letrare, artistike a shkencore.

Për saktësim, përcaktimi është pika 1 e nenit 114 të ligjit nr. 9380 datë 28.04.2005, i ndryshuar!

Në lidhje me pyetjen tuaj, mbetemi në vështirësi sqarimi, sepse ligji është i qartë dhe i padyshimtë dhe interpretimi i tij, kryhet nga gjykata, por që gjithsesi, çdo e ardhur që vjen nga përdorimi direkt, (radio, televizion, platformë ritransmetuese, me apo pa fije, etj.) apo nga përdorimi indirekt, (pub, disko, club night, apo bar, restorant, kurse subjektet tatimpagues hotel, motel, trajtohen si ritransmetues kabllor, ku çdo dhomë është një abonent), është objekt tatimi, është objekt faturimi, është objekt autorizimi, për çdo vit financiar!

Cili është plani i të ardhurave për 2016-n dhe sa planifikoni të mblidhni?

Pritshmëritë tona janë edhe më të mëdha, nga më pak se 1% zbatim ligji! Kuptohet që plani i realizimit të të ardhurave varet nga Administrata Tatimore dhe kuptohet nga interesi publik.

Në rast se shteti është serioz me Buxhetin e tij, është serioz me Komisionin Europian, është serioz me komunitetin e artistëve dhe çdo tatimpagues i ndershëm, (shprehim respekt për tatimpaguesin me origjinë të huaj, që zbaton ligjin në mënyrë vullnetare) zbaton ligjin, edhe pse me vonesë, të gjithë kemi bërë një hap, në progresin e vendit!

Sipas bizneseve, tarifa e së drejtës së autorit është e papërballueshme për shumë prej tyre. Cili është komenti juaj?

1.5% e të ardhurave të krijuara nga përdorimi gjatë një viti ushtrimor financiar, të deklaruara në organin tatimor, jo vetëm që është e pandjeshme, por është në kufirin më të ulët të mundshëm dhe kujtojmë se ligji thotë “jo më pak”!

Mjafton të lexoni Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 309, datë 13.06.2000 dhe do të kuptoni krahasimin përkatës!

Kujtojmë se sistemet e instaluara në bar, restorante, pube, disko, etj., etj., i përkasin teknologjisë mjaftueshëm të shtrenjtë, si “H D” apo “4K” “super H D” apo “Ultra H D” etj., dhe pagesa për përdorimin e të drejtave, që transmetojnë, ritransmetojnë, vendosin në dispozicion të publikut, etj., duket e papërballueshme!

Refuzimi për të zbatuar ligjin, duket i pashpirt dhe hajdutëri! Ndaj, kemi informuar në mënyrë ditore çdo institucion ligjzbatues, për të marrë masat që njeh ligji, për të ndaluar këtë gjendje, që Shqipërisë, i kushton një vëmendje politike ndërkombëtare pothuaj turpëruese, vetëm sepse disa subjekte nuk duan të respektojnë vullnetarisht ligjin.

Askush nuk ka qejf të paguajë asgjë, por shërbimin e duam dhe këtë shërbim e marrim duke e vjedhur dhe sot, në vitin 2016, kjo gjë, është në mbikëqyrjen e administratës tatimore!
Duke shpresuar për pyetje të tjera, në ndihmë të piraterisë, mos hezitoni! Jemi të lumtur t’i përgjigjemi piraterisë, sepse i ka vjedhur shtetit aq sa ju me një ‘Google search’ do të kuptoni sa kontribuon respektimi i të drejtave të pronësisë intelektuale në vende “modeste” si Amerika apo mesatarja e BE-së. Ju lutemi bëjeni konflikt sa më të gjerë, sepse heshtja është armiku më i madh i cenimit të kësaj të drejte!


Vendimi Nr.309,  datë 13.6.2000, PËR TARIFAT E  PËRDORUESVE TË PRONËSISË ARTISTIKE

1. Palët kontraktuese në  kontratat  me  shoqëritë  e  autorëve,  për  përdorimin  e  pronësisë artistike, t’i përmbahen këtyre tarifave:

1.1. Kanalet televizive publike: 2.5-3.5  milionë lekë të buxhetit të tyre.
1.2. Radiot publike: 500 000 – 800 000 lekë buxhetit të tyre.
1.3. Radiot lokale publike: 150 000-300 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.4. Televizionet lokale publike: 500 000-1 000 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.5. Kanalet televizive kombëtare,  private: 1 000 000-2 000 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.6. Kanalet televizive rajonale private: 500 000-1 000 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.7.   Radiot  private  kombëtare  ose  radiot  private  të  huaja,  që  njehsohen  me  to,  brenda territorit  shqiptar: 400 000-700 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.8.  Radiot  private  rajonale  ose  radiot  e  huaja,  që  njehsohen  me  to,  brenda  territorit shqiptar: 300 000-500 000 lekë të buxhetit të tyre.

2. Sallat, që nuk  kanë  qëlim  kryesor  shfaqjet  muzikore,  filmat,  varietetë,  spektaklet  si: Pallati i Kongreseve,  stadiumet, pallatet e sportit për lojëra me dorë, amfiteatre në mjedise të hapura etj,  nënshkruajnë  kontratë  qiradhënieje  me  trupa  të  ndryshme,   vetëm  pasi  qiradhënësi  paraqet kontratën me shoqatat e autorëve: 4 për qind – 5 për qind të çmimit të biletave të shitura.

