Kryeministri Edi Rama tha në “Now me Erla Mëhillin” se nuk mbron askënd që del nga rruga e drejtë, qoftë ky edhe një person që më herët e ka promovuar duke iu referuar kështu Arben Ahmetajt.
Siç sqaroi kryeministri, ai vetë është përkujdesur që reforma në drejtësi të mos kurseja asnjë edhe nëse ai një ditë ndryshon mendim dhe vendos t’i dalë krah zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin.
“Kush e lëshon veten dhe ngatërron rrugën dhe del nga rruga e Zotit dhe e ligjit nuk ka asnjë shans që të mbahet pas meje, pas shkopit të flamurit të Partisë Socialiste dhe të socialistëve. Kjo është shumë e qartë. Unë nuk jam ai që sot është faqja e zezë e Shqipërisë, që me demek nuk i lëshonte kriminelët. Drejtorin e tatimeve të Republikës së Shqipërisë e mbante në detyrë në arrest shtëpie, ishte në arrest shtëpie dhe ishte drejtor. Kriminelët e 21 janarit nuk ia dorëzoi prokurorisë dhe kështu me radhë.
Jo që nuk i mbroj kriminelët e të korruptuarit, por unë jam marrë personalisht dhe kam udhëhequr reformën në drejtësi që ata të bëhen të pambrojtshëm nga askush, as edhe nga unë, nëse unë luaj mendsh dhe shkoj t’i mbroj nga drejtësia,” – u shpreh Rama.