2.1. Diskotekat,  klubet  e natës,  pianobaret,  restorante  me pistë vallëzimi:  vlera  e çmimit mesatar  të pijeve alkoolike për një ditë pune deri në 30 vende ulur.  Për lokalet me mbi 30 vende ulur llogaritet në mënyrë proporcionale tarifa si më sipër.
2.2.  Për restorantet  dhe kafenetë: vlera e çmimit të kafesë së konsumuar për një ditë pune, ndërsa për lokalet me mbi 30 vende ulur tarifa llogaritet në mënyrë proporcionale,  si më sipër.
2.3. Sallat e shfaqjeve kinematografike:  2 për qind – 2.5 për qind të arkëtimit të biletave të shitura.
2.4. Teatrot  dramatike,  varietete,  teatrot  e operas,  arenat  e cirkut,  teatrot  e kukullave  1.5 për qind – 2 për qind të arkëtimit të biletave të shitura.
2.5. Kur sallat e pikës 2.4 u jepen me qira subjekteve të tjera zbatohet detyrimi i pikës 2.
2.6.  Për  trenat,  anijet,  tragetet,  autobusët,  avionët  0.1  për  qind  të  çmimit  të  biletave  të shitura,  të llogaritura në monedhën që përdorin.
2.7.   Për  hotelet,   motelet,   që  përdorin   muzikë  në  mjediset  e  tyre:   kafene,   pianobare, restorante me pistë vallëzimi, doskoteka, muzikë holle, zbatohen tarifat e përcaktuara në pikën 2.1.
2.8.Hotelet dhe motelet,  që kanë aparate televizive nëpër dhoma: 2 për qind-2.5  për qind të çmimit të dhomave për çdo ditë.
2.9. Prodhuesit  dhe shitësit e kasetave,  vidiokasetave  dhe kompaktdisqeve:  7.5  për qind –
9.5 për qind të çmimit të shitjes.
2.10. Subjektet që ushtrojnë  veprimtarinë  e dhënies me qera të kasetave,  vidokasetave  dhe kompaktdisqeve: 3.5 për qind – 4.5 për qind, të çmimit të qiradhënies për çdo kasetë.

  1. 3. Firmat e licensuara për vendosjen e internetit: 2.5 për qind – 3.5 për qind të shumës për çdo

3.1. Sallat e aerobisë,  të gjimnastikës artistike,  palestrat e veglave të forcës,  salla patinazhi artistik, kur përdorin muzikë: 1.5 për qind – 2 për qind të të ardhurave për çdo pajtimtar.
3.2. Lojërat e fatit si telebingot,  bastet, sallat me lojërat e fatit: 1.5 për qind – 2 për qind të çmimit më të lartë fitues për çdo spektakël./Monitor/a.m.

Next Post
Dita e Nënë Terezës, Ushtria mbjell 3 mijë pisha të reja në Malin e Skënderbeut (FOTO)

Dita e Nënë Terezës, Ushtria mbjell 3 mijë pisha të reja në Malin e Skënderbeut (FOTO)

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Historike në Venezuelë, Parlamenti hap tregun e naftës, merr fund monopoli i Çavizmit

Historike në Venezuelë, Parlamenti hap tregun e naftës, merr fund monopoli i Çavizmit

January 29, 2026
“Vlora është hajdutëria më e madhe”, avokati: Kadastra ishte bërë “ferr” për qytetarët

“Vlora është hajdutëria më e madhe”, avokati: Kadastra ishte bërë “ferr” për qytetarët

January 29, 2026
“Në mars ’97 protestoja kundër Berishës, sot jemi kolegë”, flet deputetja e Vlorës!

“Në mars ’97 protestoja kundër Berishës, sot jemi kolegë”, flet deputetja e Vlorës!

January 29, 2026
Armët bërthamore të Iranit, Hegseth: Ushtria e SHBA-së e gatshme të zbatojë çdo vendim të Trumpit

Armët bërthamore të Iranit, Hegseth: Ushtria e SHBA-së e gatshme të zbatojë çdo vendim të Trumpit

January 29, 2026
Sherr në studio / Muharremi: Këta të opozitës kanë perla! Demokratja: Me kë e ke ti?

Sherr në studio / Muharremi: Këta të opozitës kanë perla! Demokratja: Me kë e ke ti?

January 29, 2026
“Drejtësia po sulmohet”/Shehaj: Duhet një bashkim përtej partive politike! Nuk mjafton të jesh opozitar, qytetarët duan…

Agron Shehaj del hapur kundër Berishës: Nuk më kanë votuar që të ulem me partitë e vjetra!

January 29, 2026
LISTA / Rajonet dhe bashkitë e reja që propozohen nga PD, përveç atyre ekzistuese

Territorialja në “udhëkryq”, Farrici: Përgjegjësi e opozitës të marrë pjesë në Komision

January 29, 2026
Manipulimi me vdekjen e Lear Kurtit, ashtu si me 21 janar një tjetër video gati të përgënjeshtrojë Sali Berishën

Ndryshimet në Kod nuk i shpëtojnë shpifësit profesionistë nga gjyqet penale

January 29, 2026
Garon në listën e hapur, Dashamir Shehi: Gjest burrërie! Nuk na e mbyll njeri gojën tani

Bashkimi i opozitës, Shehi: Nëse na thonë ec te oborri jonë se kemi gjelin, nuk vlen!

January 29, 2026
Zbulohet bakter i rrezikshëm në qumështin për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu

Zbulohet bakter i rrezikshëm në qumështin për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu

January 29, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In